E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB, apel Iranit kundër dënimeve me vdekje

Organizata e Kombeve të Bashkuara i bëri sot një apel Iranit kundër dënimeve me vdekje që janë dhënë disa ditë më parë nga drejtësia iraniane për katër protestues, të cilët u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në manifestimet antiqeveritare pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të qershorit.
Komisionerja e lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay i kërkoi Iranit t'u japë fund "një herë e përgjithmonë ekzekutimeve me vdekje për minorenët".
"Në bazë të së drejtës ndërkombëtare, dënimi me vdekje mund të zbatohet vetëm në rastet e krimeve mjaft të rënda, dhe vetëm me anë të gjyqeve plotësisht të paanshme", thuhet në një deklaratë të Pillay, që u publikua sot në Gjenevë.
Në deklaratën e saj, Pillay u shpreh mjaft e shqetësuar për ekzekutimin e të riut Behnoud Shojaie, që u dënua me vdekje për vrasjen e një bashkëmoshatari gjatë një zënke kur ishte vetëm 17 vjeç.
Në fund të deklaratës, komisionerja e lartë ritheksoi qëndrimin e saj kundër dënimit me vdekje dhe i bëri thirrje të gjitha qeverive në botë për të ratifikuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që daton në shkurt të vitit 2008 dhe që kërkon një moratorium mbi të gjitha ekzekutimet me synim heqjen e dënimit kapital.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›