Pas tetë muajsh fillon gjykimi për Ismail Pajën
01/04/2005 TIRANË – Është shtyrë procesi gjyqësor për tetë muaj me radhë. Në të shumtën e rasteve, shkaku i shtyrjeve ka qenë avokati mbrojtës, Ferdinand Doja. Ndërsa i pandehuri paraqitej në sallën e gjyqit, mungonte avokati mbrojtës, i cili lutej me një kërkesë se nuk mund të vinte për arsye objektive. Ismail Paja më në fund arrin të dëgjojë kërkesën për gjykim të lexuar nga prokurori Olsjan Çela. Motivet e vrasjes së Agim Kastratit nga i pandehuri, ende nuk janë zbuluar. Ajo që dihet është fakti se në momentin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe dy persona të tjerë, një vajzë dhe një djalë. Ky fakt ka dalë nga kryerja e ADN-së në SHBA. Pra, për akuzën, i pandehuri Ismail Paja është autor i vrasjes së Agim Kastratit, kjo e vërtetuar nga analiza e ADN-së së pështymës. Por, avokati Ferdinand Doja nuk është dakord me analizën e kryer ndaj të pandehurit. Ai tha se kundërshton këtë provë ende pa e lexuar para trupit gjykues. Sipas prokurorit, kur ka qëlluar mbi Agim Kastratin, i pandehuri ka qenë i maskuar me një kapuç, i cili më pas është bërë edhe objekt kqyrjeje.