Kastro: SHBA, fajtore për tensionet me Iranin dhe Korenë e Veriut
Lideri i njohur karizmatik kubanez, Fidel Kastro pas katër vitesh ka kryer një nga të paktat dalje publike që ka shkaktuar shumë zhurme për shkak edhe të përmbajtjes së deklaratave.
"SHBA po bëjnë hapa përpara në atë që në të ardhmen do të kthehet në një luftë bërthamore me Korenë e Veriut dhe Iranin." - është shprehur lideri kubanez gjatë intervistës së tij të rrallë televizive e shfaqur ditën e hënë në televizionin kubanez.
Kastro në fjalën e tij fajësoi SHBA-në dhe jo Korenë e Veriut për mbytjen e anijes koreano-jugore ku gjetën vdekjen 46 marinarë. Sipas tij incidenti u orkestruar për të hapur një konflikt në rajon.
"Irani ka marrë masat për të përballuar një përplasje prej 30 vjetësh. Nëse SHBA vendos të sulmojë atje do të përballet me një rezistencë aspak të ngjashme me Irakun. Një luftë e tillë nuk mund të shmanget nga përdorimi i armëve bërthamore", përfundon Kastro intervistën e tij prej rreth 60 minuta. Daljet e liderit revolucionar kubanez kanë qenë shumë të pakta këto vitet e fundit. I vetmi lider botëror i cili ka pasur akses të plotë ka qenë presidenti venezuelian, Hugo Chavez, i cili në vitin 2007 pati paraqitur në publik disa filmime ekskluzive nga jeta e Castros, tashmë si një pacient i thjeshtë.