Shkodër, nis sot mësimi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”
Nis sot mësimi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ditën e djeshme, Ministria e Arsimit, nëpërmjet një njoftimi zyrtar për shtyp ka njoftuar të gjithë studentët se Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, do të nisë mësimin më datë 15 janar 2010. Sipas njoftimit të MASH-it, Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve, që prej ditës së djeshme i ka gati të gjitha mjediset e qendrës studentore, për akomodimin e studentëve në konviktin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Ndërkohë në konviktet e shkollave të mesme profesionale të Shkodrës janë të akomoduar ende banorë të zonave të përmbytura. Për këtë, shkak Ministria e Arsimit bën të ditur se nisja e procesit mësimor për këto shkolla do të shtyhet brenda një afati tjetër.
Panorama e procesit mësimorë sipas komunave në rrethin e Shkodrës
Mësimi po shkon drejt normalizimit në zonat e përmbytura të rrethit të Shkodrës. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se në këtë kuadër emergjence, edhe strukturat e kësaj ministrie, drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat e arsimit kanë qenë në gatishmëri, duke bërë të mundur daljen nga gjendja sa më shpejtë dhe rifillimin e procesit mësimor në normalitet. Kështu, në Komunën Ana e Malit, në fshatin Obot i Vjetër, vetëm 16 nxënës nuk zhvillojnë mësim, e ndërsa janë minimizuar mungesat në shkollat e tjera të komunës, duke përfshirë edhe atë të mesme. Në komunën Velipojë mësimi kryhet vetëm nga personeli mësimor vendas, për shkak të bllokimit të rrugës tek ura e Gjo Lulit dhe ky fakt nuk mundëson ende transportin e mësuesve nga Shkodra. Në komunën e Bushatit zhvillohet mësim normalisht me përjashtim të fshatit të Ri në Mal të Jushit, ku 117 nxënësit presin rifillimin e mësimit në ditët e ardhshme. Në komunën e Bërdicës vijon mësimi, por numri i mungesave është ende i konsiderueshëm duke pritur një përmirësim të shpejtë të situatës në ditët e ardhshme. Në komunën Guri i Zi, në fshatrat Kuç dhe Vukatanë, mësimi ka filluar ditën e mërkurrë, pasi rruga është liruar nga ujërat. Ndërprerje të mësimit ka në shkollat e rrethinave të qytetit të Shkodrës si, në Baçallëk, Shirokë dhe Zogaj, ndërsa në shkollat e tjera të qytetit mësimi vijon normalisht. Më e rënduar dhe problematike paraqitet vetëm komuna Dajç, ku 635 nxënësit nuk kanë mundur të rifillojnë deri dje mësimin.
15 Janar 2010