Hajduti dhunon kryefamiljarin,e qëllon me leva pasi e pikasi
SKRAPAR – Shkon për të vjedhur, dhunon të zotin e shtëpisë. Ka përfunduar në pranga një 39-vjeçar pasi ka grabitur një banesë në qytetin e Çorovodës, ndërkohë që ka plagosur dhe pronarin e saj. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së shtunës kur Eduart Gëzhilli ka hyrë në shtëpinë e Diell Zaimit, në lagjen “13 Shtatori”. Burime të komisariatit të policisë Çorovodë pohuan se 39-vjeçari ka hyrë në banesën e Zaimit rreth orës 01:00 pas mesnate për të vjedhur. Ai mësohet se është pikasur nga pronari i banesës që ka ndërhyrë menjëherë, por është ballafaquar me dhunën e autorit. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se telefonata e disa shtetasve ka sinjalizuar sallën operative të policisë duke treguar se një person po masakron një pronar banese. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi i gatshëm i policisë, i cili ka identifikuar autorin e kësaj vjedhjeje. Policia ka transportuar për në spital të dëmtuarin rëndë, ndërsa ka zbardhur dhe momentet e përplasjes me autorin. Sipas saj, fillimisht Gëzhilli ka trokitur në derë. Kur ka parë se askush nuk e ka hapur dhe duke menduar se brenda nuk kishte njeri ai e ka shqyer atë me leva hekuri. Zhurma ka shtyrë të zotin e shtëpisë të shikojë se çfarë ka ndodhur. Papritur ai është ndeshur me hajdutin, i cili e qëllon me levën në kokë e trup. Kryefamiljari ndodhet në spital akoma, në gjendje të rëndë, ndërsa autori u arrestua nga policia brenda një kohe të shkurtër. Policia po punon për të zbardhur dhe ngjarje të tjera nëse Gëzhilli ka pasur gisht. Ndaj tij është ngritur akuza e grabitjes dhe e plagosjes së rëndë të Zaimit.
d.xh