Kosova nuk kërkon bashkim për sa kohë Hoxha është sëmurë
Autori i Lajmit: Androkli DraloBeograd, 2 prill 1981 – Autoritetet komuniste jugosllave morën masa emergjente sot në përpjekje për të shtypur shqetësimet e vazhdueshme mes minoritetit më të ndjeshëm politik të vendit, atij etnik shqiptar. Përplasjet serioze mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë në provincën e Kosovës, e cila kufizohet me Shqipërinë janë shkaktari i krizës së parë jugosllave që prej vdekjes së presidentit Tito, 11 muaj më parë. Shqetësimet e mbledhura arritën pikën maksimale ditën e djeshme, kur sipas burimeve zyrtare, dhjetëra persona mbetën të plagosur, ndërsa policia lëshonte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën prej 10 mijë protestuesish që marshonin përmes kryeqytetit të provincës, Prishtinës. Nën masat e reja të gjendjes së jashtëzakonshme, të gjitha tubimet publike dhe lëvizjet e “grupeve të njerëzve” ndalohen në provincën, e cila është dhe rajoni më i varfër i Jugosllavisë. Njësitë e armatosura janë thirrur për të mbrojtur ndërtesat publike, përfshirë dhe burgun e qytetit të Prishtinës, i cili ishte shënjestra e marshimit të djeshëm. Protestuesit, të cilët përfshinin studentë të universitetit dhe minatorë, kërkonin lirimin e personave të arrestuar për shkak të trazirave të muajit të shkuar. Zyrtarët thanë se protestuesit, disa prej të cilëve dhe të armatosur, kishin qëlluar në drejtim të policisë dhe kishin shfrytëzuar fëmijët si mburojë për ta bërë më të vështirë punën e shërbimeve sekrete për të shtypur protestën. Kosova është konsideruar për një kohë të gjatë si një nga pikat e dobëta të periudhës posttitiste të Jugosllavisë, për shkak të prapambetjes ekonomike mes shqiptarëve etnikë të provincës dhe atyre serbë. Kjo demonstratë vjen vite pas asaj që shqiptarët një milionësh të Kosovës e konsiderojnë shtypje të elitës serbe, e cila shpërtheu për herë të fundit në vitin 1968 kur protestat e dhunshme u shtypën nga ushtria. Gjatë një transmetimi mbarëkombëtar televiziv, presidenti i Kosovës, Xhavit Nimani, akuzoi se protestuesit ishin manipuluar nga “forcat armike”, të cilat kërkonin të shkatërronin Jugosllavinë, një shtet federal i përbërë nga grupe të ndryshme kombëtare. Disa nga demonstruesit thuhet se brohoritën slogane që kërkonin bashkimin me Shqipërinë, vendin fqinj luftarak komunist, por kërkesat kryesore ishin që Kosova të fitonte statusin e një republike, dhe jo atë të provincës që ka aktualisht. Një faktor pengues për këtë është sëmundja serioze e udhëheqësit të izoluar shqiptar, Enver Hoxhës, 72 vjeç, i cili arriti të shkëputej nga dominimi sovjetik në vitin 1961. Një nga skenarët e vështirë të Jugosllavisë posttitiste është dhe fakti që Kremlini do të rifitojë disi kontrollin mbi Shqipërinë pas vdekjes së Hoxhës dhe do të nxisë trazira mes minoritetit shqiptar këtu. Raundi më i fundit i shqetësimeve nisi më 11 mars, kur rreth 2 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës u rebeluan kundër kushteve të vështira të jetesës dhe pabarazisë. Por këto protesta u shtypën nga policia dhe pakënaqësia tashmë është përhapur dhe në pjesë të tjera të popullsisë dhe provincës. Shumë incidente janë raportuar në shumë qytete të Kosovës këto tri javët e fundit, përfshirë Pejën, ku mensa e një manastiri serb u dogj në rrethana shumë misterioze. Kjo krijoi rrezikun e një kundërreagimi mes serbëve, që përbëjnë popullsinë më të madhe të Jugosllavisë, dhe për të cilët patriarkati e Pejës ka një rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe emocionale. Të marra të gjitha së bashku, ngjarjet e fundit reflektojnë dy problemet më të rënda që do përballen pasardhësit e Titos: Dallimet etnike në këtë shtet kompleks multietnik dhe një krize gjithnjë e më serioze ekonomike. Inflacioni ka shkuar deri në 40 për qind, 800 mijë persona nga 22 milionë të tillë janë të papunë dhe Jugosllavia është zhytur në borxhe të mëdha. Problemet ekonomike shfaqen kryesisht në provincat e varfra si Kosova, pavarësisht një programi të një shkalle të gjerë investimesh ndërmarrë këto 10 vitet e fundit. Një frikë e liderëve jugosllavë është se vështirësitë ekonomike në pjesët më pak të zhvilluara të vendit do të jenë shkaku i një tensioni të ri politik. Në mendje të vjen menjëherë krahasimi me Poloninë, megjithatë, Jugosllavia është shumë ndryshe. Përbërja e saj multikombëtare parandalon virtualisht një protestë masive të një populli të bashkuar ashtu siç ndodhi në Poloni. Titoja, gjatë sundimi të tij 35-vjeçar, shquhej për vendosjen e shteteve kundër njëri-tjetrit. Për më tepër, në Jugosllavi ka më shumë mundësi për tensione se sa në Poloni. Populli jugosllav është i lirë të udhëtojë jashtë shtetit dhe deri në një farë pike u lejohet edhe të jenë pjesë e vendimmarrjes politike dhe ekonomike përmes sistemit të vetëmenaxhimit të punëtorëve. E pavarësisht kësaj, shqetësimet e fundit përfaqësojnë trazirat më serioze etnike që kanë shpërthyer në Jugosllavi prej një dekade. Në transmetimin e tij televiziv, presidenti Nimani, tha se autoritetet ishin të vendosura për të përdorur të gjitha mjetet e nevojshme për të ruajtur rendin publik. Një deklaratë e lëshuar nga Ministria e Brendshme e Kosovës tha se masat e gjendjes së jashtëzakonshme do të mbeteshin në fuqi “për sa kohë vazhdon që situata të jetë e tillë”. Njësitë rezerviste tokësore, të cilat zakonisht mendohet se shërbejnë kundër armikut të jashtëm, janë mobilizuar për të ndihmuar policinë dhe shërbimet sekrete. Zyrtarët thanë se takimet e tyre mbaheshin në fabrika në të gjithë Kosovën për të mbledhur mbështetjen dhe qëndrimin e vendosur të autoriteteve. Degët e Partisë lokale Komuniste i kanë dërguar telegrame lidershipit të përbashkët jugosllav ku dënojnë trazirat e fundit dhe premtojnë besnikërinë e tyre. Javën e shkuar zyrtarët thanë se 21 studentë u arrestuan për shkak të pushtimit 24-orësh që i kishin bërë Universitetit të Prishtinës. Ky shpërthim koincidoi dhe me kremtimet e përvjetorit të lindjes së Titos nga një grup të rinjsh. Kjo ngjarje e përvitshme ka për qëllim të shfaqë unitetin dhe vëllazërinë mes sllavëve të rinj të të gjitha vendeve të federatës.
Ky lajm është publikuar: 22/01/2010