E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e çmimeve, përgjegjësi e qeverisë!

Adriana Civici 

Në fakt ky është titulli i konferencës për shtyp që reporteri i Parlamentit Europian mbajti këtë fillim jave për prezantimin e politikave të zhvillimit bujqësor në kushtet e krizës së ushqimeve. Ndonëse e anuncuar në mjediset e Brukselit, kjo frazë është shumë dome-thënëse dhe aktuale për Shqipërinë! Të gjithë vendet anëtare të BE-së po fokusojnë përpjekjet për të minimizuar krizën nëpërmjet uljes se taksave direkte ndaj fermerëve, si dhe nëpërmjet politikave intensive për investime dhe rritje të prodhimit bujqësor, me synim rritjen e fondeve financiare në adresë të kësaj dege që po pëson goditjen vendimtare.
Ndërsa në Shqipëri qeveria është më e qetë se kurrë me nivelin qesharak të realizimit të investimeve, që për 4-mujorin arritën shifrën rekord, vetëm 9.4% të volumit vjetor! Bile shkohet akoma më tej, kur edhe me alarmin që ngrenë institucionet financiare ndaj këtij fenomeni, i cili me grumbullimin e investimeve në fund të vitit siç bën kaherë kjo qeveri, do të rrisë risqet inflacioniste, zyrtarë të saj deklarojnë se situata është nën kontroll!
Është shumë e çuditshme që me gjithë atë inflacion të tejngopur deklaratash për hapat që ne po hedhim për të qenë (e meritojmë apo jo) sa më parë qytetarë të Evropës, po bëjmë pak ose aspak krahasuar me të në drejtim të mbështetjes për rritjen e prodhimit vendas dhe vëmendjes që i duhet dhënë bujqësisë si degë dhe fermerit shqiptar në veçanti.
Pasi kriza që po përjetojnë shqiptarët përpara se të jetë një krizë e importuar, është krizë e brendshme, e mungesës së mbikëqyrjes së tregut, e preferencave në taksa dhe tatime të bizneseve që i ka për zemër qeveria dhe e arbitraritetit tatimor e doganor ndaj pjesës tjetër që s’ka kohë për t’u zhvilluar e për të dhënë kontributin në zhvillimin e përgjithshëm, pasi i duhet të konsumojë gjithë kohën dhe asetet nëpër zyrat e shtetit, e monopoleve që sot kontrollojnë tregun dhe stimulojnë thellimin e krizës, e korrupsionit që na ka renditur të parët në Rajon!
Muajt kalojnë e faktet vazhdojnë të kenë një kokëfortësi sublime:
Ekonomia e mbetur në statusin e ekonomisë në tranzicion!
Ekonomia shqiptare, ekonomi që shkon vetëm për konsum, ndërkohë që standardet e BE-së kërkojnë ekonomi me produktivitet të lartë, ku baza të jenë investimet dhe eksportet!
Deficiti tregtar i thelluar vetëm për muajin prill me 123 milionë dollarë.
Ditët e fundit në Tiranë u zhvillua Konferenca ABCDE e Bankës Botërore për Ekonominë, sipas një analize të prezantuar nga Znj.Marina Wes, Kryeekonomiste për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Rajonin e Azisë Qendrore, eksportet shqiptare duhet të jenë vendimtare për stabilitetin makro, sidomos në kontekstin e deficitit aktual tregtar. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për një rritje të tyre, por nisur nga konteksti strukturor, për potencialin e tyre. Pasi sot eksportet tona për frymë janë të ulëta për të pretenduar misionin e ruajtjes së stabilitetit makro, në nivelin e 584 dollarë amerikanë, kundrejt 1236 dollarë për frymë në Maqedoni, 4206 dollarë për frymë në Kroaci dhe 5940 dollarë për frymë në Sllovaki! Dhe të mos harrojmë konsistencën e fortë të performancës së eksporteve me investimet e huaja direkte, pra treguesit eksporte/PBB dhe IHD/PBB! 
Deficiti buxhetor 7.9%, kur kriteret e Mastrich-it kërkojnë një nivel prej 3%! 
Buxheti për bujqësinë sa 0,54% e PPB-së!
Rritja ekonomike e saj vetëm 1.5% ose 4 herë më pak se 2006 dhe tri herë më pak se 2007!
Bujqësia përfiton një përqindje minimale të totalit të
kredive bankare!
Varfëria dhe papunësia në zonat rurale e thellë, e matur nga ndërkombëtarët në nivelin 30%, se ne jo vetëm që s’kemi metodologji e të dhëna reale, por mbi të gjitha na pëlqen të gënjejmë veten e botën, duke deklaruar shifra luksi si ajo e papunësisë vetëm 13%!
Popullsia në fshat zë 90% të të varfërve dhe me të drejtë specialistë profesionistë varfërinë shqiptare e quajnë varfëri rurale, ku shtresa më e goditur janë të rinjtë e moshës 23-27 vjeç!
Niveli i arsimit në këto zona është tepër i ulët, ku 65% e fermerëve janë me nivel shkollimi 8-vjeçar!
Gjatë këtij fillim viti, vetëm për tremujorin e parë kostot e prodhimit janë rritur me 3.3%. Industria përpunuese dha efektin më të madh në indeksin e rritur me 78.4%, brenda kësaj industrie, industria ushqimore me 3.8%, industria tekstile dhe veshje me 22.2%!
Në kushtet e thellimit të krizës ndërkombëtare, ku një nga faktorët kryesorë është ajo e çmimit të drithërave, Qeveria ka vendosur që të mos ta mbështesë këtë degë, pasi sot për sot ajo paraqitet me rendiment të ulët! Përkundrazi, ajo aplikon skema subvencioni apo rimbursimi që shkojnë vetëm për ata fermerë që dalin në treg, të cilët kanë mundësi të shesin prodhimin e tyre dhe që përbëjnë më pak se 20% të të gjithë fermerëve shqiptarë. Pjesa tjetër, rreth 80% e fermerëve që janë dhe bujqit me të ardhurat më të ulëta dhe që prodhojnë për vetëkonsum, nuk përfitojnë aspak nga subvencionet e qeverisë!
Nafta e karburanti me gjithë krizën e thellë të çmimeve të tyre që ka pushtuar botën, nuk përbëjnë arsye për qeverinë për të aplikuar politika lehtësuese fiskale, si mallra pa akcizë, dhe e dini pse, sepse janë burim i pashtershëm të ardhurash për të mbushur buxhetin. Sipas statistikave zyrtare, nafta zë peshën më të madhe në mallrat me akcizë, 67%, ndërsa importet e taksuara zënë 83% të importeve gjithsej! Dhe shteti vetëm si pasojë e rritjes së çmimit të naftës në botë, mbledh 80 milionë euro më shumë në arkën e tij. Dhe të gjitha këto, pa asnjë lodhje e mundim, pa asnjë përpjekje për reforma strukturore, uh sa i urren kjo qeveri këto të fundit! Po me arkën plot pa zhvillim dhe nxitje prodhimi!
Shqetësimi evropian sot shkon direkt ndaj politikave për t’u propozuar me qëllim që opinioni publik e sidomos fermeri evropian të ndihet i sigurt, pasi Evropa nuk ka luksin të gabojë, përkundrazi është momenti i vendimeve të mëdha e të drejta!  
Politika e Përbashkët Evropiane sot pretendon si sfida, ndryshimet klimaterike, problemet e burimeve ujore apo së fundi ato të biodiversitetit dhe kostot e mjedisit, ku fokusi është si të prodhojmë me efekte sa më të pakta ndaj tij, dhe kjo e fundit konsiderohet si një nga drejtimet më të vështira të politikës evropiane. Bile shkohet më tej, duke sensibilizuar se të gjithë këto sfida nuk janë vetëm për fermerët evropianë, por për mbarë shoqërinë botërore!
Brenda kuadrit të kësaj politike të përbashkët, në kushtet e krizës botërore ka mjaft debate, sa i takon subvencionimit të fermerëve evropianë, nëse duhet dyfishuar ajo skemë e zbatuar me reformën e 2003, apo duhet bërë diferencim me pagesë fikse për hektarë sipas rajoneve, pavarësisht se sa prodhim japin, por edhe duke patur parasysh fermerët e atyre vendeve që i janë bashkuar BE-së pas 2004, për të cilët ka mjaft propozime që të përjashtohen nga kjo skemë, apo ka debate që një model i tillë s’mund të aplikohet i njëjtë gjeografikisht, pasi ka plot rajone që për shkak të kufizimeve administrative nuk reflektojnë realitetin bujqësor.
Ka një propozim tjetër për zbatimin e një takse dysheme për titujt e rinj të pronësisë, pra një lloj detyrimi tatimor që do të variojë dhe do të varet nga zona rurale ku bën pjesë një fermë e caktuar, pasi kështu zhvillohet kohezioni territorial, nxitet legjitimiteti social i Politikës së Përbashkët Evropiane (PPE), e mbi të gjitha bëhen akoma më të thjeshta për të rënë dakord Marrëveshjet e ardhshme Tregtare.  Ka të tjerë që janë skeptikë nisur nga diversiteti që pozon rajoni i BE-së dhe që bën të vështirë uniformitetin e zbatimit të kësaj politike, e kështu ata propozojnë një gjendje “status quo” deri në 2013, që do ta lehtësonte sistemin dhe ndërkohë do të familjarizonte dhe vendet e sapofutura në BE me dimensionin e ri të PPE.
Një tjetër sfidë e tyre konsiderohet instabiliteti i tregjeve bujqësore, pasi në kushtet e krizës botërore të çmimeve, në kushtet e rritjes së kërkesës për ushqime në mbarë botën, është rihapur debati mbi mekanizmin e ndërhyrjes evropiane pikërisht për të stabilizuar tregun brenda BE-së, duke vënë në qendër të tij sistemin e rritjes dhe sigurisë ushqimore, pasi sipas tyre nuk ka nevojë të jesh ekspert bujqësor për të kuptuar se duhet prodhuar më shumë që të mund të ushqehen të gjithë!  
Është shumë interesante se të gjithë këto debate zhvillohen në seanca dëgjimore, jo vetëm me reporterë të fushës, por edhe me pjesëmarrje të ekspertëve, akademikëve, shoqatave të fermerëve e konsumatorëve, ku gjithsecili jep kontributin e tij se si të bëhet më mirë e me shqetësimin se është momenti i reformimeve të mëdha të politikave.
 Po në Shqipëri çfarë po ndodh?!
Përveç emisioneve televizive që me të drejtë e përcjellin këtë shqetësim tek shoqëria, asnjë institucion qeveritar nuk merr iniciativën të përballet në seanca të tilla me operatorët e tregut dhe të zhvillimit, me qytetarët e thjeshtë apo akademikët, shoqatat e fermerëve etj. Të vetmet seanca qeveria organizon ato ku legjitimon arbitraritetin ndaj biznesit, apo pseudo konferenca, ku stabiliteti makroekonomik harrohet të diskutohet në këndvështrimin e domosdoshëm dhe emergjent të mungesës së politikave dhe reformave strukturore të zhvillimit! Ku auto lëvdatat janë pa limit për përpjekjet madhore që po bën qeveria për të kompensuar këtë krizë me indeksimin e pagave (me plot nonsense teknike, pasi harrohet cikli me efektet zinxhir paga-çmim-inflacion), i cili edhe pse është një masë rutinë që merret çdo vit e ka të pamundur pikërisht që të shndërrohet në kompensim për rritjen e çmimeve dhe inflacionin. Apo masën më të fundit ku do të kompensohen buxhetorët për çmimin e rritur të energjisë, i cili sot është në nivelet prej 30%, e qeveria kompenson vetëm më pak se 8% të tij, dhe kompenson vetëm një shtresë të vogël të shoqërisë, siç është ajo e administratës buxhetore!
Për të mos folur për tregues më të kamufluar e specifik siç është konvergjenca me BE-në apo fuqia blerëse për frymë krahasuar me standardet e BE-së, me të cilën Shqipëria renditet më e ulëta në Rajon, apo fenomeni i sapo plasur i rritjes në 25.2% të kredive të këqija! Së fundi, vërtet që inflacioni për 5-mujorin është ulur në 4.2%, dhe ka informacione që çmimet sezonale ushqimore kanë pësuar një ulje të lehtë, por mos harrojmë që fenomeni është veçse sezonal dhe efekti i tij është i papërfillshëm në uljen e ritmeve të krizës së përgjithshme që do të vazhdojë të thellohet sipas ekspertëve ndërkombëtarë.
Sot shqiptarët janë më të lodhur se kurrë nga brohoritjet e qeverisë për sukseset e arritura në këtë kohë krizash, e s’dinë nga t’i kthejnë sytë më parë për të gjetur pak qetësi. Jetojmë kohë dilemash: të ngrihen në mëngjes e siç ndodh rëndom me qytetarët e Evropës, qetë-qetë të shijojnë kafenë duke ndjekur për shembull emisionin “New Day”, apo të vrapojnë se mos qeveria e pamposhtur dhe shumë e merakosur për ta, ndërpret ujin, apo dhe nëse ujë ka, të vrapojnë të lahen e të vishen se mos ikin dritat, apo dhe në janë këto të dyja, të vrapojnë të blenë dy kile qumësht me listë, apo të numërojnë shpejt e shpejt sa u ka mbetur nga buxheti për të përballuar ditën, apo, apo...!
Një fillim i tillë dite, ku pjesën më të madhe të kohës ta zënë kërkesat më elementare jetike, nuk premton për kohën që na duhet të ndjekim “sukseset e qeverisë” në përballjen e krizës mabarëbotërore apo krizës shumë shqiptare!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›