Maskat vjedhin 10 mijë lekë
19/02/2005 Një grabitës i armatosur në Zallherr i ka marrë 10 mijë lekë të vjetra njërit prej banorëve të këtij fshati. Burime zyrtare nga Komisariati i policisë nr.4, bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.00 të së enjtes, në lagjen Kasall. Bilbil Muça, 30 vjeç, ka denoncuar tek organet e rendit se një person me maskë dhe pistoletë në dorë i ka dalë përpara, teksa ai ishte duke shkuar në shtëpi. "Më doli në një cep të errët. Në fillim nuk arrita ta shoh nëse kishte maskë në fytyrë. Ishte pus dhe pandeha se ishte ndonjë shoku im që bënte lojëra për të më trembur. Por, kur u afrova, kuptova se kisha rënë pre e hajdutëve", ka dëshmuar i dëmtuari para oficerëve të policisë gjyqësore të Komisariatit nr.4. Paskëtaj, Bilbil Muça rrëfen se i panjohuri, duke i mbajtur pistoletën në tëmthe, i kishte kërkuar kuletën. Pretendonte se atje do të ishin shumë para, por në të vërtetë rezultoi se kish dalë i humbur. Denoncuesi shton se kishte me vete vetëm 10 mijë lekë të vjetra, pasi ishte mbrëmje dhe shumën që kishte marrë me vete në mëngjes e kishte shpenzuar gjatë ditës. E megjithatë, duket se grabitësi i maskuar nuk ka qenë me pretendime. I kënaqur nga shuma që fitoi, ai u largua pa humbur kohë, duke e kërcënuar viktimën se nëse fliste, do ta pësonte keq. Porse, Bilbil Muça ka preferuar të kërkojë ndihmën e bluve për të qenë më i sigurtë. Policia bën të ditur se ka nisur hetimet për zbulimin dhe kapjen e tij. Është hera e parë që në atë zonë shfaqen hajdutë të maskuar e armatosur. Agjentët kanë nisur sakaq gjurmimin e personave të dyshimtë që banojnë në fshatrat përreth, për të hedhur dritë mbi identifikimin e autorit.