E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësi i Air Sllovakia nën hetim për dokumente false

Autori i Lajmit: Redaksia
Ekuipazhi i Air Sllovakia ndalohet në Rinas dhe njëri prej punonjësve të kësaj kompanie, (e përfshirë ditët e fundit në incidentet me defektët e avionëve), është kapur me dokumente false.
Personeli ka mbetur në Shqipëri për shkaqe të paqarta, ndërsa disa prej punonjësve të kompanisë “Air Sllovakia”, janë larguar nga vendi ynë. Lajmi është bërë i ditur nga media sllovake. Agjencia “SME.sk”. Po duke iu referuar të njëjtit burim, gjashtë punonjës kanë mbërritur të mërkurën në Bratislavë, ndërkohë që pjesa tjetër do të nisej dje, por nuk kishte informacion. Ata kishin tri ditë që po prisnin që të largoheshin nga Shqipëria, me qëllim që të iknin në banesat e tyre. Ndërkaq që një nga anëtarët e ekuipazhit është mbajtur në Shqipëri, pasi kishte dokumente të falsifikuara. Lajmi është konfirmuar dhe nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës. Këta të fundit kanë bërë të ditur se, një nga punonjësit e “Air Sllovakia” është gjetur me dokumente të falsifikuara në momentin kur ata po bëheshin gati që të iknin në drejtim të Sllovakisë. Ndërkaq që pjesa tjetër e ekuipazhit është larguar nga vendi ynë, së bashku me punëtorin e vënë nën hetim, kanë mbetur dhe dy të tjerë.
Sllovakia: Të mos ekzagjerohet
Ministri i Jashtëm sllovak Lajcek në takimin e tij dje në Tiranë me Ministrin e Jashtëm Ilir Meta ka shprehur qëndrimin e tij edhe në lidhje me incidentin e ndodhur ditën e diel, me avionin e kompanisë Albania Airlines, i cili ndryshoi destinacionin nga Bolonja duke çuar në Bratislavë 110 pasagjerë shqiptarë. Sipas kreut sllovak, ky incident nuk duhet të ekzagjerohet nga autoritetet shqiptare deri në zbardhjen e plotë të provave. “Është e vërtetë se kjo çështje ka tërhequr një vëmendje të veçantë, por kërkoj që të mos ekzagjerohet pa pasur prova nga autoritetet shqiptare. Theksoj se kjo nuk është një çështje mes dy vendeve tona, por një incident mes dy kompanive”- deklaroi ministri i Jashtëm sllovak gjatë takimit me homologun e tij shqiptar Metën. Ndërsa vetë ministri ynë i Jashtëm, Ilir Meta i pyetur në lidhje me incidentin e avionit të kompanisë Albanian Airlines, u shpreh se ky ishte një veprim i dënueshëm por thekson se, incidenti është një çështje mes dy kompanive dhe nuk lidhet me marrëdhëniet midis dy shteteve. “Veprimi i ekuipazhit të avionit ishte i dënueshëm por një incident i tillë nuk ndikon në marrëdhëniet mes shteteve, theksoj se incidenti është mes dy kompanive, kjo çështje po ndiqet dhe do ketë vëmendjen tonë deri në zbardhjen e plotë të saj” u shpreh Meta.
Fluturimi u shty dhe një orë
Fluturimi i kompanisë Albanian Airlines, Tiranë-Torino është shtyrë edhe një orë tjetër. Të 100 pasagjerët të cilët u detyruan të ktheheshin në banesat e tyre pas një aventure jo të këndshme ditën e djeshme, janë telefonuar nga kompania e cila ka komunikuar se fluturimi do të bëhej dje në orën 14:00. Por më vonë u mësua se kompania lajmëroi se fluturimi Tiranë-Torino është shtyrë për në orën 17:00. Kështu, pasagjerët janë detyruar për të pritur dhe një orë deri në nisjen drejt destinacionit, Torinos.
Ky lajm është publikuar: 22/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›