E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta-Lajçak: “Liberalizimi i vizave, brenda vitit”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, dhe homologu i tij sllovak, Miroslav Lajçak, kanë njoftuar hapjen e ambasadës sllovake ditën e nesërme në Tiranë. Shefi i diplomacisë shqiptare, Meta, garantoi se edhe Shqipëria do të ketë brenda këtij viti ambasadën e saj në Bratislavë. Ministri i Jashtëm sllovak, Lajçak, pohoi se Sllovakia mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE. "Unë përgëzova Metën për përparimin që ka arritur në rrugën drejt BE-së. Shpresojmë që Shqipëria brenda një kohe të shkurtër do të dërgojë pyetësorin në KE", - shtoi ai. Shefi i diplomacisë sllovake nënvizoi se vendi i tij mbështet heqjen e vizave duke pohuar se liberalizimi i vizave për shqiptarët do të realizohet brenda këtij viti. Shefi i diplomacisë shqiptare, Meta, falënderoi zotin Lajçak për mbështetjen që Sllovakia ka dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por edhe për hyrjen në BE dhe heqjen e vizave. Meta vlerësoi se 2010 do të jetë një vit historik për marrëdhëniet mes dy vendeve. Lajçak tha në fjalën e tij se do të thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve. Ai theksoi se Sllovakia ka mirëpritur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë konferencës së përbashkët Meta u shpreh se vizita e homologut të tij sllovak është shumë e rëndësishme për një kapitull të ri marrëdhëniesh, duke filluar nga përurimi i ambasadës sllovake ditën e nesërme. Ai nënvizoi se brenda këtij viti edhe Shqipëria do të ketë ambasadën e vet në Bratislavë. Ministri i Jashtëm sllovak në lidhje me çështjen e Kosovës, u shpreh se qëndrimi i Bratislavës zyrtare është i njëjtë dhe nuk do të ndryshojë. Po dje, ministri i Jashtëm sllovak është takuar dhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryeparlamentarja mori garanci të plotë për mbështetjen e Sllovakisë ndaj Shqipërisë në përshpejtimin e proceseve integruese në Bashkimin Evropian. “E kam vizituar Shqipërinë në vitin 2005 dhe progresi që shoh sot është mbresëlënës”, - tha zoti Lajçak. Në këtë kontekst, Sllovakia e konsideron të rëndësishëm intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me Shqipërinë me një tregues konkret të vizitës sime - përurimi i ambasadës sllovake në Tiranë. Gjithashtu, ai vlerësoi Shqipërinë si faktor konstruktiv në rajon. Ministri sllovak u shpreh mjaft i impresionuar nga ecuria dinamike në plotësimin e pyetësorit nga autoritetet shqiptare. Duke u ndalur në bojkotin e opozitës në Parlament, ministri Sllovak vuri në dukje se vota demokratike ka krijuar institucionin e OSBE/ODHIR si vlerësues të zgjedhjeve, si gjykim përfundimtar sipas të cilit zgjedhjet e fundit në Shqipëri përmbushën standardet e kërkuara. Lajçak ftoi Kryetaren e Kuvendit për të vizituar Sllovakinë, ndërkohë që zonja Topalli i kërkoi zotit Lajçak t’i përcjellë nga ana e saj të njëjtën ftesë homologut të saj sllovak.
Ky lajm është publikuar: 22/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›