E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy javë ankth për Aldo Baren, avokati kërkon të lihet i lirë

03/12/2009  Kërkesa: Më lironi kanë kaluar të gjitha afatet. Gjykata vendos për dy javë

TIRANË- Edhe rreth dy javë kohë i duhet Vladimir Meçes, avokatit të Aldo Bares për të mësuar se çdo të vendosë gjykata rreth kërkesës për ta lënë të lirë klientin e tij. Meçe depozitoi dje në Gjykatën për Krime të Rënda kërkesën për ndryshimin e masës së sigurimit ndaj Aldo Bares. Në kërkesë Bare shprehet se i kanë kaluar të gjitha afatet ligjore dhe për këtë qëllim duhet të lihet i lirë. Në kërkesën e depozituar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda mbrojtësi argumenton se klientit të tij i kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore të gjykimit dhe të paraburgimit. Kërkesa pritet që të hidhet në shortin elektronik, si dhe t’i caktohet një gjykatësi për ta shqyrtuar atë. Do të jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e të cilësuarit si kreu i “Bandës së Lushnjës”. Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vepra të rënda penale, akuza për 20 vrasje, krijimi i organizatës kriminale, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh dhe kryerje të veprave të tjera penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Procesi gjyqësor në ngarkim të tij pritet që të nisë në ditët në vazhdim, pasi ishte bllokuar për shkak të mos njoftimit të Bares, gjatë kohës që ai ndodhej i arrestuar në Turqi dhe pritej ekstradimi në vendin tonë. Gjykata revokoi edhe vendimin e marrë për dërgimin e letër-porosisë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë për njoftimin e Bares mbi nisjen e procesit gjyqësor në ngarkim të tij.

Dëshmitarët dhe ekstradimi

Në seancat e radhës pritet që të paraqiten edhe dëshmitarët e parë të akuzës. Bare u arrestua në Ankara tre vjet më parë. Ai u mbajt në gjendje arresti nga shteti turk, në pritje të ekstradimit. Ndërsa kërkohej nga dy shtete, Italia nga njëra anë, që e kërkonte për akuzat e trafikut të drogës dhe vendi ynë, i cili kishte ngritur dhjetëra akuza të rënda, kundër kapos së krimit në Lushnjë.

Banda e Lushnjës e roli i “të madhit”

Banda famëkeqe e Lushnjës fillesat e saj, i ka rreth vitit 1995 ku një sherr midis Tur Dajës dhe Alfred Shkurtit që kishte si motiv influencën e disa zonave të drogës, bëri që dy personat të krijonin grupet e tyre kriminale me qëllim eliminimin e njëri-tjetrit. Prej anëtarë Bare thirrej me nofkat të tilla si: “i madhi”, “profesori”, “kryetari” e të tjera. Të gjitha urdhrat për vrasje zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës.

Pronat e bosit dhe sekuestro

Ndër këto pasuri përmenden ndërtesë dykatëshe në afërsi të komisariatit Lushnjë, pasuria e lagunës së Karavastasë, ndërtesa në lagunën e Karavastasë, bingo në qendër të qytetit Lushnjë, aksionet që ka pasur për pastrimin e qytetit dhe taksat e mbledhura nga stadiumi “Roza Haxhiu”. Bare, i quajtur Mikel Kodra, ia ka shitur gati gjithë lagunën, një personi tjetër. Por, akt-shitblerja është bërë në mënyrë të tillë, sikur Aldo Bare ta kishte pronë të tijën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›