E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajrie Brace: Optimizmi me beri ta mposht kancerin

Ka energjine dhe entuziazmin, qe ndoshta shume gra te moshes se saj do ta kishin zili. E qete ne te folur, optimiste per jeten, Hajrie Brace percjell maturi ne cdo fjale qe shpreh. Dikush qe e takon per here te pare, por edhe dikush qe mund ta takoje per te disaten here nuk mund ta imagjinoje kurre, qe dikur jeta e pedagoges 59-vjecare ka qene ne pikepyetje per nje periudhe te gjate kohe. Ka luftuar me kancerin, jo vetem permes operacionit, mjekimeve dhe kimioterapise, por edhe permes optimizmit dhe kurajes per te vazhduar jeten, per t'i pare femijet e saj te rriten dhe per ta pare veten gjyshe. Sot nuk ndjehet aspak e kompleksuar ndersa flet per semundjen, qe e preku gati 10 vjet me pare. Perkundrazi, ajo mendon se grate duhen te jene te informuara dhe te ndergjegjesohen per te kryer diagnostikime periodike, qe do te conin ne frenimin e kesaj semundjeje duke shpetuar jetet njerezore.

Zonja Hajrie, si e mesuat, qe ju ishit prekur nga kanceri i gjirit?

Ka ndodhur, dhjete vjet me pare. Nje dite ndersa isha ne dush preka nje mase, qe nuk ishte e imja. E kuptova, qe dicka nuk shkonte, megjithate vendosa te mos nxitohesha per te dale ne perfundime. Nuk e bisedova me askend dhe duke perfituar nga fakti, qe punoja si pedagoge ne Fakultetin e Infermierise, shkova menjehere te beja analizat. Citologjia nxori perfundimin, se behej fjale per kancer ne fazen e trete, agresive infiltrative, gje qe do te thoshte se me mbeteshin edhe disa muaj jete, por duhej te operohej.

Si e perjetuat kete fakt?

Pas ekzaminimit situata, qe m'u krijua ishte e veshtire. Mund te them nje traume psikologjike, ku gjithcka m'u permbys. "Vertet do te vdes? "- mendoja. Me vinte keq per femijet, vecanerisht per vajzen, qe ne ate kohe ishte 12 vjece, por edhe per vete jeten time. Duke menduar te gjitha keto, tre dite perpara operacionit organizova ditelindjen e djalit, pa i treguar askujt. Beme nje feste te madhe dhe gjithcka e regjistruam ne kamera, ne menyre qe cfaredo te ndodhte, ata ta kishin si kujtim. Kishte momente kur mbyllesha e vetme dhe qaja, megjithate kurre nuk doja te me meshironin.

Po kur u futet ne sallen e operacionit cfare menduat?

Ah, aty nisa te mendoj per nje tjeter problem, qe tani me duket krejtesisht anesor. Kur hyra ne salle po mendoja, se si do te dukesha me nje gjoks te hequr? Si do te ishte paraqitja ime perpara studenteve, ne jeten time te perditshme? Atehere mendova se do te kishte qene me mire te mos operohesha e te mos kaloja gjithe traumat e terapise. Por, mjekja Adelina Mazreku e cila kreu edhe nderhyrjen me bindi, se kanceri ishte nje semundje si gjithe te tjerat dhe qe mund te luftohej. Dhe atehere une vendosa te luftoj, duke kryer te gjitha terapite e mbi te gjitha duke i dhene vetes kurajen se do te mbijetoja. Kisha deshire te behesha gjyshe dhe e arrita. Eshte shume e rendesishme, qe cdo semundje te kurohet edhe psikologjikisht, te perballesh me te me deshiren per te jetuar. Megjithate, duhet te them se kam qene korrekte dhe strikte ne zbatimin e terapise e madje edhe tani pas 10 vjetesh, vazhdoj mjekimin dhe kontrollet periodike.

Sa kohe zgjaten seancat e terapise dhe sa te veshtira kane qene per ju?

Kam ndjekur 18 cikle kimioterapie dhe 30 seanca rreze, qe zgjaten rreth nje vit. Edhe pse perjetimi ka qene i veshtire, punen nuk e lashe asnjehere. Mendoj se marredhenia me punen dhe studentet, me ka ndihmuar per ta larguar vemendjen nga semundja. Megjithate ne kete periudhe fillimisht kam perjetuar keq edhe renien e flokeve, gje qe e zgjidha pastaj duke perdorur paruke, qe m'i kane siguruar vete studentet. E kuroja me kujdes imazhin tim, permes parukes. Nje here i zgjasja floket e me pas i prisja, pra ndryshoja paruke. Ndersa ne familje perpiqesha ta kaloja me humor. "Jam moderne dhe prandaj jam bere tullace", u thoja femijeve kur e hiqja paruken ne ambientet e shtepise. Nuk doja, qe ata te ndjeheshin keq duke me pare me ate pamje.

Po sot, qe e keni mposhtur semundjen, ana estetike e gjirit te hequr a ju shqeteson?

Jo, tashme kjo ane nuk me shqeteson pasi e kam zgjidhur permes protezes, e madje kam mesuar edhe shume gra te prekura nga kjo semundje, qe te improvizojne nje proteze. Ne shqiptaret jemi shume improvizues.

Ju, qe keni lene pas nje semundje kaq te rrezikshme, cfare mesazhi do te percillnit per grate e tjera, qe jane prekur prej saj?

Them se eshte shume e rendesishme, qe kjo semundje te luftohet ne radhe te pare me besimin tek vetja dhe deshiren per te luftuar. Pikerisht me kete besim une arrita te mbijetoj dhe jam sot mes njerezve, me e forte se kurre. Drejtoj nje departament te tere ne Universitetin Amerikan te Tiranes dhe ndjehem mire. Kam arritur ne nje faze, ku gjithcka per te cilen fola me siper me duket si nje enderr. Nga kanceri mund te mbijetosh ashtu si nga cdo semundje tjeter. Rendesi ka, qe te kapet sa me shpejt dhe ekzaminimi i gjirit e mundeson kete.

Veshtiresia per medikamente

Edhe pse kane kaluar tashme dhjete vjet, qe Hajrie Brace eshte ndare nga kanceri ajo vazhdon te trajtohet me mjekimin perkates ashtu si shume gra te tjera, qe mund te kene nevoje per te. Behet fjale per nje medikament, te cilin ato e marrin me rekomandim te posacem te mjekut dhe qe jepet falas. Por sic tregon ajo, ne periudhen dhjetor-shkurt, keto paciente nuk arrijne ta gjejne kete medikament, gje qe eshte shume e demshme per shendetin e tyre. "Vitin e kaluar kam pasur hemorragji, pasi nuk arrita te marr mjekimin", shprehet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›