“Onufri 2009”, një konkurs vetëm me shqiptarë
Izaura Ndoj
“Dëshira dhe dëshmi” quhet edicioni i 16-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit Pamor, kuruar nga Parid Teferiçi. Galeria Kombëtare e Arteve sot do të mirëpresë konkursin“Onurfi 2009” i cili vjen në edicionin e tij të 16-të këtë vit, me pjesëmarrjen e rreth 20 artistëve, një konkurs me shqiptarë dhe vetëm për shqiptarët. I tillë është edicioni i 16-të i konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 2009”. “Onufri” aktiviteti më i madh i artit pamor në harkun e një viti do të presë vizitorët për më shumë se një muaj nga data 24 dhjetor 2009 deri më 4 shkurt 2010. Gjinitë me të cilat artistët marrin pjesë në këtë ekspozitë konkurruese janë të ndryshme. Nuk përfaqësohet vetëm piktura, por edhe mediumet e tjera si fotografia dhe videoinstalacionet. Kuratori i "Onufri 09", Parid Teferiçi, ka vendosur që në ekspozitën e këtij viti të jenë të pranishme vetëm punët e artistëve shqiptarë, duke lënë jashtë saj ekspozimet e të huajve. “ Ndonjëherë dukej sikur prania e tyre turbullonte peizazhin aktual të artit në Shqipëri dhe justifikonte cilësinë e dyshimtë estetike të punëve të tjera”, shpjegon Teferiçi. Në të marrin pjesë rreth 20 artistë, që i përkasin tri kategorive: artistë me përvojë në artin pamor, që njihen për stilin e veçantë të tyre; të rinj që jetojnë jashtë vendit dhe që sjellin përvojat e tyre në këtë ekspozitë; dhe studentët e Akademisë së Arteve, përçuesit e ideve të reja. Artistët pjesëmarrës në Onufri XVI, janë;Robert Aliaj, Ervin Bërxolli, Albion Bogdani, Donika Çino, Klodian Dedja, Anjeza Dyrmishi, Najada Hamza, Eugert Hykaj, Edmond Gjikopulli, Gentian Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjelosh Gjoka, Helidon Haliti, Entela Hoxha, Ziso Kamberaj, Blerta Kambo, Greta Lami, Olson Lamaj, Gazmend Leka, Elsa Martini, Gazmend Muka, Fatmir Musai, Vladimir Myrtezai, Hasan Nallbani, Sokol Peçi, Gent Pipa, Gëzim Tafa, Zihni Veshi, Pleurad Xhafa, Aldi Zgjani, Enkelejd Zonja. Një risi e ekspozitës vjetore “Onufri 2009”, është përfshirja për herë të parë e një përzgjedhjeje studentësh të Akademisë së Arteve që marrin pjesë pa qenë në konkurrim për çmim. Kjo përzgjedhje i është besuar artistit Gentian Shkurti i cili i ka dhënë mundësinë e ekspozimit tre studenteve të Akademisë së Arteve , Donika Çino, Entela Hoxha dhe Anjeza Dyrmishi të ekspozojnë krahas artistëve të afirmuar të skenës dhe të pasqyrojnë zhvillimiet në institucionin formues artistik. Kjo risi do të bëhet pjesë edhe e edicioneve të ardhshme të Onufrit dhe i shërben nxitjes artistike të më të rinjve dhe integrimit të tyre në skenën e artit të vendit. Vëzhgimi i prurjeve studentore i është lënë në dorë Gentian Shulit, që sipas Teferiçit, është një artist shumë aktiv, i njohur për synimin e veçantë që ka për të pikasur talentet e reja. “Onufri”, i organizuar për herë të parë në vitin 1993, mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës së shekulli XVI. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 4 shkurt 2010.
24 Dhjetor 2009