“Peripecitë për të shkuar në Shqipëri për ‘Korridorin Nr. 8’”
• “Korridori Nr. 8”, filmi i njohur i regjisorit bullgar Boris Despodovit, do të shfaqet këto ditë në Berlinale, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Gjermani.ANILA MEMAKy realizim i regjisorit dhe skenaristit bullgar Despodovi, autor i njohur i disa filmave vizatimorë, mbajtës i shumë çmimeve ndërkombëtare, është ftuar për të qenë pjesë në këtë garë ndërkombëtare në kuadër të seksionit “Forum ndërkombëtar i kinemasë së re”, i cili paraqet vepra me kërkime të reja po nga talente të reja. Ideja për “Korridori Nr. 8” ka lindur pas një ftese të bërë regjisorit para disa vitesh gjatë një festivali filmi në Tiranë. Për radio “Bullgaria”, regjisori i filmit ka dhënë një intervistë të gjatë, ku shpjegon gjithë peripecitë në lidhje me prodhimin e këtij filmi, i cili këto ditë ndodhet në garë në Berlin. “Organizatorët e festivalit më thanë: Gjithçka për ju është në rregull, do të flini në një hotel të mirë, do t’ju kthejmë paratë, të cilat do të harxhoni për udhëtimin, vetëm duhet të vini në Tiranë. Atëherë shkova në agjencinë e udhëtimeve me avion. Në atë kohë ende nuk kishte fluturim direkt Sofje – Tiranë. Kishte vetëm një përmes Milanos, ku edhe duhej të flija. Kështu që mora vendim të udhëtoj me tren. Mirëpo aty kuptova se kurrë nuk ka pasur linjë hekurudhore Bullgari-Shqipëri. Pyeta nëse ka autobus – nuk kishte”, shprehet regjisori, i cili në rrëfimin e tij tregon më tej: “Më pas i telefonova një shoqeje, për të cilën e dija se kishte udhëtuar për në Shqipëri dhe e pyeta se si mund të shkoja në Tiranë. Ajo më tha: “Unë shkova me veturë, por me sa di, një herë në ditë në kufirin shqiptaro-maqedonas kalon një mikrobus fshatar, i cili shkon deri në Tiranë, po të kesh fat të mirë, mund ta kapësh”, thekson regjisori Despodovi, për përpjekjet e tij, të cilat si përfundim nuk u realizuan. I çuditur nga kjo ndodhi vendos të krijojë një film. “Në fund të fundit nuk arrita të shkoj në kryeqytetin shqiptar, por kjo histori më bëri përshtypje të madhe dhe më erdhi ideja të krijoj një film. Fillova të punoj për realizimin e kësaj ideje. Më vonë kuptova se ka një projekt infrastrukturor, i cili duhet t’i lidhë këto shtete, duke kaluar përmes Ballkanit nga Lindja deri në Perëndim – nga Deti i Zi deri në Detin Adriatik, thotë Boris, duke shtuar se në trasenë e projektit në fjalë, “Korridori Nr. 8”, ka segmente të gatshme në shtetet e veçanta, por ai ende është në proces ndërtimi. Mirëpo kjo nuk është tema e filmit”. Sipas Boris Despodovit, ai është një mozaik ngjarjesh dhe njerëzish, ku çdo episod paraqet një hero dhe, në fakt, njerëzit, të cilët jetojnë afër rrugës së ardhshme, janë në thelbin e veprës. Në këtë përrallë bashkëkohore për Ballkanin, heronjtë janë nga shtresa më të ndryshme sociale. Filmi i paraqet njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Qëllimi i regjisorit ka qenë të mos ndërhyj dhe aq në jetën e tyre, por vetëm ta vëzhgojmë dhe ta paraqesë Ballkanin ashtu siç është. “Kuptohet tërë kjo histori është lidhur me temën e izolimit midis nesh, sepse në fund të fundit mungesa e komunikacionit, e mundësisë që njerëzit të takohen, krijon paragjykime. Ndër stereotipat më të shpeshtë në përfytyrimet tona për Shqipërinë, për shembull, janë bunkerët e regjimit totalitar dhe izolimi”, thotë Despotovi. Megjithatë është i bindur se nuk është kështu në të vërtetë. Për Shqipërinë flet mirë dhe tregon se ajo është një vend shumë interesant dhe i ngrohtë, me njerëz shumë zemërbardhë. “Më pak probleme me xhirimin e filmit kisha pikërisht në Shqipëri, sepse njerëzit janë shumë mikpritës. Ndoshta për shkak të zhvillimit më të dobët të mediave, shqiptarët nuk kanë ato paragjykime, të cilat i kemi ne ndaj gazetarëve dhe kineastëve. Ata ishin shumë derëhapur, na ftuan në shtëpitë e tyre dhe kudo”, shton Boris. Tregon se në film të tria shtetet krijojnë së bashku portretin e Ballkanit, Bullgaria si anëtare e BE-së, Maqedonia si pjesë e ish-Jugosllavisë, kurse Shqipëria si një vend, ku dominon popullsia myslimane dhe në të njëjtën kohë si një vend, i cili ka qenë i izoluar nga tërë bota për shumë vite. “Shqiptari ka dalë nga atdheu që gjatë vitit 1990”, thotë ai. Ç’simbolizon “Korridori Nr. 8”? “Korridori Nr. 8” është simbol i dëshirës së kombeve në Ballkan të shihen, të njihen, sepse ne dukemi në një mënyrë të ndryshme, por në fakt ngjajmë shumë njëri me tjetrin”, shprehet regjisori bullgar. Sipas tij, filmi është xhiruar nga operatorët Boris Misirkov dhe Georgi Bogdanov, producente është Martiçka Bozhillova nga “Agitprop” – një prej kompanive bullgare, të cilat punojnë me partnerë të huaj. “Korridori Nr. 8” është përkrahur nga programi evropian ‘Media’ dhe nga fondi zviceran për zhvillim i Ministrisë zvicerane të Punëve të Jashtme. Filmi tashmë është blerë nga disa kanale televizive në Finlandë dhe Zvicër. Ndërsa këto kohë po shfaqet në Berlin, në festivalin e njohur të kinematografisë “Berlinale”. Shqiptarë në “Berlinale”Në “Berlinale” nuk mungon gjuha shqipe. Flitet për të në filmin bullgar “Korridori Nr. 8”, një dokumentar për jetën, ëndrrat dhe paragjykimet e njerëzve që jetojnë rreth rrugës automobilistike të pandërtuar, që do të lidhte Detin e Zi me atë Adriatik. Por kaq edhe në filmin grek “Dhiorthosi” (Korrigjimi), i cili trajton përplasjen e fenomenit të migracionit me atë të racizmit. Të dy këta filma do të shfaqen në kuadër të programit shoqërues “Forumi Ndërkombëtar i Filmit të Ri”. Dhe nëse Dhiorthosi, i vetmi film grek në Berlinale, do të ketë edhe aktorët me vete, atëherë mund të themi, se në Berlinale mungon Shqipëria, por të paktën është një ekip shqiptar. Përveç regjisorit Thanos Anastopoulos e aktorit kryesor, pjesa tjetër janë gati të gjithë shqiptarë me banim në Greqi. Festivali në Gjermani Për herë të 58-të në Berlin do të shtrohet tapeti i kuq për yjet e kinematografisë botërore. Krahas regjisorëve Martin Skorceze dhe Brajan de Palmës, tapetin pritet ta shkelin edhe muzikantët e grupit “Rolling Stones” e Madonna. “Shine a Light”, i Skorceze për historikun e rokerve legjendarë “Rolling Stones”, ka hapur ngjarjen më të rëndësishme kinematografike në Gjermani. Ky film ashtu si edhe katër të tjerë, ndodhet jashtë konkurrence. Deri më 17 shkurt nëpër kinematë e kryeqytetit do të shfaqen mbi 400 filma të metrazheve, zhanreve dhe vendeve të ndryshme, por për “Ariun e Artë” dhe atë të “Argjendtë” garojnë vetëm 21.