Hapet Instituti i Studimeve Evropiane, miratohen masterat që do të ofrohen
Hapet Instituti i Studimeve Evropiane, si njësi kryesore, ndërfakultetore, në Universitetin e Tiranës. Vendimi për hapjen e këtij Instituti është marrë dje nga Këshilli i Ministrave. Instituti i Studimeve Evropiane (ISE), ka për mision: organizimin e veprimtarive kërkimore-shkencore dhe të zhvillimit; organizimin dhe ofrimin e programeve të studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë; ofrimin e shërbimeve për të tretë dhe konsulenca në fushën e studimeve evropiane. Po ashtu, Instituti i Studimeve Evropiane ka si qëllim të veprimtarisë të tij përgatitjen dhe formimin e vazhduar të specialistëve shqiptarë, në kuadër të proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Njësitë bazë të Institutit të Studimeve Evropiane janë departamentet, si më poshtë vijon: “Politika dhe qeverisje”; “Diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”; “Legjislacioni dhe institucionet evropiane”. Pas miratimit të hapjes së Institutit të Studimeve Evropiane, qeveria ka vendosur edhe masterat që do të ndiqen pranë tij, duke filluar që nga ky vit akademik. Këshilli i Ministrave ka iratuar hapjen e programeve të studimit, të ciklit të tretë, “Master i Nivelit të Dytë”, në Institutin e Studimeve Evropiane, në: “Legjislacion dhe institucionet evropiane”; “Politika dhe qeverisja në Evropë”: “Diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Bashkimit Evropian (BE)”.
Kuotat e pranimit
Legjislacion dhe institucionet evropiane 30 kuota
Politika dhe qeverisja në Evropë 30 kuota
Diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Bashkimit Evropian 30 kuota
Tarifa
Tarifa e shkollimit është 100 mijë lekë
Fakulteti i Infermierisë, miratohen pesë Diploma të Nivelit të Dytë
Miratohen pesë Diploma të Nivelit të Dytë për Fakultetin e Infermierisë pranë Universitetit të Tiranës. Konkretisht, qeveria ka miratuar dje programet e studimit, të ciklit të dytë, në: “Infermieri”; “Teknik laboratori”; “Fizioterapi”; “Teknik imazherie”; “Mami”. Në përfundim këtyre programeve të studimit lëshohet “Diplomë e Nivelit të Dytë”, DND, në drejtimin e caktuar. Programet e studimit të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është dy vite akademike.
Kuotat e pranimit
Infermieri 100
Teknik laboratori 25
Fizioterapi 25
Teknik imazherie 25 Mami 25
Kuota e pranimit, për programe të dyta studimi:
Infermieri 10 Teknik laboratori 3 Fizioterapi 3
Tarifat e studimit
Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në këto programe studimi, për vitin akademik 2009-2010, do të jetë:
Infermieri 100 000 lekë
Teknik laboratori 100 000 lekë
Fizioterapi 100 000 lekë
Teknik imazherie 100 000 lekë
Mami 100 000 lekë
Tarifa për studentët, për programe të dyta studimi, të ciklit të dytë:
Infermieri 200 000 lekë
Teknik laboratori 200 000 lekë
Fizioterapi 200 000 lekë
Teknik imazherie 200 000 lekë
Mami 200 000 lekë
Politekniku
Hapet doktoratura në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike
Hapet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të Universitetit Politeknik të Tiranës, Doktoratura në “Inxhinieri mekanike”. Ky program studimi do të ofrohet në dy profile: Inxhinieri mekanike, në përfundim të të cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Inxhinieri Mekanike” dhe Inxhinieri materiale, në përfundim të së cilës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor (Dr.) në Inxhinieri Mekanike”, me profil inxhinieri materiale. Kuota e pranimit në këtë program studimi, për vitin 2009, është 14. Kurse tarifa e shkollimit, për këtë program të plotë studimi, është 200 mijë lekë, e cila likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.
4 Dhjetor 2009