E Diel, 1 Nëntor 2026

“Posta shqiptare,bëhet lider me transportin”

 

Reformë rrënjësore në postën Shqiptarë. Në një intervistë për gazetën, drejtori Arqile Gorea tregon ndryshimet. Zoti Gorea para vitit 2005 Posta Shqiptare i ngjante një godine të braktisur. Cila është situata aktuale dhe a keni arritur të ktheni besimin e humbur të klientit ndaj kompanisë?
Situata e Postës Shqiptare është në rrugë e sipër mendoj se kuotat që kemi arritur janë thjeshtë integruese jo dominante. E them këtë për faktin se objektivi ynë është kapja e standardeve evropiane të shërbimit. Nuk duhet te kënaqemi me rezultatet e arritura deri më sot, sepse Posta Shqiptare gjithmonë ka punuar dhe vazhdon të punojë me projekte siç është Dokumenti Nr.1 i Zhvillimit, i cili u përfundua dhe aktualisht jemi në zbatim të Dokumentit nr.2 të Zhvillimit, i cili si fazë ka vitin 2011. Ne ndihemi mirë që jemi pjesë e platformës së qeverisë shqiptare për t’u integruar në BE. Jemi krenarë që mundëm të bëjmë Shqipërinë me Kod Postar, duke e integruar atë në familjen e madhe evropiane. Eshtë pikërisht ky ZIPKOD, i cili merret sot si model përsa i përket cilësisë dhe origjinalitetit të vet të zgjidhjes së shumë problemeve të tjera siç është dhe sistemi i adresave. Sigurisht nuk mund të themi se janë standarde maksimale, por as të nivelit të ulët. Sot jemi në nivelet e mesme të BE të cilësisë së shërbimit, pra në normalitet. Na vjen mirë që qytetarët tek ne sot besojnë dhe nuk e konsiderojnë më Postë Shqiptare si një godinë të braktisur dhe e harruar para 2005, por që sot ata vlerësojnë as kompani është kthyer në një institucion ku punohet intensivisht gjithnjë në zgjidhje të problemeve të qytetarëve.
Çfarë dua të them me këtë?! Nëse në vitin 2005 ne kishim 5 milionë veprime postare sot numërojnë mbi 20 milionë. Ndërkohë veç investimeve pa fund kemi pasur dhe shtim të fuqisë punëtore.
Ndërkohë nga 27 shërbime tradicionale që kishte Posta në 2005 ne sot numërojmë 85 shërbime financiare dhe postare. Duke thithur këto shërbime të reja, ne qytetarit arritëm t’i krijojmë 3 mundësi: Të paguajë para më pak, të kursejë kohën dhe të ruaj personalitetin e tij. Ndryshe nga bankat dhe institucionet e tjera Posta Shqiptare nuk punon deri në orën 14:00, por nga ora 08:00 deri në orën 20:00, nga e hëna në të diel. Nuk është e nevojshme të përmend shumë, por janë iniciativa shumë të njohura në të cilat Posta Shqiptare ka bërë hapa shumë të rëndësishme në favor të interesave të qytetarëve. Përmendim legalizimin e dokumenteve në MPJ dhe ambasadën greke. Dëshmitë e Penalitetit, shërbimi i dërgimit të Hipotekës në shtëpi e shumë të tjera, të cilat i kushtonin qytetarëve ditë të tëra të humbura si dhe para ndërsa tani kjo marrëdhënie zgjidhet nga Posta Shqiptare në mënyrë shumë korrekte e të shpejtë. Ne mundohemi të jemi kontemporanë, të ecim me zhvillimin e shoqërisë. Duke falënderuar shtetin shqiptar jo vetëm për ndihmën që i ka dhënë Postës Shqiptare, por dhe ndërtimin e rrugëve të standardeve evropiane sot përballemi me një realitet krejt të ri. Për këtë, për të ecur me hapin e qeverisë, ditët e fundit morën një vendimin që duke filluar nga 1 shtatori me mjetet e transportit, ne të mund të prekim skajet më të largëta me 2-4 orë më shpejt se sa më parë. Pra, ky sistem rrugor në përmirësim për të mos thënë ne perfeksion ka sjellë që për rrjedhojë dhe ne të jemi me të shpejt në ofrimin e shërbimeve tona, më prezentë dhe me kosto më të ulët pranë qytetarëve, klientëve tanë, pra 50% më lirë se tregu. Nga 1 shtatori Posta Shqiptare u ofron redaksive të gazetave dhe revistave një situatë krejt të re në transport. U afrojmë shqiptarëve një punë më cilësorë në kohë më të shpejt me çmime më të ulëta.
Pra, folët për një riorganizim të ri të transportit. Mund të na thoni më konkretisht ku konsistojnë këto ndryshime radikale dhe kush përfiton nga to?
Së pari, qytetari duke na zgjedhur ne, na konsideron lider në tregun e shërbimeve postare, ndaj ne po e ndjejmë si obligim të bëhemi lider dhe në shërbimin e transportit. Ato që përfitojnë në kuptimin e produktit përfundimtar janë klientët shqiptarë dhe madje mund të duket çudi, por përfitojnë dhe klientët e huaj. Do të thoni pse?! Po sepse përpunimi i mallrave i objekteve me shpejtësi e cilësi dhe me çmime me të ulëta është pjesë e shërbimit postar evropian dhe ndërkombëtar, ku gjithçka përcaktohet në tarifë. Duke u paraqitur me shpejtësi më të madhe, tarifa të ulëta dhe me cilësi shërbimi të niveleve të pranueshme evropiane paraqitemi si një komponent që ul kostot e shpenzimeve ndërkombëtare. Nëse një klient shqiptar që merrte një pako ose zarf në sistemin ndërkombëtar donte 7 ditë të arrinte në qendrën transite në Tiranë dhe deri në pikat periferike sot qytetari e merr për 2 ditë. Po flasim për shtypin të cilit ne i erdhëm në ndihmë dhe në zonat më të thella rurale, që në Sarandë arrinim në një orar jo të përshtatshëm dhe ata ishin të detyruar dhe janë të detyruar të shkojnë me makinat e tyre dhe të përballojnë kosto të madhe financiare për ta realizuar, tani jemi ne që iu gjendemi pranë. Pas 1 shtatorit ne shkojmë në një kohë rekord brenda 4 orësh, duke marrë vetëm gjysmën e saj që ata shpenzojnë. Pra, ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për informim, të institucioneve dhe organeve të informacionit, të cilat kanë problem jo vetëm zonat rurale, por dhe mbijetesën për kostot që ato përballojnë për nxjerrjen e gazetës. Pra, në fund të fundit përfitimi duke iu përgjigjur pyetjes është se përfiton klienti, i cili mund të jetë qytetari, lexuesi i gazetës, botuesi por edhe biznesmeni. Të gjithë shtetasit pa përjashtim iu duhet të trokasin në zyrat postare për nevojat e tyre. Shikojmë se ato kanë ndryshuar pasi në to është investuar.
A mund të na jepni një statistikë sa zyra postare keni rikonstruktuar, nëse keni hapur të reja në shkallë vendi si dhe tjera investime në sektorë të tjerë?
Nga 551 zyra postare që janë gjithsej në Postën Shqiptare kanë mbetur vetëm 30 zyra që janë në rikonstruksion e sipër dhe ne përfundojmë të gjithë rikonstruksionin e rrjetit tonë postar. Por jo vetëm kaq ne duke i kushtuar rëndësi të madhe Filialit të Transitit dhe Transportit që është mushkëria e Postës Shqiptare. Pasi kemi përfunduar fazën e parë këtë vit përfundojmë rikonstruksionin e plotë duke e modeluar në parametrat e BE. Nuk ishte rastësi që ekspertët e huaj, të cilët mbërritën për një vizitë në këto filiale e morën si shembull duke u shprehur se janë zyra të nivelit evropian. Aktualisht jemi në pjesën e dytë të investimit i cili përfshin formatizimin total në nivele ndërkombëtare. Megjithatë janë dhe dy iniciativa të tjera, ndërrimi i imazhit të zyrës postare qendër në Tiranë në të cilën ka filluar rikonstruksioni në parametrat e një banke të mirëfilltë. Në projektet e Postës Shqiptare kemi risi në shndërrimin e qendrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Postave në një institucion dinjitoze, që do të jetë i krahasueshëm në nivele bashkëkohore në të gjithë Evropën. Por ky është një investim në godina, le të mos harrojmë se ne po investojmë edhe në teknologji. Për hir të së vërtetës ne këtu kemi bërë pak, jo për efekt të neglizhencës sonë, pasi që me fillimin e zbatimit të Dokumentit Nr.1 të Zhvillimit kemi pasur përparime, por për arsye objektive dhe subjektive, të cilat kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin e njerëzve pikë në të cilën kemi ecur me hapa ritmikë, duke krijuar database-in e Postes Shqiptare përsa i përket burimeve njerëzore, si dhe me kurse të shpeshta kualifikimi. Megjithatë ne ndihemi mirë kur themi se në muajin shtator do të pajisim të gjithë filialet dhe zyrat postare me të gjitha sistemet elektronike të nevojshme, një investim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e kompanisë. Ne kemi një fat të mirë, por kemi dhe shumë detyrime. Kemi fatin e mirë se jemi të shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe këtu vlen për t’u përmendur se sistemi më i mirë bankar që operon sot në Shqipëri mbulon vetëm 30-35% të territorit të Republikës, ndërsa ne mbulojmë 100% të saj. Ne jemi partnerë të qeverisë në rrugën kundër informalitetit sepse i japim mundësi të gjithë qytetarëve që të kryejnë transferta parash kudo nëpërmjet linjave të deklaruara dhe ligjore. Kemi dhe detyrimin të përmirësohemi për të arritur nivelin e shërbimit bankar për të iu afruar qytetarëve me shërbime të atij niveli që kërkon koha dhe platformat inovative që ka Qeveria sot. Investim tjetër i rëndësishëm është bërë edhe në fushën e marrëdhënieve me partnerët tanë. Ata sot nuk na trajtojnë më si inferiorë, por përkundrazi si partnerë. Sot unë mund të përdor termin “bashkëpunëtor” apo edhe “kontribuues” jo vetëm në sistemin Evropian, por dhe Botëror të shërbimit postar. Në marrëdhëniet ndërkombëtare ka qenë një hap shumë i rëndësishëm ndërtimi i marrëdhënieve me Postën italiane ku kemi një marrëveshje bashkëpunimi dhe mund të themi që do të japë produkte të reja të përbashkëta, duke filluar nga certifikimi elektronik i firmës për efekt dokumentacioni, transfertën e parave nëpërmjet aparatit celular e deri tek qendra e transitit, të cilën e përmenda dhe pak më sipër.   
Të bie në sy fakti që ndonëse gjatë këtyre viteve në kompanitë shtetërore ka pasur shkurtim të fuqisë punëtore, Posta Shqiptare ka bërë të kundërtën, duke investuar bindshëm në burime njerëzore. Në këtë mënyrë ju keni nxjerrë nga skema e papunësisë shumë persona si dhe i keni kursyer para buxhetit të shtetit, pasi nuk paguhet më ndihma ekonomike për ta? Sa është numri i fuqisë punëtore që keni marrë gjatë këtyre viteve?
Në kuadrin e reformimit si kompani shtetërore kemi rritur numrin e punonjësve ndryshe nga shumë kompani të tjera, të cilat e kanë shkurtuar fuqinë punëtore. Çdo i papunë është barrë në kurriz të shtetit, pasi është një kosto më shumë për sa i përket dhënies së asistencës dhe ndihmës ekonomike, është kontingjent i krimit sepse mund të shohë si shpresë jetese për të bërë punë të dyshimta ose jo të ligjshme, është gjithashtu dhe një pjesë depresive e shoqërisë. Ne duke punësuar rreth 600 punonjës kemi kthyer shpresën e 600 familjeve, kemi rritur produktivitetin e Postës, duke hapur punë të reja dhe shërbime te reja, por kemi hequr dhe një pjesë të konsiderueshme te shoqërisë nga varfëria. Pra veç kësaj ne sot kontribuojmë në buxhetin e shtetit për këto të punësuar. Pra shtimi i numrit të punonjësve dhe arritjeve të tjera të Postës Shqiptare nuk ka ardhur rastësisht, por ka ardhur si rezultat jo vetëm i rifitimit të shërbimeve të humbura dhe të vjetra tradicionale që kishte posta, por dhe me krijimin e shërbimeve të reja, me filozofinë e të kthyerit të zyrave postare në një supermarket të vogël shërbimesh. Problemi më i rëndësishëm i Postës Shqiptare ose betejë me serioze dhe që kërkon kualitete është beteja me ndryshimin mentalitetit. Ne deri më tani folëm për ndryshim të teknologjisë, por në fund të fundit duhet të kuptojmë një gjë. Gjithçka do të menaxhohet nga njerëzit. Kualiteti i njerëzve është ai që do të përcaktoje kualitetin e shërbimeve që ofron Posta Shqiptare. Që të konkurrosh do të thotë të kesh kapacitetet konkurruese dhe që t’i kesh këto kapacitete duhet të kesh burime njerëzore konkurruese. Ndaj duke pasur respekt për klientin ne kemi bërë dhe sondazhe. Për të qenë më konkret dua të fokusohem në rezultatet e pyetësorit që ne organizuam në “Ditën e Klientit” më 25 gusht. Rezultatet më duhet të them se kanë qenë shumë më të mira se sa rezultatet e një sondazhi tjetër të para disa kohëve. Natyrisht ne nuk jemi më të mirët por jemi gjithmonë në përmirësim. Në sondazh veç vlerësimit pozitiv ku mbi 80% e klientëve u shprehën me fjalë të mira, nuk mund të neglizhojmë vërejtjet, të cilat nisin që te burimet njerëzore atje ku diskutuam më parë, atje ku është dhe Stalingradi i Postës Shqiptare. Një pjesë e qytetarëve që plotësuan pyetësorët konstatonin se eksitonin fenomene të tilla, ku punonjës kërkonin ryshfet apo e shikojnë klientin si viktimë që nuk denjojnë t’i përgjigjen me kulturë atij. Për këtë kemi hartuar dhe një ankesë shtesë te kontrata e punës, që ka të bëjë me etikën ku do ta firmosin të tërë punonjësit, pasi ata që nuk i shërbejnë e klientin dhe nuk e njohin mbretin duhet të largohen nga ky shërbim.
Pavarësisht arritjeve dhe rezultate të Postës në këto vite duhet thënë se ka pasur radhë për një shërbim apo një tjetër, apo ndonjëherë edhe ankesa për mosbërritje në destinacion të pakove e kolive postare. A mund të na i shpjegoni arsyet dhe mbi të gjitha masat që janë marrë për mënjanimin e tyre?
Kur Posta Shqiptare kishte 5 milionë veprime postare kompania kishte 2500 reklamacione, ndërsa teksa tani ne kemi arritur 20 milionë veprime postare kemi pasur vetëm 347 reklamacione dhe nga këto vetëm 19 kanë qenë për fajin tonë. Kjo na ka radhitur në standardet evropiane të cilësisë, por ne nuk duhet të ndalemi së perfeksionuari. Sa i përket radhëve ka raste kur ndodhin për shkaqe objektive siç është rikonstruksioni i zyrës postare nr.5 qendër, por dhe subjektive kur punonjësit tanë me neglizhencën e tyre stimulojnë radhët. Këto do të jenë objekt i goditjes sonë duke mos njohur asnjë lloj kompromisi. Ne do të zbatojmë ligjin dhe do të respektojmë klientin, i cili është mbret për ne si misioni ashtu dhe detyrimi ynë. Do të jemi partnere e denjë e qeverisë shqiptare drejt rrugës që ka futjen e BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›