E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hakersat duan "të pushtojnë" Strasburgun

"Po të mendohesh mirë është e thjeshtë. Madje, ndonjëherë mendoj se përse nuk e kanë bërë të tjerë më parë këtë që ne po bëjmë tani". I ulur në një divan të bardhë në kafenenë e Sodermalmit, një ish-lagje punëtorësh, ndërsa sot qendra e shtëpive të modës, butikëve të shtrenjtë dhe restoranteve vegjetarianë. Christian Engstorm e thotë vazhdimisht atë që do dhe ndërkaq bën një fytyrë të lumtur teksa flet për një televizion rumun, pastaj për një radio finlandeze, duke vazhduar kështu gjatë gjithë mëngjesit. Ashtu si një mësues i mirë, në përfundim të leksioneve vazhdon të përsërisë thelbin e asaj që ka dashur të thotë, duke treguar njëkohësisht edhe përgjigjen: "Cila është gjëja nga e cila asnjë i ri nuk do të hiqte dorë? Sigurisht interneti dhe kompjuteri. Pa to të rinjtë do të ndiheshin të humbur dhe të pavlerë". Mjafton ta mendosh, thotë, duke vendosur dorën mbi kokë. Në fund dikush arriti ta bënte. Mbase nuk do të jetë ndonjë gjetje e madhe, por copyright-i, edhe pse ai këtë fjalë e urren, është i tiji. Partia e Internetit tashmë ekziston dhe jo vetëm si grup politik që organizohet, komunikon dhe mbledh fonde online. Ajo është një parti e vërtetë, me një program të caktuar, anëtarë dhe vizion të qartë, që merret ekskluzivisht me universin e uebit dhe "aksesin ndaj informacionit e teknologjive". Kreu i piratëve është pikërisht ai, Christian Engstorm, i cili nuk e ka problem që të gjithë e thërrasin kështu, madje i pëlqen. Buzëqeshja e tij është stampuar në faqet e para të të gjitha gazetave të përditshme suedeze, të cilat festojnë zgjedhjen e tij në Parlamentin Evropian, si një goditje e rëndë për Kryeministrin konservator Fredrik Reinfeldt. Kështu është jeta! Deri pak javë më parë ai ishte një prej sipërmarrësve të software-ve, që nuk pati fat me fillimin e viteve 2000, ndërsa tani feston vendimin e Gjykatës Kushtetuese franceze për të bllokuar sanksionet e reja kundër download-it. "Kemi gjetur një tjetër vëlla pirat në Paris", thotë Christian duke qeshur dhe duke hedhur për së largu idenë e një partie ndërkombëtare piratësh. Engstrom, me syze të errëta dhe kanotiere të bardhë poshtë këmishës bojëqielli, vërtet që nuk ka asgjë të përbashkët me ndonjë pirat. "Të rinjtë nuk shkojnë për të votuar, sepse liderët e partive e injorojnë këtë realitet, ose më keq akoma e denigrojnë. Por kjo është bota e tyre", tregon ai. Afër stacionit të metrosë "Slussesn" e kanë qendrën djemtë "Millenial", të frymëzuar nga trilogjia e Stieg Larson, që këtu ka jetuar dhe ka shkruar tre romanet e tij. Soren Holmberg, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Goteborgut, shpjegon se Partia e Piratëve është partia e parë e vërtetë e përgjithshme që i përket brezit të të rinjve. Ajo fitoi 7.2 për qind në rang kombëtar në zgjedhjet e pak ditëve më parë, por për grupmoshën 18 deri në 30 vjeç ishte absolutisht më e votuara dhe më e pëlqyera. "Janë të rinj dhe kryesisht meshkuj", shpjegon politologu. Hakerat femra, si Lisbeth Salander që njihet nga të gjithë në vend, janë të rralla. "Do ta quaja një parti tipike protestash. Preferencat për të duken vërtet një luks. Në të vërtetë, 40 për qind e zgjedhësve të tij kanë thënë se mund të mos e votojnë më", shton më tej Holmbeg. Në zgjedhjet politike të vitit 2006, partia e piratëve kishte arritur të fitonte 0.6 për qind, ose rreth 35 mijë vota. Por hakerat suedezë tashmë janë të bindur se ka lindur një lëvizje e re dhe se koha qëndron në anën e tyre. Engstorm "ka" në xhep numrin e zgjedhësve të ardhshëm, të atyre që do të kenë mbushur moshën madhore pas dy vjetësh. Të gjithë të rinjtë të marrë nga "P2P", e famshmja "peer to peer" që lejon të shkarkosh falas muzikë dhe video e që sipas kërkimeve sociologjike qëndron në vend të parë mes prioriteteve të tyre, madje përpara edhe çështjeve të tilla delikate, si ambienti, puna, siguria. "Kur era e ndryshimit fryn, të gjithë kanë mundësi të bëjnë atë që duan", tregon Christian. Peter Bostrom është 19 vjeç dhe studion në Universitetin Politeknik, ku një student në pesë të tillë ka votuar për Partinë Pirate, citon një proverb kinez shumë të bukur për të shpjeguar filozofinë e rrugës drejt pushtetit. "Duhet të bëj një parathënie. Mua politika nuk më pëlqen. Mendoj se zgjedhjet nuk shërbejnë për asgjë dhe kush zgjidhet është një i paaftë dhe tradhtar". Megjithatë, Peter votoi. "Këtë herë ishte ndryshe, sepse ka lidhje me një nga të drejtat tona". E drejta për të dhunuar një tjetër të drejtë, atë të autorit të file-ve më të pëlqyer dhe programeve të përhapura në internet. "Janë të gjitha budallallëqe. Personalisht jam gati të financoj një artist, duke blerë biletën për në kinema apo koncert, por jam kundër atyre që kërkojnë të pasurohen pa bërë asgjë artistike". Peter pranon se ka një virus në këtë mekanizëm dhe që duhet punuar për të gjetur një zgjidhje derisa artistët ekzistojnë. Për këtë do të mendojë Partia e Piratëve, shton. Ndërkaq, ai kalon dhjetë orë në ditë para kompjuterit dhe zgjedh se si ta harxhojë në "bazë" atë që thotë "komuniteti". "Nuk më bëhet vonë fare për marketingun", përfundon Peter i veshur me të zeza dhe në kokë ka një bisht të gjatë, sigurisht ngjyrë të verdhë. Piratët si Peter, duket se po e fitojnë edhe betejën juridike. Është një nga truket që "Pirate Bay", sajti suedez i "file sharing", i frekuentuar nga miliona përdorues, përdor që nga krijimi i tij rreth 5 vjet më parë. Në seksionin "Legal threats", të sajtit gjendet një koleksion letrash që hakerat kanë marrë nga shumë avokatë dhe përgjigjet e tyre. Për shembull, "Dreamworks"-it të Steven Spielberg që në vitin 2004 qahej për piraterinë e "Shrek 2", ata iu përgjigjën kështu: "Siç mund ta dini, ose ndoshta jo, Suedia nuk është shtet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është një shtet i Evropës Veriore dhe nëse ende nuk e keni dëgjuar, këtu nuk aplikohen fare ligjet amerikane". Letra është shkruar nga Gottfir Svartholm, i quajtur ndryshe "Anakata", një nga ortakët themelues së bashku me Fedrik Neij dhe Peter Sunde. Këta tre të rinj vijnë nga "Piratbyran", organizata suedeze kundër copyright, themeluar në Stokholm në vitin 2003, që është shndërruar në një lloj "think tank"-u ku juristët dhe ekonomistët vazhdojë të mendojnë ende sot nëse e drejta e autorit duhet hequr apo ndryshuar. "Piratbryan" vazhdon të ekzistojë dhe të hartojë punë artistike mbi të ashtuquajturën "etika hacker". Megjithatë, krahu operativ është "Pirate Bay", i quajtur "tracker" ose eksploruesi i detit që gjen në internet file për t‘u shkarkuar. Por duket "se flota" suedeze e piratëve ka fituar një terren të paparë. Në prill, një javë pas verdiktit që dënoi "Pirate Bay", numri i anëtarëve në Partinë e Piratëve u trefishua. Që në vitin 2006, pas një kontrolli të policisë në qendrën e "Pirate Bay", brenda pak orëve pati më shumë se 3 milionë kontakte. "Madje edhe nga Pakistani", kujton Rick Falkvinge, themeluesi 37-vjeçar. Pas disa ditësh piratët ishin sërish në rrjet për të sfiduar autoritetet. "The ‘Pirate Bay‘ nuk do të mbyllet kurrë, sepse pas operacionit të policisë infrastruktura e tij hardware u decentralizua në vende të ndryshme të botës dhe nuk ka më asnjë sallë serveri për t‘u sekuestruar". Megjithatë, hijet e dyshimit hedhur mbi ta nuk janë të pakta. Drejtësia suedeze i akuzon se përdorin "file sharing" jo vetëm për të shpërndarë lirisht dijen, siç ata pretendojnë, por edhe për t‘u pasuruar me publicitetet e administruara nga kompanitë suedeze. Sipas specialistëve, "Pirate Bay" ka marrë financime nga sipërmarrësi Carl Lundstroem, i lidhur me të djathtën nacionaliste dhe ksenofobe. Duhet pritur të paktën një vit kur do të zhvillohet procesi në Gjykatën e Apelit për të mësuar më shumë. Një pirat, i cili bëhet një drejtues politik që paguhet, duket pak kontradiktore. Por Engstorm i përgjigjet duke cituar Gutenbergun dhe revolucionin e shtypit: "Shumë forca politike kanë lindur për interesa të veçanta. Të mendojmë për partitë e punëtorëve apo ambientalistëve. Nuk shoh asgjë të keqe. Qarkullimi i lirë i dijes mund t‘i bëjë njerëzit më inteligjentë, më tolerantë dhe do të na lejojë të zgjidhim çdo lloj problemi", tregon deputeti i ri i Parlamentit Evropian. Por, në momentin kur Suedia do të preket rëndë nga recesioni dhe kur shifrat për papunësinë do të jenë të njëjta me ato anembanë kontinentit, është e ligjshme të kultivosh dyshimin se votat për Partinë e Piratëve janë vërtet një luks dhe jo një nevojë urgjente.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›