Konkurrenca, plagoset shoferi i autobusit
FIER - Konkurrenca në stacionin e autobusëve dhe furgonëve përfundoi me plagosjen e një 48-vjeçari. Drejtuesi i autobusit të linjës Lushnjë–Sarandë, Besnik Muça është ndaluar mëngjesin e djeshëm për të zbritur disa pasagjerë në Rotondon pranë kishës së Fierit. Por drejtuesi i njërit prej furgonëve, Hito Mema e ka akuzuar atë se po i merrte pasagjerët. Gjatë konfliktit mes dy drejtuesve të mjeteve, në vendngjarje është ndodhur edhe djali i Memës, Elio Mema. Ai është afruar dhe ka qëlluar me thikë në bark 48-vjeçarin. Policia ndaloi Hito dhe Elio Memën. Pasagjerët e autobusit përjetuan momente tmerri, ndërsa shoferi u çua menjëherë në spital. “Më kërkoi llogari për pasagjerët. Unë i thashë se po i zbrisja dhe nuk i mora pasagjerë. Por ai lajmëroi djalin, i cili më goditi me thikë”, u shpreh dje i plagosuri. m.r