Hakerat serbë sulmojnë faqen e Topit
Piratët e internetit sulmojnë faqen zyrtare të Presidentit Bamir Topi. Pasditen e djeshme faqja e kreut të shtetit www.president.al nuk ishte e disponueshme, por në vend të saj, hakerat serbë kishin lënë një mesazh "Kosova është Serbi". Për të disatën herë, hakerat nga Beogradi kanë sulmuar dhe dëmtuar faqet në internet të Kryeministrit Sali Berisha dhe disa televizioneve. Të njëjtin fat pësoi pak javë më parë edhe faqja e internetit të Postës Shqiptare. "Luftoni me më të mirët dhe vdisni si gjithë të tjerët. Mirë se vini në botën tonë" dhe një logo që përdoret shpesh nga nacionalistët serbë u hedhën online në çdo funksion të faqes. Sulmi nëpërmjet piratëve të internetit duket se është moda më e fundit ku nacionalistët serbë lënë mesazhet e tyre në sitet e krerëve të lartë të shtetit në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Adresa zyrtare e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu u 'pushtua' nga mesazhet e nacionalistëve.