E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në QSUT, Stafi mjekësor jep kontribut për përmbytjet

Mjekët e qendrës spitalore universitare “Nene Tereza” do të japin edhe ata kontributin e tyre për banorët e zonave të përmbytura. Drejtori i QSUT, Ilir Dashi, organizoi një takim me shefat e pavijoneve të qendrës spitalore që drejton dhe me pedagogë, mjekë të Fakultetit të Mjekësisë, ku ka kërkuar ndihmën maksimale, për këto familje si dhe gatishmërinë e plotë për kapërcimin e situatës së emergjencës. “Në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim shumë të ngushtë jemi në një regjim gatishmërie për të përballuar qoftë me personel mjekësor edhe me materiale mjekësore çdo skenar dhe situatë të pritshme. Gjithsesi urojmë që me gatishmërinë tonë dhe me ndihmat materiale që do të japim do të lehtësohet gjendja dhe do të vijë në një përmirësim të vazhdueshëm” u shpreh drejtori Dashi. Por krahas ndihmave mjekësore, u është kërkuar bluzave të bardha të kontribuojnë dhe me ndihmë financiare për mijëra familje në nevojë. “Të gjithë të japim diçka materialisht nga rroga jonë. Personalisht do të derdh në numrin e llogarisë respektive 50 mijë lekë të reja në ndihmë të këtyre familjeve” tha Alfred Priftanji, dekan i fakultetit të Mjekësisë. Ndihma financiare, por edhe në ushqime dhe veshmbathje kanë filluar të mblidhen nga të gjitha institucionet shtetërore për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura.

Përmirësohet situata

Pakësohen rastet të prekura me virusin A/H1N1

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë të ditur se në laboratorin e virologjisë, 20% e rasteve rezultojnë të jenë të infektuar nga virusi A/H1N1 ndryshe nga muaji nëntor ku u shënua piku i përhapjes së virusit, dhe 80% e rasteve rezultonin me gripin e derrit. Sipas epidemitologut të ISHP-së në të gjithë vendin ka rreth 420 të prekur nga gripi pandemic dhe dy raste janë në gjendje të rëndë në dy spitalet e mëdha të kryeqytetit. Por, përsëri mjekët këshillojnë që mos ulet vigjilenca se në këtë periudhë në këtë pjesë të europës qarkullojnë mjaft viroza jo vetëm sezonale por edhe të tipave të ndryshëm. Dhe një valë gripale pritet në muajin shkurt, por ende nuk dihet nëse do rikthehet përsëri gripi i derrit.

15 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›