E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon gjyqi, Zani 8 vjet në gjykatë

Përfundon gjyqi i Zani Çaushit, tashmë ka mbetur vetëm pretenca e prokurorisë, fjala e tij e fundit dhe vendimi i gjykatës. 

Fatos Mahmutaj

Pas plot tetë vitesh seanca gjyqësore në ngarkim të ish të fortit të Vlorës në vitin 1997, Prokuroria e Tiranës solli për shqyrtim para gjykatës dhjetëra prova shkresore dhe dëshmi, me të cilat mbrojti akuzat e rënda, ngritur në ngarkim të Zanit dhe pesë shokëve të tij që mbijetuan nga hasmëritë e shumta dhe përplasjet me bandat rivale. Kështu, gjyqi në ngarkim të ish-kapos së Vlorës, i vetmi në qeli, i akuzuar për ngjarjet e vitit 1997 në qytetin e tij nisi në vitin 2000, kur Prokuroria e kryeqytetit kishte marrë kompetencën e kësaj dosje për arsye sigurie, ngriti ndaj Zanit dhe pesë shokëve të tij: Hair Hiraj, Pëllumb Bajrami, Renato Çerçizi, Skerdian Bajrami dhe Dorian Saliu akuzat për vrasjen e Bernard Duçkës, Niko Borakut dhe vëllezërve Neritan e Edmond Dednika, si dhe rrëmbimin e Artur Gjoshit, Pëllumb Petritit, Foto Kolës dhe Sokol Kamberit. Të gjitha këto akuza, ish-kapoja i Vlorës, që tashmë ndodhet në qelitë e Burrelit akuzohet t’i ketë kryer në kuadër të organizatës kriminale. Kjo bandë që pushoi së ekzistuari kur u godit nga shteti në fund të 1997, njihej si banda e “Çoles” dhe në krye të saj qëndronte Myrteza Çaushi. Sipas Prokurorisë Myrteza Çaushi, e vitlindjes 1969, banor i lagjes Çole në Vlorë para vitit 1997 ka jetuar jashtë vendit, ndërsa pas rrëmujave të atij viti është kthyer në Shqipëri ku duke përfituar nga gjendja kaotike, si pasojë e rrëzimit të firmave piramidale dhe shkatërrimit të ushtrisë, u pajis me armë. Duke pasur influencë dhe ndikim në rrethin miqësor dhe shoqëror pranë tij janë grumbulluar shumë persona të armatosur të cilët i kanë qëndruar besnikë dhe e kanë shoqëruar për një kohë të gjatë në aktivitetin e tij kriminal. Pas kësaj, sidomos gjatë muajve maj dhe qershor 1997 anëtarët e kësaj bande, të cilët numëroheshin rreth 20 vetë kanë kryer krime të ndryshme, duke filluar që nga vrasjet për hakmarrje, pengmarrjet për qëllime përfitimi, torturimin e pengjeve dhe deri djegien e tyre të gjallë në rast se nuk paguheshin gjobat. Për këto akuza ish-kapoja i Vlorës në vitin 1997 është gjykuar më parë në Tiranë në vitin 1998, por atëherë mundi t’ia hedhë vetëm me kohën paraburgimit pasi nuk u vërtetuan akuzat ndaj tij. Po kështu gjykata vendosi atëherë lirimin nga qelia edhe të gjithë anëtarëve të bandës së tij, të cilët u rikthyen në qytetin Vlorës pas lirimit. Apeli e la në fuqi këtë vendim, ndërsa Gjykata e Lartë e riktheu për rigjykim, në kohën që Zani Çaushi ndodhej i burgosur pasi u dënua përjetë për një vrasje të trefishtë të kryer në periferi të Vlorës. Tre muaj pas lirimit nga Gjykata e Tiranës, më 7 korrik 1999, Zani u bë protagonist në një ngjarje, ku mbetën të vrarë tre persona. Mes viktimave ishte dhe krahu i djathtë i tij, Afrim Rami, i njohur me nofkën “Luçiano”. Vetë Zani u plagos dhe arriti t’i shpëtonte një operacioni të policisë së Vlorës. Ai u arrestua dy muaj më vonë, në shtator 1999 pas një incidenti me armë në fshatin Mifol. Për ngjarjen e 7 korrikut 1999, Gjykata e Vlorës e dënoi Zanin me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Robert Shehut dhe dajës së tij, Luan Bedini, çka është shkak që ai të qëndrojë në burg. Ndërsa procesi gjyqësor për ngjarjet e ’97-ës ka nisur në vitin 2000 dhe për tetë vjet me radhë janë zhvilluar mbi 200 seanca gjyqësore në kryeqytet ku u pyetën qindra dëshmitarë dhe u administruan mijëra faqe dokumente shkresore.

Krimet e bandës së “Çoles”

• 7 maj 1997, është marrë peng tregtari nga Tepelena Artur Gjoshi dhe miku i tij Pëllumb Petriti
• 9 maj 1997, vritet Bledar Duçka me nofkën “Kuqo” që kishte shkuar për të ndërmjetësuar për lirimin e Gjoshit
• 8 maj 1997, rrëmbehet tregtari Foto Kola, pas torturave lirohet për 500.000 lekë
• 9 maj 1997, kundërshtarët për t’u hakmarrë rrëmbejnë vëllain e ushtarit të Zanit, Avdyl Bajrami, të cilin e vrasin
• 11 maj 1997, vriten Neritan dhe Edmond Dednika
• 19 maj 1997, vritet Arben Latifi dhe Gjergj Cukalla
• 19 maj 1997, vritet Niko Boraku pasi është torturuar
• Korrik 1997, rrëmbehet Sokol Kamberi
• 29 shtator 1997, kapen armët e Zani Caushit
• 5 gusht 1997, tentohet të vilet një gjobë 10 milionë lireta italiane në Laprakë, Tiranë.
• 23 qershor 1997, rrëmbehet kryetari i komunës Novoselë, Kanan Shakaj, lirohet i torturuar pasi u paguan 200 milionë lekë

Zani i vetëm në qeli
Zani Caushi ndodhet në qeli që prej vitit 1999, kur u arrestua për vrasjen Robert Shehut dhe dajës së tij, Luan Bedini. Për këtë krim ai u dënua përjetë dhe tashmë ndodhet në burgun e Burrelit. Gjatë procesit gjyqësor Caushi ishte i vetmi nga të pandehurit që pati mundësi të përballej me akuzat, pasi të bashkakuzuarit që kanë mbetur gjallë janë persona në kërkim.

Banda e Çoles, 9 të vdekur
Dy vjet më parë gjykata vendosi të pushonte akuzat për nëntë anëtarë të bandës së Zanit: Afrim Rami, Pëllumb Bajrami, Gjikë e Kastriot Gërdhuqi, Leonard Idrizi, Edison Mamo, Taulant Shyti, Edmond Dule dhe Ferdinand Tafili, të cilët rezultuan të vrarë. Nën akuzë, bashkë me kapon Myrteza Caushi mbetën: Dorian Saliu, Hair Hiraj, Pëllumb Bajrami, Renato Çerçizi e Skerdiljan Bajrami 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›