E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hajdari”, Ministria e Drejtësisë cakton një gjyqtar në Strasburg

TIRANE – Një gjyqtar shqiptar do të transferohet për pak muaj në Gjykatën e Strasburgut ku do të marrë pjesë në trupat gjykues të pesë proceseve shqiptare që ndodhen në këtë gjykatë. 

 Lajmin e pohojnë burime nga Ministria e Jashtme, të cilët pohojnë se Ministra e Drejtësisë u ka propozuar emrin e një gjyqtari shqiptar, të cilin këta ia kanë përcjellë Strasburgut. Ende në Tiranë nuk ka mbërritur konfirmimi apo refuzimi për këtë emër, ndërkohë nuk janë njoftuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, as palët kërkuese për të paraqitur kontestimet e tyre në lidhje me këtë çështje. Kjo gjendje u krijua pas dorëheqjes nga gjykimi i çështjes i gjyqtarit përfaqësues shqiptar, Ledio Bianku në fillim të muajit të kaluar dhe refuzimit nga ankuesit shqiptar të juristes Marsida Xhefellari, këshilltare e ministrit të Drejtësisë dhe përfaqësuese ligjore e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese. Refuzim i Strasburgut, një muaj më parë u shoqërua edhe me kritika ndaj qeverisë shqiptare, duke e quajtur këtë kandidate për gjyqtare AD HOC për pesë çështje shqiptare, përfshi edhe atë “Hajdari”, si dhunim të pavarësisë dhe paanshmërisë së kësaj gjykate. Në shkresën dërguar qeverisë shqiptare Strasburgu pohon se: “Dërgimi i kandidates për gjyqtare AD HOC pranë Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, zonjës Marsida Xhafellari në gjykimin e çështjes së Jaho Mulosmanit dhe tre vëllezërve Ismeti, Isamedini dhe Izet Haxhia cenon parimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatës. Pasi pozita e saj si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë, cenon pavarësinë edhe të gjykimit të çështjes ndaj tre shtetasve shqiptarë kundër shtetit”. Tashmë emri i ri mbahet sekret nga institucionet shtetërore pasi mendohet se mund të rrëzohet sërish nga Strasburgu, nëse do të ketë kontestime nga palët që janë ankuar në Gjykatën Evropiane. Burime nga këto institucione pohojnë se kanë zgjedhur emrin e një gjyqtari për të përfaqësuar shtetin shqiptar, pasi mendohet se një kandidaturë e tillë do të jetë e pakontestueshme dhe që plotëson të gjitha kriteret e kërkuara. Në ditët në vijim pritet që ankuesit të njihen me këtë emër.                   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›