E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda,lirohet invalidi i trafikut

TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda u komunikoi dje masat e sigurisë të vendosura në mungesë katër ditë më parë, pesë të arrestuarve për trafik Resul Çela, Bardhi Proda, Pëllumb Guri, Irfan Dalipaj dhe Nino Tushe. 

Gjykatësi që u kishte vendosur masat e sigurisë, verifikoi dje të pandehurit dhe kushtet në të cilat ishin ekzekutuar urdhër-arrestet, ndërsa u komunikoi Çelës, Prodës, Dalipajt dhe Tushës masën e sigurisë "arrest në burg" kurse invalidit Pëllumb Guri masën e sigurisë "arrest shtëpie". Sipas Pro-kurorisë, këta u prangosën katër ditë më parë gjatë operacionit "Butrinti" të organizuar nga Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Policisë së Fierit. Këta akuzohen për "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, për qëllime fitimi", vepër penale kjo e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit, sipas Prokurorisë organizonin kalimin e paligjshëm të klandestinëve nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në vende të ndryshme të Evropës.                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›