E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia malazeze parandalon trafikimin e dy të miturave

Policia malazeze konfirmoi të enjten se në vendkalimin kufitar midis Kosovës e Malit të Zi, në Kullë, është parandaluar trafikimi i dy vajzave të mitura nga Shqipëria, të cilat mendohet se nëpërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, do të shkonin në Itali.

Në taksinë e tipit "Mercedes Benz" me targa të Kosovës, të cilin e drejtonte shtetasi kosovar I.P., 56 vjeç, nga Peja, sipas policisë malazeze, ndodheshin tre shtetase të Republikës së Shqipërisë, nga mosha 21 deri në 27 vjeç.

"Në ulëset e fundit ishin të fshehura edhe dy motrat e mitura I.M. dhe L.M. nga Shqipëria, të cilat nga dokumentet personale kishin vetëm certifikatën e lindjes me fotografitë e tyre", tha zëdhënësja e policisë, Tamara Popoviç. Ato i deklaruan policisë se gjoja janë nisur të vizitojnë gjyshen në Mal të Zi, por nuk dinin as emrin, as vendndodhjen e saj.

Zëdhënësja e drejtorisë së policisë malazeze, Tamara Popoviç, thotë se pas hetimeve të bëra të policisë, motrat e mitura shqiptare janë dorëzuar në Qendrën e Asistencës Sociale, ndërsa ndaj tre shtetasve shqiptarë të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, është bërë kallëzim penal në Gjyqin Themelor të Rozhajës. Policia malazeze thotë se dyshohet për një person nga Tirana, të cilit "klientët" i kishin paguar nga 2.800 euro për t‘i nxjerrë ilegalisht nëpërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për në Itali.

Taksia nga Peja është dashur t‘i transportojë klandestinët deri në Rozhajë, e pastaj do t‘i merrte një person, deri më tani i panjohur për policinë, për t‘i dërguar edhe dy motrat e mitura në Itali, ku pretendohet se i kanë prindërit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›