E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet, Prokuroria: U dogj transformatori, nuk ka të akuzuar

Autori i Lajmit: Redaksia
Skandali në stadiumin kombëtar ”Qemal Stafa” në Tiranë ka lënë pas një shije aspak të mirë, ndërkohë që janë angazhuar si asnjëherë më parë strukturat e rendit dhe të prokurorisë për hetimin e saj.
Kabina elektrike është kontrolluar imtësisht që mbrëmë deri sot në mesditë, por burime jo zyrtare pranë Prokurorisë bëjnë të ditur se konkluzioni i hetimeve do të jetë ai i defektit për shkak të djegies së transformatorit. Pa të akuzuar konkretë.
Grupi i hetimit
Një grup hetimor po heton skandalin e ndërprerjes së energjisë për 85 minuta teksa luhej ndeshja Gramozi- Real Madrid në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Policia e kryeqytetit konfirmoi dje se janë shoqëruar 25 persona për tu marrë në pyetje për rrethanat e ngjarjes. Mes të shoqëruarve ishin pjesëtarë të stafit të mirëmbajtjes së stadiumit, por edhe punonjës të OSSH-së. Grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, ekspertë kriminalistë dhe ekspertë të tjerë, i cili po kryen hetimet e nevojshme në vendin e ngjarjes. Një grup i dytë është dërguar sërish dje, për të larguar çdo dyshim që mund të kemi të bëjmë me një akt të qëllimshëm. Policia ka sekuestruar të gjitha informacionet përkatëse të korrespondencës mbi organizimin e kësaj ndeshjeje. Pista kryesore e hetimit është ajo e ndërprerjes së energjisë për shkak të një defekti në transformator i ardhur nga mbingarkesa.
Shkarkohet Dhales, vjen Sallaku
Gazmend Sallaku është drejtori i ri shoqërisë aksionere që administron stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Lajmin e bëri të ditur këshilltari i ministrit të Sporteve, Indrit Fortuzi. Sallaku, një ish-futbollist i Dinamos, do të zëvendësojë ish-futbollistin e Tiranës, Perikli Dhales, të shkarkuar pas incidentit të ndodhur të mërkurën në impiantin ndërkombëtar gjatë takimit miqësor ndërkombëtar Gramozi i Ersekës – Real Madrid, ku për 90 minuta u ndërpre energjia elektrike në katër kullat ndriçuese për shkak të djegies së transformatorit. Drejtori i ri i stadiumit “Qemal Stafa” pohoi se ka ardhur koha të ristrukturohet stadiumi dhe se ai do të bashkëpunojë ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Ndeshja
Gjithçka në ndeshje filloi në mënyrën më të mirë të mundshme, yjet e Realit së bashku me lojtarët e Gramozit mbajtën një minutë heshtje në shenjë respekti ndaj të madhit Panajot Pano. Xhafa shënoi që në minutën e dytë, duke kaluar Gramozin në avantazh duke shtuar spektaklin e asaj mbrëmjeje, por momenti i rifillimit të pjesës së dytë rrëzoi gjithçka. Galaktikët, të befasuar ashtu si dhe e gjithë tifozeria, nxituan për tu futur brenda me fikjen e prozhektorëve, duke lënë të mbizotëronte kaosi dhe turpi në Qemal Stafa. Zgjati aq sa edhe vetë ndeshja, pritja në errësirë të plotë, duke hedhur poshtë të gjithë atë atmosferë të krijuar nga prania e disa prej lojtarëve më të mirë në botë. Ministri i Sporteve, Ferdinand Xhaferri, i cili ka shkarkuar drejtorin Perikli Dhales, e ka zyrtarizuar vendimin një ditë më pas.

Ky lajm është publikuar: 22/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›