E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji “Për titujt e pronësisë”, thellohet skandali me pronat

Ligjërohen tokat e pandara me Ligjin 7501 dhe tokat e marra padrejtësisht. Ja cilat janë kategoritë që penalizohen nga standardi i trefishtë i ligjit

Erald Kapri

Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese miratoi pak ditë më parë mes debate të shumta projektligjin “Për verifikimin e titujve të pronësisë të ndarë sipas Ligjit 7501”. Ky projektligj përcakton të drejta ligjore përtej titullit të tij. Specialistët dhe ish-pronarët e kanë cilësuar si një projektligj që përcakton një standard të dyfishtë për mënyrën e fitimit të një titulli pronësie të tokës bujqësore. Qëllimi i këtij projektligji, sipas Ministrisë së Bujqësisë, është verifikimi i titujve të pronësisë që janë ndarë sipas Ligjit 7501. Deri në këtë pikë ky projektligj nuk ka asgjë të pazakontë. Elementët e diskutueshëm të tij vijnë më poshtë kur ky projektligj citon se familjet që kanë marrë më shumë tokë seç u takonte me Ligjin 7501 dhe në qoftë se për atë copë tokë të tepërt nuk ka pretendime nga pronarë të tjerë, atëherë toka e marrë padrejtësisht do të ligjërohet. Kjo pjesë e këtij projektligjit është cilësuar nga deputetët e maxhorancës si një ligj që legalizon hajdutët e pronave. Ky standard nuk u pranua nga ish-pronarët. Gjithsesi, projektligji përcakton edhe një tjetër mënyrë se si fitohet titulli i pronësisë, i cili është krejt i kundërt nga i pari. Projektligji shprehet se “familjet fshatare ose individët, që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë në kufijtë e pretenduar prej tyre, si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes se tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë sipas procedurave të përcaktuara në Ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Me pak fjalë, çdo ish-pronar që nuk ka lejuar që toka e tij të ndahet me Ligjin 7501, mund t’i ligjërohet nëpërmjet Agjencisë së Pronave. Ky argument ligjor është në kundërshtim me Ligjin në fuqi 7501. Për më tej, projektligji i mësipërm ka përjashtuar nga këto standarde tokat në bregdet duke vendosur një standard të trefishtë në kundërshtim me dy të parat. Më morinë e ndryshimeve të shumta në komisionin parlamentar, Ministria e Bujqësisë ka paraqitur dhe një ndryshim tjetër, i cili sanksionon se çdo sipërfaqe tokë që i konfirmohet njohja e pronësisë, do t’i njihet dhe e drejta e kompensimit fizik për subjektet e shpronësuara nga agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe zyrat rajonale të saj. Projektligji do të ngrejë edhe një strukturë të tërë me komisione vendore, që do të kontrollojnë tokat bujqësore.
Krijimi i titujve të pronësisë
Ky projektligj ka si qëllim të vendosë kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore dhe strukturat shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Projektligji ka përcaktuar edhe mënyrën e përfitimit të pronësisë së tokës. Sipas projektligjit, kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë privatë mbi tokën sipërfaqet, që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastrale, në zërin “Tokë bujqësore”, dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar. Njëkohësisht titulli i pronësisë fitohet për ato sipërfaqe të tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë, deri në kohën e hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 8337, datë 30.4.1998, “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”. Pika e tretë që njeh një titull pronësie është për ato sipërfaqe të tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në Ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Një tjetër pikë e diskutueshme dhe që shihet si standard i dyfishtë është pika tre e këtij projektligji, i cili përcakton se familjet fshatare ose individët, që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë në kufijtë e pretenduar prej tyre, si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes se tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në Ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Sipas projektligjit, nuk mund të bëhet kërkesë për t’u pajisur me dokumentacion pronësie kur sipërfaqja e tokës së pretenduar u është dhënë më parë në pronësi personave të tjerë, në bazë të dispozitave të Ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar, dhe të Ligjit nr.8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.
Mosnjohja e titujve të pronësisë
Projektligji ka përcaktuar edhe bazën që nuk njeh titujt e pronësisë. Sipas neneve të tij, nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastrale në zërin “Tokë bujqësore” si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore, pas kësaj date. Projektligji është miratuar nga komisionet dhe pritet të kalojë në seancën parlamentare për t’u miratuar.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›