Shqiptarët synojnë kualifikimin në rrethin e dytë

Të enjten do të zhvillohen ndeshjet kthyese të rrethit të parë të kualifikimeve për Europa League. Ekipe shqiptare në përballjet e para ishin të shkëlqyeshëm, derisa tash synojnë kualifikimin për në rrethin e dytë.
Flamurtari do ta mirëpresë të enjten në Vlorë, skuadrën e Buduçnostit (16:30), të cilën e mposhti në Podgoricë me rezultat 3:1. Falë këtij rezultati, vlonjatët besojnë se do ta bëjnë një hap para në këtë garë.
“Nëse nuk pësojmë gol në 30 minutat e para të ndeshjes në Vlorë, Buduçnostit do t’i priten gjunjët, sepse në këtë mënyrë kundërshtarët nuk do të kenë më shanse të përmbysin rezultatin. Ne jemi praktikisht të kualifikuar”, ka thënë mesfushori i kuqezinjve, Njazi Lena.
Edhe Vllaznia e Shkodrës ka rast të mirë të kualifikohet në rrethin e dytë të kësaj gare, pas fitores minimale që e shënoi në Maltë kundër Birkirkaras (1:0). Megjithëkëtë, trajneri i shkodranëve, Mirel Josa thotë se nuk duhet nënçmuar kundërshtarin, me të cilin do të përballen në ‘Loro Boriçi’ nga ora 19:00.
“Një rezultat 1-0, kur fiton jashtë fushe duke mos pësuar, është avantazh shumë i madh, por kjo nuk do të thotë që ne kemi siguruar gjithçka. Në të kaluarën, shumë ekipe shqiptare kanë gabuar, pasi e kanë lejuar veten të përfshihen nga euforia”, thekson ai.
Pak më vështirë se dy ekipet nga Shqipëria do ta ketë Renova, e cila do të jetë mysafire e skuadrës nga Irlanda Veriore, Glentoran (20:45). Ekipi nga Xhepçishti, takimin e parë e kishte fituar 2:1.