E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Tiranë francezja, që rrëmbeu 5-vjeçarin

Arrestohet pas tri ditë strehimi në Tiranë, francezja e akuzuar për rrëmbimin e djalit të saj pa autorizimin e bashkëshortit. 

Dashamir Biçaku

Imen Xhiji Xhili, (Imen Djilli Gili) 35 vjeçe, francezja e divorcuar kishte mbërritur tri ditë më parë në Tiranë dhe ishte strehuar në një hotel derisa të mundësohej udhëtimi drejt Libisë duke kaluar përmes Greqisë. Në përpjekje për të realizuar udhëtimin, francezja është interesuar tek përfaqësia diplomatike e këtij vendi në Tiranë. Ambasada ka kontaktuar me policinë prej nga është mësuar se personi në fjalë ishte shpallur në kërkim në Francë, pas denoncimit të ish-bashkëshortit të saj i cili ka pretenduar se ish-gruaja i kishte rrëmbyer fëmijën 5 vjeç, pas divorcit dhe ishte zhdukur. Sinjalizimi për këtë i ka mbërritur edhe policisë shqiptare e cila menjëherë është vënë në kërkim të francezes, e cila ka rënë në pranga të dielën gjatë një aksioni të zhvilluar në sekret të plotë. E gjithë historia është zhvilluar në një hotel në Rrugën e Kavajës mbrëmjen e të dielës. Policia dhe funksionarë të ambasadës kanë mbërritur aty për të marrë franko-algjerianen me djalin e saj. Gruaja 35-vjeçare po qëndronte në hotel bashkë me djalin që prej të premtes së javës që shkoi, kur kishin mbërritur nga Franca në kryeqytetin shqiptar. Ajo ishte strehuar në hotelin e vogël në Rrugën e Kavajës nga vetë punonjësit e ambasadës, të cilët ia kanë rekomanduar për të qëndruar aty për pak kohë. Pas mbërritjes së saj në Tiranë Imen Xhili, duke njohur fare pak Tiranën është akomoduar në hotel dhe është kujdesur për fëmijën. Vetë punonjësit e hotelit thonë se gruaja është strehuar në këtë hotel nga funksionarët e ambasadës. Ambasada franceze në Tiranë ka komunikuar ndërkohë me autoritetet në Francë për të mësuar rreth shkakut të largimit të 35-vjeçares. Autoritetet policore kanë konfirmuar se gruaja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli i Parisit, për rrëmbim të fëmijës së saj dhe largim jashtë territorit të vendit pa dijeninë e bashkëshortit. Imen Xhili ka qenë e divorcuar nga bashkëshorti, ndërsa gjykata i kishte lënë asaj kujdestarinë e djalit që tashmë është në moshën pesëvjeçare. Gruaja ezmere, e dobët, jo më tepër se 155 cm e gjatë, ka lënë aeroportin e Parisit për të udhëtuar në drejtim të Tiranës. Ajo ka zbritur në Rinas dhe më pas është akomoduar në hotelin në Rrugën e Kavajës, fare ngjitur me rrugën “Skënderbej”, pranë bllokut të ambasadave. Ajo po priste të udhëtonte përmes Greqisë me destinacion përfundimtar Libinë. Pas marrjes së njoftimit të ambasadës, policia ka mbërritur në Rrugën e Kavajës, pranë hotelit dhe bashkë me funksionarët diplomatikë kanë marrë gruan e cila është dërguar fillimisht në ambasadë. Djali është strehuar aty ndërsa policia ka marrë me vete Imen Xhilin dhe i ka komunikuar asaj në Drejtorinë e Policisë akuzën e rrëmbimit të 5-vjeçarit. Policia tha se francezja po mbahet e arrestuar me qëllim ekstradimin e saj drejt vendit të origjinës, pasi ajo është shpallur në kërkim nga policia franceze për rrëmbimin e djalit pa autorizimin e të shoqit francez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›