Ibraj në Stamboll, takon kadetët shqiptarë

01/04/2005 TIRANË- Kadetët (studentët) tanë ushtarakë do të përzgjidhen e do të diplomohen në Turqi, në bazë të aftësive të tyre. Ky ka qenë premtimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Turqisë, Gokhan Aydier, i cili ka ftuar prej katër ditësh drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Bajram Ibraj. Ky takim, sipas zëdhënëses së Policisë së Shtetit, Edlira Teferiçi, u zhvillua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe rendit publik, nënshkruar nga ministrat përkatës të Rendit të të dy vendeve. Në vizitën e parë, Ibraj i shoqëruar nga pjesëtarët e tjerë të delegacionit, ka vendosur një kurorë në Mauzoleun e themeluesit të shtetit modern turk, Mustafa Kemal Ataturk, e më pas u bisedua për problemet që shqetësojnë policitë e të dy vendeve, fushat e mundshme të bashkëpunimit, etj. Të dy drejtorët, pas disktutimeve të rastit, në funksion të nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit, nënshkruan një procesverbal, në të cilin të dyja palët ranë dakord për të vazhduar luftën e përbashkët kundër grupeve terroriste, krimit të organizuar ndërkombëtar, lëndëve narkotike, trafikut të qenieve njerëzore, etj. Duke analizuar situatën dhe problematikën specifike, të dy drejtuesit, sipas zëdhënëses, ishin të mendimit për rritjen e bashkëpunimit, veçanërisht në zbulimin dhe njohjen e organizatave terroriste të lidhura me krimin, përcaktimin dhe identifikimin e dëshmitarëve të ndryshëm, zhvillimin e metodave të luftës kundër krimit të organizuar, shkëmbimit të informacioneve, raporteve dhe informacioneve të përbashkëta. Në axhendën e takimeve ishte planifikuar dhe një vizitë në Akademinë e Policisë në Ankara, në të cilën ndjekin studimet një numër i konsiderueshëm studentësh shqiptarë. Pas një takimi prezantimi u zhvillua dhe ceremonia e dorëzimit të “Medaljes së Mirënjohjes”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, për Akademinë e Policisë në Ankara, me motivacionin “Për kontributin e dhënë në edukimin e shumë brezave studentësh shqiptarë”. Gjatë kësaj ceremonie, Ibraj tha se "Akademia e Policisë së Turqisë është një ndër akademitë më moderne të vendeve me të cilët Shqipëria ka marrëdhënie të bashkëpunimit policor, ka përgatitur në një nivel shumë të lartë profesional dhjetëra studentë shqiptarë, të cilët sot bëjnë pjesë në Organizatën e Policisë së Shqipërisë dhe që dallohen për disiplinën, aftësitë profesionale dhe drejtuese".