Hajrizi shkon në Turqi
Sipas të gjitha gjasave, Drilon Hajrizi karrierën do ta vazhdojë në Turqi. Basketbollisti i Trepçës është afër t’i përmbyllë bisedimet me Istanbul Teknik University (ITU), skuadër kjo e cila nga sezoni i ri pritet të garojë në elitën e basketbollit turk.
“ITU-ja është shumë e interesuar të nënshkruajë kontratë me mua. Nëse klubi e siguron pjesëmarrjen në elitë, atëherë gjatë kësaj fundjave, apo në fillim të javës që vjen, do të udhëtoj drejt Turqisë për t’i përmbyllur negociatat me këtë skuadër dhe për të nënshkruar kontratë, normalisht pas atyre kontrollimeve mjekësore, etj”, deklaroi Drilon Hajrizi për Express.
Ai thotë se sipas të gjitha gjasave, do t’i bashkohet këtij klubi, në të cilin para pak kohësh u transferua edhe prishtinasi Mustafë Merovci. “Por, edhe nëse eventualisht dështon transferimi im në këtë klub, unë kam oferta edhe prej disa skuadrave të tjera. Pra, 100 për qind në sezonin e ri do të luaj në Turqi. Nuk jam i interesuar të vazhdoj në Kosovë, sepse aktualisht këtu Liga është shumë e dobët”, u shpreh Hajrizi, i cili në stinorin pranveror mbrojti ngjyrat e Trepçës.