E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pas dasmës së mbesës var veten 90-vjeçari

03/05/2005  FIER - Pas ngjarjeve të trishta, ku shumë minorenë janë vetëvrarë, dje një i moshuar kryen të njëjtin akt. Një 90-vjeçar, nga Mallakastra, i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur me një litar. Alush Sulaj, banues në Ballsh, është vetëvarur në shtëpinë e tij të vjetër në fshatin Lapulec, e braktisur prej tij qysh prej 10 vjetësh.

Ngjarja

Vetëm një ditë më parë, plaku kishte gëzuar në dasmën e mbesës së tij, vajzës së djalit të vogël. Plaku zgjodhi shtëpinë ku ka jetuar për t’i dhënë fund jetës, pikërisht sapo ka mbushur 90 vjeç.

Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit. Sipas këtyre njoftimeve mësohet se Alush Sulaj është gjetur i vetëvarur nga fqinjët e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00 të ditës së diel, në fshatin Lapulec, rreth 5 km larg qytetit të Ballshit. Një banor i këtij fshati, rastësisht, duke kaluar pranë shtëpisë se Alush Sulaj, sheh një njeri të varur në degën e manit, pemë kjo brenda oborrit.

Policia

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të policisë së Mallakastrës, të cilët kryen veprimet e para hetimore. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u mësua se plaku ka vdekur nga vetëvarja me një litar, i cili u mor me cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, nën trungun e pemës ku ndodhi ngjarja, janë gjetur sendet e plakut si xhaketa dhe bastuni i tij. Kufoma në gushë kishte një brazdë, shenjë kjo e shkaktuar nga shtrëngimi i litarit, gjë që tregon se i moshuari ka vuajtur derisa ka dhënë shpirt.

Asnjë nga personat e pyetur nga policia nuk e kishte parë plakun të hynte në shtëpinë e tij dhe aq më tepër të varej në man. Ndonëse ka qenë orë e paraqitjes, ku në fshat ka lëvizje, plaku ka përfituar t’u largohet kureshtarëve, pasi banesa ndodhej në majë të kodrës, larg shtëpive të tjera.

Motivi

Alush Sulaj kishte dy djem dhe gjashtë vajza, të gjithë të

martuar dhe të ndarë prej tij. Ai kishte vite që jetonte me qira në një apartament në Ballsh. Sipas policisë, motive që e shtynë 90-vjeçarin të vetëvarej ka qenë vetmia. Specialisti i policisë kriminale në komsiariatin e policisë së Mallakastrës, Leonard Xhindi, thotë se nga familjarët e viktimës nuk ka asnjë pretendim për vdekjen e babait të tyre, ndërsa ende nuk e kanë të qartë motivin ne saktë që e çuan plakun e moçëm në fundin e përshpejtuar të tij, pa pritur vdekjen natyrale

Në shtëpinë e viktimës

Plaku paralajmëroi të afërmit për vetëvrasjen

Fshati Lapulec është një fshat i largët dhe kodrinor, me një terren tërësisht të thyer. Shtëpia e 90-vjeçarit Alush Sulaj ndodhet në lagjen me terren më të thyer. Vendasit e quajnë lagjja Behat Meçaj.

Shtëpia e Alushit është braktisur qysh prej 10 vjetësh, që nga koha kur djali i vogël i kësaj shtëpie, Fetahu, së bashku me familjen ka shkuar në Greqi, si emigrant. Plakun 90 vjeç e njihnin të gjithë, edhe pse i larguar prej vitesh nga fshati. Shtëpia e tyre ndodhej pothuajse në maj të kodrës dhe në një zonë tepër të parrahur, shumë larg shtëpive të tjera të fshatit.

Sipas të afërmve, mësohet se 90-vjeçari ka qenë me shëndet normal, madje ecte lehtësisht me ndihmën e një bastuni, i cili u gjet nën pemën ku ai u vetëvar.

Shtëpia, edhe pse e braktisur dhe e pavënë dorë prej vitesh, ka njerëz. Janë fëmijët. Në shtëpinë e vjetër ka filluar vaji, madje edhe funerali i tij u krye vetëm pak orë më vonë, ditën e diel, jo sipas zakonit shqiptar, që viktima rri një natë në shtëpi. Kjo ndërtesë në fundjavë ka mbledhur gjithë fisin Sulaj dhe të afërm të tjerë për të festuar dasmën e vajzës së vetme të Fetahut, djalit të vogël të viktimës. Në dasmë ka qenë edhe plaku fatkeq, i cili është gëzuar dhe lumturuar më shumë se çdo njeri tjetër.

”Jam kënaqur që ju kam të gjithë këtu, mësohet të ketë thënë plaku në dasmë, por jeta ime përfundon këtu”, por pa i sqaruar se një ditë më pas ai do t’u bënte një “surprizë” të hidhur bijve të tij, ardhur nga Tirana e Greqia për shkak të festës familjare.

Më pas kjo familje ka pasur fatkeqësi dhe mort.

Flet djali i plakut 90-vjeçar, Fetah Sulaj

“Babai nuk kishte asnjë problem, një ditë më parë këndoi e kërceu me ne”

Kur e patë për herë të fundit babanë tuaj?

Ka qenë dita e diel, kur në një lokal në Ballsh festuam dasmën e vajzës sime të vetme. Në krye të tavolinës vendosëm babanë tim dhe ai ishte shumë i gëzuar. Në mëngjes, ai është ngritur si zakonisht, por i vetëm ka marrë rrugën e fshatit, deri te shtëpia

e vjetër dhe këtu ku kemi pasur shtëpinë dhe kemi jetuar vite të tëra, ai vendosi t’i jap fund jetës.

Ai jetonte i vetëm?

Ne jemi larguar nga Lapuleci para 10 vjetësh dhe babai jetonte i vetëm në një shtëpi me qira në Ballsh, për të qenë sa më afër motrave të mia. Kishte dy muaj që e morëm dhe e çuam te shtëpia e motrës time, Jeta Selimi, martuar në Ballsh për t’u kujdesur ajo.

A ishte i trishtuar dje?

Përkundrazi, shfaqi gëzim dhe lumturi të madhe që na pa të gjithë bashkë. Kërceu dhe këndoi në dasmë. Një javë më vonë ne kishim vendosur të bëjmë një tjetër dasmë të vajzës në Greqi për të mbledhur miqtë tanë atje dhe njerëzit e dhëndrit. Tani jam shumë i trishtuar që na ndodhi kështu.

Ishte i sëmurë babai juaj, apo vuante nga depresioni?

Jo, absolutisht, babai im ishte shumë normal dhe me shëndet të mirë. Ai ishte ende i fortë.

Kishte probleme financiare?

Përkundrazi, në xhepin e xhaketës, që ai kishte lënë në oborr, i gjetëm 500 mijë lekë (të vjetra) në xhep. Ne kujdeseshim për të dhe atij nuk i mungonte asgjë. Madje, tani kisha ardhur edhe për t’i bërë dokumentet babait e për ta marrë në Greqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›