Vrau në ‘97, kërkohet 18 vjet burg
BURREL- Prokuroria e Burrelit kërkoi dje 18 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997 në Klos të Matit. Pretenca kërkoi dënimin e mësipërm për Haxhi Voshin, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëfshatarit të tij, Ibrahim Sina. Ngjarja ishte mbuluar me mister dhe lënë në harresë nga organet e drejtësisë për 11 vjet.
Viktima ishte i martuar dy herë, ndërsa jetonte me të dyja gratë e tij. Të dyja gratë kanë deklaruar se teksa jepte shpirt, Ibrahimi ka shqiptuar: “Më vrau Haxhi Voshi”. Mësohet se viktima dhe autori ishin grindur në lidhje me spostimin e një shtylle elektrike nga një parcelë toke, për të cilën Voshi pretendonte se ishte pronë e tij. Pas sherrit me fjalë Voshi ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri ku ka vrarë Ibrahim Sinën. h.p