E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mëshirë, shisja drogë për të mbajtur familjen

19/02/2005  TIRANË "Kërkoj mëshirë. E pranoj se kam patur drogë në serbatorin e makinës, por e kam bërë nga e keqja. Kam një motër të sëmurë në shtëpi dhe një baba me tension dhe i papunë. Isha i vetmi krah pune. Nuk mund të përballoja dot shpenzimet, prandaj fillova të merrem me drogë. Unë isha vetëm transportues. E mora në Durrës për ta dërguar në Itali". Kjo është deklarata e fundit bërë nga i pandehuri Edvin Balliu, në seancën e djeshme gjyqësore. Pas kërkesës së prokurorit për dënimin e tij me 16 vite heqje lirie, i pandehuri ka qenë i detyruar të reagojë për të mbrojtur pozicionin e tij. Avokati i të pandehurit kërkoi një masë më të butë dënimi për klientin e tij, duke patur parasysh statusin e familjes dhe nevojën për të jetuar e kuruar motrën e sëmurë. Edvin Balliu, në 26 prill 2004, u kap me 11 kile heroinë në serbatorin e makinës tip "Nisan", në pritje për të kaluar portin e Durrësit, që do ta çonte drejt Italisë. Pasi u vërtetua se lënda që u kap ishte heroinë e pastër, Prokuroria vendosi t'i kërkojë gjykatës dënimin e të pandehurit, me 16 vjet heqje lirie. Në 26 prill 2004, i pandehuri, sipas akuzës ishte me makinën e tij gati për të kaluar kufirin drejt Italisë. Gjatë kontrollit rutinë të policisë, në serbatorin e makinës, Balliut iu gjet sasia prej 11 kile heroinë e sistemuar në 16 pako. Ndërkohë që nga verifikimet e bëra rezultoi se, Edvin Balliun e priste në Itali vëllai i tij, Andi Balliu. I implikuar ishte edhe vëllai i tretë i të pandehurit, me banim në Durrës, por që nuk është bërë i mundur zbulimi i plotë i skicës së bashkëpunimit. Vetë i pandehuri nuk pranoi të jepte shpjegime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›