E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, hidhet poshtë kërkesa e Karaxhiçit për imunitet

Gjykata e Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë hodhi poshtë pretendetimet e ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç për imunitet, duke u shprehur se ai do të përballej me procesin gjyqësor edhe nëse një marrëveshje e tillë ekziston realisht.
Karaxhiç përballet me 11 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1992-'95 në Bosnjë, përfshi dy akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jougosllavisë, ndërkohë që ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.
I arrestuar vitin e kaluar dhe i sjellë përpara gjykatës së OKB-së, me seli në Hagë, pas 11 vjetësh arrati, ai ka kërkuar që të gjitha akuzat të tërhiqen duke deklaruar se ish-ndërmjetësi i amerikan për paqen, Richard Holbrooke, i kishte ofruar atij imunitet në vitin 1996, nëse largohej nga jeta publike, por Holbrooke e ka mohuar në mënyrë të ripërsëritur këtë pretendim.
Vendimi i sotëm nga pesë gjykatës të apelit konfirmoi vendimin e korrikut, ku u mohua përpjekja e Karaxhiçit për tërhqjen e akuzave kundër tij.
"Edhe nëse provohet se marrëveshja e hamendësuar ekziston realisht, nuk do të kufizonte juridiksionin e Gjykatës, nuk do të kishte asnjë efekt mbi veprimtarinë e Gjykatës dhe nuk ka asnjë mundësi për nxitjen e një doktrine për abuzim me procesin", deklaruan gjykatësit. Vendimi i apelit është përfundimtar dhe u jep fund përpjekjeve të Karaxhçit, i cili vetëpërfaqësohet, për mbylljen e çështjes me pretekstin e marrëveshjes me hamendësuar me përfaqësuesin amerikan Holbrooke. Por gjykata deklaroi se, edhe nëse Karaxhiç paraqet prova gjatë procesit gjyqësor për ekzistencën e një marrëveshjeje që i gartanton atij imunitet, kjo nuk do të ndryshonte asgjë dhe ai do të përballej me akuzat.
Fillimi i procesit gjyqësor kundër Karaxhiçit është parashikuar të jetë data 21 tetor, duke marrë në konsideratë se gjykata e apelit do të japë nesër një vendim në lidhje me një apelim tjetër të veçantë të bërë nga Karaxhiç, me qëllim vonimin e nisjes së procesit gjyqësor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›