Ndotja e ajrit, bashkitë do ndalojnë makinat
Plan kombëtar veprimi për të siguruar një cilësi më të mirë të ajrit në vend. Monitorimet do të jenë të shpeshta,e mbi bazën e tyre do të aplikohen masat për të ulur ndotjen kur është jashtë normave. Me ndryshimet e bëra në ligjin për "Mbrojtjen e ajrit nga ndotja", Qeveria vendosi dje cilat do të jenë këto masa si dhe rolin e Ministrisë së Mjedisit dhe organeve vendore në zbatimin e tyre. Nëse pas monitorimit të cilësisë së ajrit rezulton se ndotja është në nivele të larta ose ka tendencë të rritet, Ministria e Mjedisit e cakton këtë zonë si zonë veprimi për cilësinë e ajrit. Në këtë pikë, roli i bashkive sidomos në qytetet e mëdha do të jetë madhor. Strukturat përkatëse pranë tyre për të reduktuar ndotjen, sipas ligjit të ri mund të ndalojnë qarkullimin në rrugë të veçanta, të kufizojnë parkimin si dhe të zbatojë një sërë masash të tjera. "Organi i qeverisjes përkatëse vendore, për zbatimin e planit vendor të veprimit për cilësinë e ajrit nxjerr akte normative, me anë të të cilave mund, të mbyllë përkohësisht ose përgjithmonë rrugët e qarkullimit të automjeteve, të përfshira në zonën e veprimit për cilësinë e ajrit apo të vendosë kufizime për përdorimin e rrugëve nga automjetet me motor, të parashikojë kufizimin e parkimit dhe/ose të ngarkimit", thuhet në ligj. Sipas tij, bashkitë kanë për detyrë që të rregullojnë më mirë trafikun, për të pakësuar ose për të parandaluar bllokimin. Ato mund të ndalojnë përdorimin e mjeteve me motor me djegie të brendshme, në zonat në ndërtim si dhe të përcaktojnë kërkesa specifike,të detyrueshme për t'u respektuar gjatë veprimtarive ndërtuese dhe në kantieret e ndërtimit".
"Brenda 60 ditëve nga data e caktimit të një zone veprimi për cilësinë e ajrit, organi i qeverisjes vendore që administron këtë zonë veprimi, harton planin vendor të veprimit për cilësinë e ajrit.",përcakton ligji i ri. Sipas tij, plani vendor i veprimit për cilësinë e ajrit është në përputhje e në zbatim të Planit Kombëtar të Veprimit për Cilësinë e Ajrit .Por në këtë plan masash që do të zbatojnë organet e qeverisjes vendore, duhet të sigurojnë pjesëmarrjen e publikut dhe pas miratimit të tij, e bëjnë atë publik. Plani vendor i veprimi miratohet nga Këshilli Bashkiak i qeverisjes përkatëse vendore.