Haiti, bilanci i viktimave pritet të shkojë në 100 mijë
Bilanci i të vdekurve nga tërmeti në Haiti mund të shkojë në rreth 100 mijë, ndërkohë që shumë vende kanë filluar të dërgojnë ndihmat e para. Në Haiti, në malet me rrënoja të qytetit të shkatërruar Port au Prince, gjendja është kaotike. E gjithë përmasa e katastrofës është akoma e paqartë. Vlerësimet e para flasin për disa dhjetëra mijëra viktima. Njoftohet akoma për kufoma, që gjenden rrugëve. Për të plagosurit e panumërt nuk ka ndihmë mjekësore. Uji i pijshëm dhe ushqimet janë të pakta. Meqenëse mungojnë makineritë e duhura, kërkimi i të mbuluarve nga rrënojat ecën shumë ngadalë. Sipas Kryqit të Kuq, tri milionë vetë kanë nevojë për ndihmë urgjente. Për njësitë e shpëtimit nga e gjithë bota, hyrja në zonën e katastrofës bëhet gjithnjë e më e vështirë, për arsye se aeroporti i Haitit është vetëm pjesërisht në funksionim. Në garë me kohën ndihmësit përpiqen të arrijnë në zonën e tërmetit përmes Republikës Dominikane fqinje. Ndihmat ndërkombëtare kanë filluar të mbërrijnë në Haiti, ku dhjetëra mijë njerëz druhet se kanë vdekur nga tërmeti i fuqishëm i së martës, ndërsa bilanci i të vdekurve mund të shkojë në rreth 100 mijë viktima. Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania janë ndër vendet që dërguan ekipe të shpëtimit dhe furnizime. Presidenti Barak Obama premtoi ndihmën maksimale të Shteteve të Bashkuara.
“E kam udhëzuar administratën time që të përgjigjet me veprime të menjëhershme, të koordinuara dhe agresive për të mbrojtur jetët”.
Populli i Haitit do ta ketë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për t’i shpëtuar ata që kanë mbetur nën rrënojat, si dhe për t’u dërguar ndihma, ushqim, ujë dhe barëra haitianëve në ditët e ardhshme”, tha Obama. Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, i kanë shkurtuar apo anuluar disa udhëtime për t’u marrë me krizën. Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ish-presidenti amerikan Bill Klinton, i cili është i dërguar special i OKB-së për Haitin, tha se përpjekjet fillestare janë fokusuar në shpëtimin e sa më shumë jetëve. “Duhet të shpëtojmë sa më shumë jetë që të jetë e mundur dhe t’u ndihmojmë të plagosurve. Duhet t’u japim ujë dhe ushqim”, tha Bill Klinton. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha se rreth 3 milionë haitianë, apo një e treta e popullsisë, mund të kenë nevojë për ndihma emergjente. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, tha se 10 milionë dollarë do të dërgohen menjëherë nga trupi më i lartë i botës.
Haiti, misteri i tërmetit shkatërrimtar
Tërmeti i rëndë në Haiti është regjistruar prej shumë qendrave sizmologjike në Gjermani dhe për këtë arsye ekspertët kanë vlerësuar rezultatet. Në Haiti ka pasur herë pas here tërmete. Por tërmetet e fundit ka shumë kohë që kanë ndodhur. Profesori Klaus Dieter Hinzen nga qendra seizmologjike e Bensbergut: “Pas 100 vjetësh kërkime sizmiologjike në botë dihet se ekzistojnë pllaka të ndryshme kontinentale të tokës dhe se ato ndeshen me njëra-tjetrën përgjatë kufijve të caktuar si për shembull në Anadoll ose në Kaliforni. Pra ka zona të kërcënuara veçanërisht nga tërmetet. Edhe nëse tërmeti i fundit në Haiti ka ndodhur para 240 vjetësh, gjendja është e qartë: “Ekziston një pllakë e veçantë, pllaka e Karibikut midis pllakës amerikano-veriore dhe asaj amerikano-jugore, ajo ndodhet si sanduiç midis tyre”.
Haiti, në këtë Pllakë të Karibikut- është goditur tepër rëndë, sepse pllakat janë zhvendosur jo “mbi njëra-tjetrën", por anash, pra "në anë të njëra-tjetrës." Këtë rrëshkitje anësore të Haitit, qendra e kërkimeve gjeologjike të Potsdamit e llogarit me 2 centimetra në vit. Sipas ekspertëve, tërmetet janë të paparashikueshme. Epiqendra e kërij tërmeti ishte në një tellësi prej 10 kilometrash, e gjitha është baras me një kërcim gjigant prej 2 metrash. Epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi 10 km, goditja ishte shtatë ballë sipas shkallës Rihter, kështu që mund të nisesh nga fakti që korja e tokës është thyer deri në sipërfaqe, ndaj janë kaq shkatërrimtare pasojat e tërmetit.
Në të gjithë botën ka më shumë se 300 stacione matjeje me seizmografë tepër precizë. Por ato mund të masin dhe të regjistrojnë tërmete vetëm kur ato ndodhin. Një parashikim për vendin dhe për forcën e tërmetit shkencëtarët deri tani nuk kanë arritur ta bëjnë. Kështu që Haiti nuk kishte asnjë shans për paralajmërim.
Rreth 100 të zhdukur nga stafi i OKB-së
Ne Haiti rezultojnë të zhdukur më shumë se 100 punonjës të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i OKB-së. Kreu i misionit te OKB-se, gjenerali tunizian Hedi Anabi, i cili sipas qeverisë haitiane ka humbur jetën gjatë shembjes së pallatit të OKB-së në Port au Prince, konsiderohet i zhdukur. Të njëjtin fat ka pasur edhe zëvendësi i tij, kanadezi Kim Bolduc. Organizata ka konfirmuar vdekjen e 14 personave: dhjetë të kaskave blu braziliane, tre ushtarë jordanezë dhe një civil haitian. Të plagosur për momentin janë 56. Elizabeth Birs, zëdhënësja e organizatës botërore shprehet: “50 deri në 100 paqeruajtës besohet se janë ende në rrënojat e ndërtesës. Në total, 115 deri në 200 pjesëtarët të Kombeve të Bashkuara që punonin në Haiti, llogariten të pagjetur. Kjo shifër mund të ndryshojë derisa situata ndryshon me orë”, tha Birs.
Ekipe ndërkombëtare ndihmash zbarkojnë në Haiti
Përpjekjet ndërkombëtare dhe ekipe të shpëtimit kanë mbërritur në Haiti në kërkim të mijëra viktimave të tërmetit shkatërrues të së martës dhe për t’u sjellë ndihmë të mbijetuarve. Avionët që sjellin ekipe të shpëtimit me pajisje specialistësh dhe ndihmë mjekësore dhe ushqimore kanë arritur në Port-au-Prince. Ekipe amerikane dhe kineze janë midis atyre që kanë arritur dhe 79 ekspertë britanikë. Agjenci ndërkombëtare të ndihmave janë gjithashtu në Haiti. Numri i të vdekurve varion nga midis dhjetëra deri në qindra mijëra. Mijëra njerëz në Haiti kanë kaluar natën e dytë jashtë, larg ndërtesave, nga frika e lëkundjeve të tjera pas tërmetit që shkatërroi pjesë të mëdha të vendit të martën. Dëshmitarë të ndryshëm janë shprehur se gjatë natës dëgjoheshin njerëz që qanin dhe luteshin. Shumë ndjehen të frikësuar dhe të vetmuar.
15 Janar 2010