E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, 3 shtetet e radhës argumentojnë qëndrimet për Kosovën



Blerina Olldashi

Austria ka mbrojtur pavarësinë e Kosovës në seancën e radhës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e cilësuar atë si akt të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare. Ndërkohë Azerbajxhani dhe Bjellorusia e kanë kundërshtuar shtetin e ri, duke thënë se krijimi i tij është në kundërshtim me këtë të drejtë. Seancën e djeshme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, e ka hapur Austria, ambasadori i së cilës, Helmut Tiki, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është mbështetur tërësisht në të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
“E drejta ndërkombëtare nuk përmban dispozita që ndalojnë shpalljen e pavarësisë”,- ka thënë përfaqësuesi austriak, për të shtuar se “shpallja e pavarësisë është bërë nga të zgjedhurit në rrugë diplomatike të Kosovës dhe jo nga institucionet e përkohshme”. Ai gjithashtu ka thënë se nuk ka kontradikta ndërmjet integritetit territorial dhe shpalljes së pavarësisë. Për të ilustruar këtë, Helmut Tiki ka thënë se “nga fillimi i viteve ’90, deklarata të pavarësisë kanë bërë edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia dhe kjo nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare”. Duke folur gjithnjë mbi të drejtën ndërkombëtare, ambasadori Tiki se “njohja e Kosovës nga 63 vende dhe vendet fqinje dëshmon se shpallja e pavarësisë ishte konform normave ndërkombëtare”. Në këtë kuadër, Austria ka ftuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të konstatojë se “shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”. Në radhët e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, fillimisht u rreshtua Azerbajxhani. Ambasadori i këtij vendi, Agshin Mahdijev, tha se “vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare do të ketë ndikim të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Sipas tij, “shpallja e pavarësisë nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”. “Ndarja gjithmonë ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare, nëse nuk është realizuar me marrëveshje”,- ka thënë përfaqësuesi i Azerbajxhanit, Agshin Mehdijev. Duke pohuar se “fakti që e drejta ndërkombëtare nuk e sanksionon çështjen e ndarjes”, zoti Mahdijev ka thënë se “kjo nuk do të thotë që ajo të legjitimohet”. Përfaqësuesi i Azerbajxhanit, në anën tjetër, ka “kontestuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje”, duke thënë se “ajo nuk i takon çdo populli ose pakice, por vetëm disave që përmbushin disa veçori të caktuara politike”. Edhe Bjellorusia, vendi i fundit në paraqitjet e djeshme, kishte qëndrim të ngjashëm me Azerbajxhanin. Përfaqësuesja e saj, Elena Grickenko, fillimisht ka thënë se “GJND-ja është kompetente dhe e thirrur për të dhënë mendim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.
Ajo u është referuar dokumenteve të Kombeve të Bashkuara dhe Kartës së Helsinkit, më saktësisht paragrafëve që kërkojnë respektimin e integritetit territorial.

Kosovë
Marrëveshje me Maqedoninë kundër krimit

Autoritetet kosovare dhe ato maqedonase kanë nënshkruar një marrëveshje që parashikon luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Marrëveshja u nënshkrua në Prishtinë nga ministri i Brendshëm Zenun Pajaziti dhe homologia e tij maqedonase Gordana Jankulovska. Në fjalën e tij Pajaziti vlerësoi se me marrëveshjen, Kosova dhe Maqedonia kanë treguar një forcim të marrëdhënieve dypalëshe. Ndërsa Jankulovska theksoi se lufta kundër krimit dhe terrorizmit janë dy nga detyrimet kryesore për të dyja shtetet në rrugën drejt BE-së.

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›