Një terapi e vonuar për kritikën shqiptare të arteve
Prof. dr. Josif PAPAGJONI
E kush nuk e ka thënë se kritika aktualisht është ose një zë i humbur, ose pa autoritetin dhe ndikimin e domosdoshëm në procesin krijues që ngjet në teatër, ose një anti-kritikë (herë e sheqerosur tepër e herë e nevrikosur tepër). Natyrisht, asnjë lloj rrjedhe dramaturgjike, autor a tip teatri, asnjë film i prodhuar (artistikë, dokumentarë, televizivë etj) s’mund të paragjykohet apo të anashkalohet, andaj kritika është e shtrënguar të bëjë vlerësimin. Duke qënë se ajo çka ofrohet në teatër e kinematografi, dhe ajo çka publiku pëlqen ose jo, që të dyja këto anë së toku krijojnë një simbiozë. Megjithatë kur bëhet fjalë, përshembull, për Teatrin Kombëtar aty duhet të lëvizë një tjetër politikë repertori, ndryshe nga një teatër qyteti, si përshembull ai i Korçës, i Vlorës, i Durrësit që mbahen ende në këmbë, apo nga ndonjë kompani teatrore private që bredh në ankth pas qeses së ministrisë që diç të pikojë prej andej. Në këtë valëzim, kritika se ka të lehtë të kumtojë ç’është e mbrothtë dhe çështë e bjerrur, ç’është grurë e ç’është byk? Padyshim, në librat që janë shkruar dhe mijëra artikuj, ajo e ka thënë një fjalë të sajën, kryesisht duke recensionuar shfaqjet, veç jo ngaherë është goditur në shenjë kur janë argumentuar dukuritë e problemet e qenësishme të teatrit dhe kinematografisë. Prandaj këmbëngul që kritika, përpos inteligjencës së saj, lipset të përfitojë nga inteligjenca kritike e publikut, që bën gati në mënyrë instiktive vlerësimin dhe përzgjedhjen. Por ngjet që edhe publiku vetë, jo njëherë të çorienton me shijen e tij kur, të themi, s’rresht së mbushuri sallën me komeditë “Dua burrë”, “Kur këndonim Margaritën”, “Të gjithë me huqe”, ose diskuton nxehtësisht për “Portokallinë” e plot klishe kësilloji dhe s’afrohet në shfaqjet që kanë më shumë filozofi, konflikte ekzistenciale etj. Në këtë rast kritika duhet të luajë me sentencën: edhe kulaçin, edhe kërbaçin. Më e keqja sot, gjer edhe e neveritshme, është dhënia pa hesap e kulaçit, e tortës, e karameleve për vepra, autorë, interpretime, skenografi të rëndomta. Po pse vallë kritika tundohet kësisoji? Duke e hapur shpirtin si në kthinën e rrëfimit para priftit, në bashkësinë tonë nuk funksionon atmosfera miqësore, mirëpritëse, e cila sjell edhe gulshe sinqeriteti te kritiku, sepse kritiku e di që autori, regjisori apo aktori me të cilin bisedon, sapo ti kthen kurrizin, shpesh të nxjerr gjuhën. Dashur - padashur, kritiku, vihet në një pozitë divorci të dhimbshëm e të vazhdueshëm me këtë bashkësi, e lë pas sinqeritetin e vet dhe tjetërsohet, egërsohet, kërkon revanshet e tij. Bëhet pjesë e karuzelit të hakmarrjes meskine: dikë që s’e pëlqen apo që ka këmbyer fjalë të rënda, s’ia pohon vlerën e merituar, madje, ka asish kritikë (pseudokritikë), që gjejnë rastin dhe e kryqëzojnë autorin, regjisorin, aktorin. Pikërisht këtu nis vdirja e kritikës, shtrigërimi i saj. Është e vështirë të ngrihesh mbi deliret e lazdrimit që pushtojnë ndoca aktorë dhe të pranosh vërejtjen kritike. Shumica e ngatërrojnë enkas ose, në rastin më fatlum, e keqkuptojnë aktrimin si art, pra, si produkt publik, me vetveten si njeri; shto pastaj ndjesi të tilla si egua, ambicia, xhelozia, për të qenë ai më i miri, parësori dhe jo kolegu bri tij... Duke folur gjerazi për artistët e teatri dhe kinemasë, padyshim po e njëjta logjike lëviz edhe në vlerësimin e librave me poezi, tregime, romane, letërsia për fëmijë etj. Madje, do të thoshja se këtu kritika është tejet bujare për të lëshuar lumin e lëvdatave, dhe miu bëhet luan. Kam përshtypjen se kritika duket sikur nuk funksionon më, është degraduar në misionin e saj si zbuluese e vlerës estetike të një libri, të një rrjedhe a stili letrar, poetik, të një gjinie a procesi (sidomos në formësim). Ndodh që edhe me kritikë me emër të vëresh se si nga xhepat e fryrë të cilësimeve rrjedhin “merita” pa fund. Doemos, nuk është fjala për të përbaltur, ca më keq për të gjetur qimen në kashtë, pasi një mendësi e tillë e kthen kritikën vetë në një njerkë grindavece. Fjala është për të nxjerrë në spikamë, brenda taktit dhe etikës intelektuale, edhe mangësi që mund të tejkalohen, për t’i dhënë shansin autorëve, artit dhe vetë letërsisë për zhvillim, përtëritje dhe mbrothtësi. Kritika pos epërisë së komentit, filozofisë së teatrit, artit dhe letërsisë përgjithësisht, pos mëtimit për të luajtur një rol prijës sa i takon tendencave të tyre, është edhe një lloj pushteti. Para rrëzimit të të keqes – më lejoni ta quaj kështu komunizmin çudak e shkretan shqiptar – kritika kishte misionin përjashtimisht pushtetor. Ishte një skeptër që ose të çonte drejt titullit Artist i Popullit, “shkrimtar i shquar”, ose të fuste në burg e t’i hidhte librat për karton. S’e kam fjalën për këtë apo atë kritik konkretisht, por për tipologjinë e kritikës së asaj kohe, e cila ishte tejet zyrtare, vinte gjithnjë vertikalisht nga kulmimi i piramidës, dhe qe shumë, po shumë vetullngrysur ama. Ajo të bënte “gjëmën”. Unë vetë e njoh koreografinë e kësaj lloj kritike. Mirëpo dua të vij tek një tjetër problem: pozita sociale, ose thënë më thjesht, nderimi i kritikut. Si edhe teatri që mbeti moçaleve të tranzicionit, gati u ngulfat kur strehën e tij e kërcënonte rroposja e fadromave të mafies kinse institucionale, ashtu edhe kritika, e brishtë dhe e dobët siç qe, u tëhollua më keq e u bë kockë e lëkurë. Më keq ngjau me kinematografinë, e cila thuajse u zhbë. Përkundrazi, letërsia vërshoi në një lumnajë titujsh, dhe taboret e pangjyrë të mediokritetit, emra kot më kot, ku gjithkush mund të botonte e të botojë çfarë dhe si të dojë, “provokoi” rëndë, më së pari, kritikën dhe misionin e saj. Kritikut iu kërkua pozita e panegjerikut, e shkëmbyer me një “nder” mikut, një pagesë diku, shpërblimi i një miqësie, klani, “fisi” shkrimtarësh. Ose duhet të lëvdosh, ose përndryshe bashkësia nuk të qas. Mungon pikërisht nderimi e pozita e kritikut nga bashkësia. Sot asnjë segmenti nga vëmëndja e shpërndarë e shtetit as që i rreh për kritikën. Ajo çmohet si punë gazetash, zulmime mediesh me epitete bubulluese. Një farë “tregu” edhe ky. Atëbotë, në mungesë të institucionalizimit të kritikës teatrore profesioniste, sikurse edhe në artet e tjera, ky atribut u rrëmbye nga gazetat dhe gazetaret, që s’bëjnë më shumë veçse një koment të filologjisë së shfaqjes por jo edhe të thelbit të saj: pra të regjisë, aktrimit, skenografisë etj. Kurse në letërsi rrallë e më rrallë hyhet në kthinat e laboratorit krijues, anashkalohen “hieroglifet” e saj, misteri, si krijohet transhendenca poetike, si tejkalohet realiteti i rëndomtë, si lëviz koreografia e fjalës në varg, në frazë, në vetë korpin e rrëfimit. Po a mund të quhet gazetaria kritikë e mirëfilltë? Padyshim, jo. Doemos roli i kritikut nuk ka të bëjë fare me atë të një druvari, bjeri veprës, shkrimtarit dhe artistëve (ku të therr e ku të dhëmb). Ajo s’ka as rolin e xhelatit, që gëzohet me torturimin e “viktimës”. Kjo s’është veçse kritika e blerë; më e pakta, kritika meskine. Shpirtin një kritik serioz s’ka pse ia shet Mefistos se klaneve, të politikës apo të biznesit. Jo njëherë kemi parë në faqe gazetash tipologji të tilla të kritikës. Që kritika të mund të bëhet gjykatëse, unë them se lipset ngritur steka e nderimit dhe e vlerësimit të saj. Kur miku im Rudiger Shaper, kritiku i faqes teatrore artistike të Shpigelit në Gjermani, le të themi e rrëzon suksesin fiktiv, të pamerituar, spekulativ të një trupe të njohur teatrore gjermane, në një farë sensi ai është i mbrojtur. Sepse paguhet 5000 euro nga gazeta ku punon. Dhe kur paguhesh mirë, ti bëhesh kritik profesionist; ushqehesh me atë zanat ndaj dhe i del zot, ndryshe vendin e punës ta lakmojnë të tjerët, sepse je i konkurrueshëm. Doemos ky është një luks për kritikun shqiptar, veçse ama pa vlerësuar punën s’mund të ecet. Është e çuditshme përshembull që thuajse të gjitha gazetat s’e paguajnë shkrimin kritik. Po të vazhdojë kështu, kritika do të asfiksohet edhe më shumë. Do të katandiset në një lëvere. Dhe faktori tjetër: E ç’mund të bëjë kritiku në Shqipërinë e vockël, egërshane e provinciale, ku të njohin të gjithë dhe del “kushëri” edhe me shkrimtarin, edhe me regjisorin, edhe me aktorin gjegjës? Të mos kërkojmë e hamendojmë modele puritane. Paçka se unë mund të murgëroja fare mirë në laptopin tim dhe të merresha me reliket e ftohura të teatrit, jo me zjarrin e tij, gjithsesi mbetet pasioni për të ngacmuar gacat. Atëhere dhe përfundimi: Ku është kritika si bashkësi individualitetesh? Askund, sepse s’ka. Ku është kritika si misionare? Kjo fjalë është harruar fare. Sepse mungon pikërisht misioni. Është një profesion i vështirë kritika, sidomos pozita e saj. Kritika nuk ka në dorë të vërtetën absolute, sepse gjykimi i saj është relativ dhe individual, filtrohet falë subjektit të vet. Mua kaq herë më ka ndodhur që të gaboj në vlerësimet e mia dhe në vetminë time kam thënë: A e kam patur drejt vallë? Pse? Sepse pozita e kritikut, sikundër thotë i famshmi Umberto Eko, është një pikë e paqëndrueshme. Ajo lëviz me kohën, me shijet e publikut, me tendencat e artit dhe letërsisë, me doktrinat estetike, poetikat dhe teatrologjitë, me rritjen e vetë kritikut në sprovat e tij intelektuale. Nëqoftëse dje ne shestonim përgjithësisht një kritikë të natyrës racionale, tejet cerebrale dhe të thatë, pa shpirt, me një aradhe citimesh nga Enveri dhe Ramizi si ombrellë mbrojtëse, sot lundrimi i kritikut është ku e ku më i shpenguar, thuajse krejt personal, duke aktivizuar saora qasjen, kulturën dhe subjektivitetin e tij të shprehur. Një kritikë e mirë nuk mund të bëjë dot pa emocionin e kritikut. Mund të thuhet se kritika është një bigëzim midis shkencës dhe letërsisë: as ashtu, as kështu, edhe ashtu edhe kështu. Po, e tillë është ajo, porse, nga ana tjetër, kur lexuesi ka në dorë, bie fjala, librin Tingull të Përparim Kabos dhe lundrimet e tij në filozofinë e veprave madhore që janë vënë në skenën e teatrit shqiptar, s’ka se si mos të lëvdoj atë fluks emocional që buron nga përjetimet e kritikut, nga mirësia dhe adhurimi, paçka se mbivendosjet estetike dhe filozofike bëhen si tejet të dukshme, ndërsa shfaqja konvertohet në pretekst për shpalosje të ideve dhe njohurive të tij. Ose kur lexon librin e parë në trajtë eseu të Mihal Luarasit mbi Teatrin Kombëtar, përtej logjikës së hekurt dhe argumentit që ai sjell për çka përfaqëson dhe çka duhet të jetë ky teatër, doemos që shquan edhe shqetësimin e tij si regjisor, si teatrolog dhe si njeri që e do teatrin, ku edhe ndërtoi jetën e vet, ushqeu pasionin dhe s’heq dorë as në vitet e mbrame, përkundrazi e çmon kritikën si mision. Ndërsa me librin Kujtesa që nuk fle, një ngrehinë e viteve të hershme kjo por edhe me shkrime të pasviteve ’90, ndjehet gjithpo ai patos i kritikut Luarasi dhe të vjen mirë për guximin dhe logjikën e tij. Libri i Mexhit Prençit Optikë alternative mbi dramën, veç argumenteve që sjell në çmitizimin e dramës së djeshme të realizmit socialist dhe logjikën e rivlerësimit të saj, së toku me disa modele moderniste që ofrohen prej dramës së lëvruar në Kosovë, ka gjithashtu një nerv që buit përbrenda tyre, ka edhe një mllef me të djeshmen, me dogmat, gënjeshtrat dhe mitet e rrejshme, sikurse edhe një dëshirë legjitime për të ofruar paradigma dramaturgjike të kohës.
Dhe një merak të fundit. U tha se kritikës i mungon institucionalizimi. Mungojnë botimet. Mungon shtypi profesionist, si dikur revista e përdymuajshme “Skena dhe ekrani”. Mungesa pra, e tribunës së rrahjes së mendimit estetik mbi teatrin është edhe kjo një nga shkaqet e prapambetjes së kritikës, këndej dhe andej kufirit. Botohet p.sh. në Kosovë revista Loja, dikur revistat Theatër dhe Ars poetika, por ato janë më fort paraqitje poetikash e parimesh teatrore nga autoritetet e mendimit botëror dhe fare-fare pak nga mendimi shqiptar. Kishte një revistë Qendra e Studimeve të Artit me titull Studime për artin, ku përfshiheshin edhe studimet e gjata për dramaturgjinë dhe teatrin shqiptar, për kinematografinë doemos, por fort e ngushtë hapësira e saj dhe si e harruar nga ritmi i shpejtë i kohës (dilte një herë në vit). Unë pyes: A s’mund të botojë vetë Teatri Kombëtar një revistë për teatrin shqiptar, me tre numëra në vit? Ose Akademia e Arteve për artet? “S’ka pare”, ja përgjigja që do të më jepej nga drejtorët gjegjës. Vijoj më tutje: Po një degë për dramaturgjinë dhe kritikën pse s’e hap vallë Akademia e Arteve? Një projekt është dorëzuar me kohë aty, ka humbur diku nëpër sirtarë, që s’hapen e s’hapen. Sakaq në Prishtinë ka një degë të tillë. Doemos nuk kemi luksin e vendeve të mëdha, por qasje me Maqedoninë fqinje mund të bëjmë.
VAZHDON DEBATI: A KEMI KRITIKË ARTI NË SHQIPËRI?
Tashmë edhe kritiku i njohur i arteve prof. dr. Josif Papagjoni është bërë pjesë e debatit tonë të hapur mbi kritikën letrare, megjithëse në shkrimin që Papagjoni ofron për botim, trajtohet jo vetëm kritika letrare por edhe më gjerë, kritika e teatrit, kinematografisë dhe arteve në përgjithësi. Për të gjithë kritikët që duan të reagojnë, shkrimtarët, poetët, studiuesit apo regjisorët dhe aktorët gazeta do të jetë e hapur për të botuar shkrimet dhe mendimet e tyre profesionale. Mund të dërgoni shkrimet tuaja në adresën e postës elektronike “petrikagrosi@yahoo.it” ose të kontaktoni me redaksinë e kulturës në numrin (0684056309).
2 Shtator 2009