Stuhia detare rrezikon deputetin Tritan Shehu
Stuhia detare rrezikon jetën e deputetit të PD-së, Tritan Shehu. Ndërsa po lundronte me një anije me vela në Jon bashkë me tre miq të tij italianë, dallgët e mëdha kanë vënë në panik udhëtarët. Alarmi është dhënë rreth orës 17:30 në Kapitanerinë e Vlorës, pak kohë pasi era e fortë dhe reshje shiu pushtuan zonën e jugut. Sipas të dhënave zyrtare, anija ku ndodhej dhe deputeti demokrat ndodhej në afërsi të Karaburunit. Vetë Shehu ka kërkuar ndihmë, pasi dallgët e mëdha dhe errësira që po afrohej mund të rrezikonin jetën e tij dhe të miqve. “U frikësuam shumë. Lajmëruam policinë, e cila fatmirësisht erdhi shumë shpejt në ndihmë”, tregoi Shehu pas kontaktimit nga gazeta. Sipas tij, ishin nisur në kohë shumë të mirë dhe nuk e kishin menduar përkeqësimin e shpejtë të motit. “Isha duke lundruar me disa miqtë e mi italianë dhe na kapi një tufan i tmerrshëm. Ne ishim në Dhërmi, kishim ardhur nga Porto Palermo dhe po i drejtoheshim Vlorës kur pas tufanit u prish anija. Zgjati goxha, ishte det i rrezikshëm. Ne lajmëruam menjëherë me telefon policinë, e cila erdhi shumë shpejt. Me ne ishte dhe një marinar italian shumë i mirë, që bëri të mundur manovrimin menjëherë dhe fatmirësisht dolëm shpejt”. Një mjet lundrues i Policisë Kufitare ka arritur me urgjencë, duke shoqëruar anijen turistike drejt portit të jahteve në Orikum rreth orës 19:00. Veç tronditjes, udhëtarët nuk kishin pësuar asnjë dëmtim fizik.
Era e fortë ka vazhduar dhe gjatë orëve të mbrëmjes në zonën e jugut. Në disa lagje të Orikumit ka pasur probleme me energji elektrike, ndërsa kanë pësuar dëme disa biznese që ndodhen buzë detit. Mjetet e vogla të peshkimit janë detyruar të bllokojnë aktivitetin, deri në përmirësimin e kohës.