E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike, 500 bashkëshortë në prag divorci, pjesë e skemës



Jonida Tashi

Bashkëshortët që janë në prag të zgjidhjes së martesës së tyre dhe gjenden në vështirësi financiare, do të bëhen pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Përfshirja e kësaj kategorie në kwtw skemë, do të bëhet fill pas miratimit të projektligjit të ri, që Ministria e Punës ka depozituar në qeveri. Konkretisht, në projektligjin e ri “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, Ministria e Punës ka parashikuar edhe mbështetjen e atyre familjeve, ku bashkëshortët janë në proces zgjidhje martese, duke ju garantuar pwr herw tw parw mbështetje me ndihmë ekonomike. Numri i rasteve të propozuar për të përfituar ndihmë ekonomike për bashkëshortët në prag divorci është 500, ndërsa efekti financiar për mbulimin e pagesave që ata do të marrin nga shteti kap shifrën 12 milionë lekë në vit.
Raporti
Përveç bashkëshortëve në prag të ndarjes, që do të përfshihen për herë të parë në skemën e ndihmës ekonomike, Ministria e Punës ka parashikuar edhe disa kategori të tjera, që do të bëhen po rishtazi pjesë e saj. Raporti vlerësues për projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për propozimin e projektligjit për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 9355, datë, 10.03.2005, ‘Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore’( 1 ndryshuar)”, evidenton se sa do të jetë numri i përfituesve, për kategoritë e reja që do t’i shtohen skemës së ndihmës. Sipas konstatimit të raportit vlerësues, në procesin e zbatimit të Ligjit Nr.9355 datë 10.03.2005 dhe reformimit të sistemit të mbrojtjes shoqërorë janë evidentuar disa probleme që kërkojnë përmirësime në lidhje me: zgjerimin e grupeve përfituese; administrimin e shërbimeve sociale në nivel qendror; sigurimin e përfshirjes sociale dhe mosdiskriminimin ë individëve dhe grupeve në nevojë; krijimin e shërbimit të kujdestarisë së fëmijëve në familje si shërbim i ri alternativ për këtë kategori sociale etj. Për garantimin e përfshirjes së grupeve si përfitues të ndihmës ekonomike në projektligj janë shtuar dy kategori të reja përfituesish të ndihmës ekonomike që janë: jetimët, të cilët nuk janë në institucione; viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror; viktimat e dhunës në familje. Kostoja financiare për trajtimin e këtyre grupeve në programin e ndihmës ekonomikë llogaritet rreth 58 milionë lekë për rreth 800 persona jetim dhe rreth 400 persona viktima të trafikut. Po ashtu në projektligjin e ri të Ministrisë së Punës propozohet që të gjithë grupet e personave me aftësi të kufizuar, para dhe tetraplegjik, mendorët, fizikë, për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar, të vlerësohen nga një komision i veçantë (Komisioni i Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar (KVAK), i cili do të jetë pranë Shërbimit Social Shtetëror. Ky përmirësim do të bëjë të mundur rritjen e cilësisë së vlerësimit të aftësisë së kufizuar, duke përfshirë dhe elemente social dhe integrues në procesin e vlerësimit të kësaj kategorie. Kostoja e këtij riorganizimi është rreth 95.7 milion lekë në vit. Kjo kosto aktualisht është pjesë e buxhetit të Komisionit të Caktimit të Paaftësisë (KMCAP) në vartësi të ISSH-së. Me këtë ndryshim, këto fonde duhet të akordohen për Shërbimin Social Shtetëror, i cili merr kështu edhe përgjegjësitë e vlerësimit.
Të favorizuarit
Për mbështetjen e grupeve në nevojë në projektligjin e propozuar, favorizohen fëmijët dhe gratë në procesin e llogaritjes së përfitimit të ndihmës ekonomike. Grupet e favorizuara përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljarë: njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së të dy prindërve; njërin nga fëmijët, kur njëri prej prindërve është dënuar për vepra penale; njërin nga fëmijët, kur një prind i është hequr e drejta prindërore më vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; ose kanë si kryefamiljarë nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton etj. Kostoja financiare për mbulimin e nevojave për përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike të këtyre kategorive sociale është rreth 90 milionë lekë në vit, ndërsa numri total i përfituesve 2500 familje. Në projektligjin e ri të depozituara tashmë në qeveri, Ministria e Punës propozon edhe riformulimin e nenit 10, të ligjit aktual, ku bëhet fjalë për formën e dhënies së ndihmës ekonomike. Në projektligj përcaktohet se “Ndihma ekonomike është një pagesë e përkohshme e kushtëzuar, që jepet në formën e një kësti mujor, në lekë, ose përfitimi mujor në natyrë, për kategoritë e përcaktuara në nenin 5, të këtij ligji”. Po ashtu, në këtë nen përcaktohet se “Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta nxjerr udhëzim për mënyrën e përllogaritjes së masës së ndihmës ekonomike. Ky rregullim do të krijoj mundësinë për të administruar më mirë skemën e ndihmës ekonomike, për të përcaktuar kohëzgjatjen e familjeve në skemë etj”.

Shërbimi i kujdestarisë, procedurat i kalojnë Këshillit të Ministrave

Ministria e punës propozon në projektligjin e ri që shërbimi i kujdestarisë të riorganizohet, duke i kaluar kështu edhe një pjesë të përgjegjësisë vetë Këshillit të Ministrave. Sipas hartuesve të projektligjit, në këtë dokument plotësohen hapësirat e nevojshme ligjore për organizimin e shërbimit të kujdestarisë për fëmijët si një shërbim i ri alternativ. Për këtë arsye, Ministria e Punës propozon që: “Kriteret, dokumentacioni, procedura dhe masa e financimit të shërbimit të kujdestarisë të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ministri i Punës, do të ketë për detyrë që të nxjerri udhëzimin për procedurat dhe zbatimin e standardeve të shërbimeve”. Sipas raportit vlerësues të projektligjit të ri, kostoja financiare për organizimin e shërbimit të kujdestarisë në tre vitet e para në përputhje me një projekt-pilot në rrethet Tiranë dhe Shkodër, llogaritet rreth 10 milionë lekë çdo vit. Më pas zgjerimi i këtij shërbimi do të kërkojë kosto të tjera shtesë.

Grupet që do të favorizohen gjatë procesit të llogaritjes, për përfitimin e ndihmës ekonomike

Grupet e favorizuara në projektligj përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë:
Kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së dy prindërve;
Kanë si kryefamiljarë njërin nga fëmijët, kur njëri prej prindërve është duke vuajtur dënimin me burgim për vepra penale ose kundërvajtje penalë me vendim të formës së prerë të gjykatës, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton;
Kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur njërit prind i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton;
Kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizikë e mendorë, paraplegjik dhe tetraplegjik ose invalid pune dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë punë, të cilët nuk përfitojnë pension;
Kanë si kryefamiljarë nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension;
Kanë si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë dhe persona mbi moshë pune, pavarësisht nga të ardhurat nga pensioni apo toka;
Janë familje të ngujuara si pasojë e gjakmarrjes;
Janë familje nën nivelin e varfërisë, sipas listës së përcaktuar në aktet nënligjore përkatëse.

Kostoja financiare për kategoritë e reja
Jetimët: 800 raste x 3.000 lekë në muaj x 12 muaj = 29 milionë lekë
Viktimat e trafikut: 400 persona x 3.000 lekë në muaj x 12 muaj = 15 milion lekë
Viktimat e dhunës: 377 x 3.000 lekë në muaj x 12 muaj = 13.6 milion lekë
Kategoritë e reja: 2500 familje x 3.000 lekë x 12 muaj = 90 milionë lekë

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›