E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Hakmarrja..." dëshmitar i rremë në gjykatë

12/02/2005  Prokuroria kërkon arrestimin e Bashkim Denës dhe procedimin e tij

TIRANË – Avokatët mbrojtës të të pandehurve Altin Arapi dhe Imelda Tasho, kanë habitur organin e akuzës dhe gjykatën. Për herë të parë, mbrojtja sjell në gjykatë një person të panjohur dhe dëgjuar më parë nga akuza. Askush nuk e dinte që natën e 29 shtatorit 2003, kur u qëllua për vdekje Genci Sina, shoferi i Kryeprokurorit, ngjarja është parë me vëmendjen më të madhe nga një dëshmitar i rastit. Rrëfimtari është me origjinë nga Vlora dhe për shumë kohë ngjarjen e ka përjetuar i vetëm. Nuk ka marrë guximin të shkojë as në polici e as në prokurori. Arsyeja, sipas tij, është shumë e thjeshtë. Nuk ka besim te drejtësia shqiptare. Megjithatë, ai gjeti momentin dhe të gjithë ngjarjen ia tregoi avokatëve mbrojtës, të cilët e shfrytëzuan dëshmitarin në seancën e djeshme.

Dëshmia

Erdhi për të dëshmuar në favor të Altin Arapit dhe Imelda Tasho, por rrezikon të ndiqet penalisht për akuzën e moskallëzimit të krimit dhe dhënies së dëshmisë së rreme. Tre prokurorët Enrik Ligori, Genci Qano dhe Etjen Kapo, pasi e dëgjuan me vëmendje dëshmitarin Bashkim Dena, kërkuan nisjen e procedimit penal. Quhet Bashkim Dena me origjinë nga Vlora. Është banues në Tiranë. Pasi u betua se do të thoshte të vërtetën, i tha gjykatës se natën e ngjarjes ndodhej në afërsi të pallateve "Agimi", duke bërë instalimet e një lokali. Mbaron punën dhe me makinën e tij largohet e qëndron shumë afër semaforit, ku kishte ndaluar edhe makina e Sinës së vrarë dhe taksia e marrë nga autori i krimit. Dëshmitari shpjegoi se nga makina ku qëndronte kishte parë një person të dilte nga një taksi e verdhë. Më pas ka dëgjuar një zhurmë mbytëse pistolete. Madje ka parë të hapur derën e makinës së Genci Sinës dhe trupin e tij që u shtri në sediljen e pasagjerit pas goditjes nga autori. Dena u shpreh para gjykatës se, ai që qëlloi mbi shoferin e makinës "Land Rover", u kthye, hapi derën e taksisë dhe nxori prej andej një femër. Më pas, ai e përshkruan largimin e autorit të vrasjes shumë të qetë. Dëshmitari deklaroi se kishte fiksuar shumë mirë autorin dhe vajzën që e shoqëronte, pasi ata kaluan pranë makinës së tij. Djali, sipas dëshmitarit, ishte rreth moshës 30-35 vjeç, bjond, i mprehtë, me syze sportive e jo optike, bardhosh dhe pa mjekër, nuk kishte të veshur kostum. Vajza ishte bjonde, flokë kapelon me onde. "Unë, pohoj me bindje se vajza që shoqëronte djalin nuk ishte Imelda Tasho. Po kështu dua të them se një muaj pas ngjarjes, pashë në televizor Altin Arapin. Bëra krahasimin dhe deklaroj se autori i vrasjes së Genci Sinës nuk është Altin Arapi". Dëshmitari u pyet edhe nga akuza. Pyetjes së bërë nga prokurori Enrik Ligori, se përse nuk kishte deklaruar më parë se ishte dëshmitar në ngjarje dhe e mbajti të fshehtë për kaq kohë, Bashkim Dena iu përgjigj shkurt, duke thënë se nuk kishte besim te drejtësia.

Shoferi, autori i vrasjes mori pistoletën e Sinës

Dy dëshmitarë okular japin karakteristika të ndryshme për autorin e vrasjes. Pasi u vërtetua se shoferi i taksisë me të cilën lëvizën autorët e krimit natën e vrasjes, është larguar jashtë vendit, pa adresë të saktë, gjykata lejoi Prokurorinë të lexojë deklarimet e bëra para prokurorit Enrik Ligori, në datën 29 shtator 2003. Gruaja e shoferit Arben Tomani, Arabana Tomani, ka shpjeguar se pas ngjarjes bashkëshorti i saj është larguar jashtë vendit. Më pas ka qenë prokurori Etjen Kapo, ai që ka bërë të njohur për gjykatën dëshminë e shoferit. "Rreth orës 21.00 shkoi tek 'Antonela'. Këtë emër e kisha dëgjuar një orë më parë në radio nga kolegu im, i cili pyeti qendrën se ku ndodhej. Kur vajta atje, erdhi një çift. Djali hipi para dhe vajza prapa. Më kujtohet se vajza më tha t'i çoja afër shkollës 'Sami Frashëri', te një restorant kinez, ndërsa djali, tha t'i çoja te 'Shkolla e Kuqe'. Gjatë rrugës, çifti nuk ka biseduar. Kam kaluar nga Blloku, para "Rovenës", më pas te "Vip"-i për të dalë në bulevard. Itinerarin e zgjodha vetë, për shkak të trafikut. Kur mbërritëm në semafor qëndruam. Pas nesh erdhi një makinë "Land Rover". Klienti im qëlloi me grusht xhamin e makinës. Më tërhoqi vëmendjen veprimi i tij. Dëgjova që po fyente dhe shante shoferin e makinës. Nuk më kujtohet nëse shoferi e kishte xhamin e ulur apo jo. Pashë që klienti im hapi derën e taksisë dhe shkoi në drejtim të shoferit. Nxori pistoletën nga brezi dhe e qëlloi. Më pas i mori pistoletën dhe u largua pas makinës. Vajza që ishte në makinë hapi derën dhe ndoqi djalin me vrap nga pas. Djali ishte rreth të 30-ave, flokë të shkurtra, me syze, bardhosh dhe pa mjekër, veshur me kostum ngjyrë bezh, këmisha nuk më kujtohet, trup mesatar, as i shëndoshë dhe as i dobët, të linte përshtypjen e një intelektuali. Vajza ishte bjonde me flokë kapelon". Më pas, Arben Tomani ka deklaruar se është larguar nga vendi i ngjarjes, pasi po i dridheshin këmbët. Ka shkuar në agjenci dhe ka treguar githçka. Me ndihmën e një shoku i ka telefonuar ish-drejtorit të Policisë, Pjerin Ndreut, e më pas ka shkuar në polici për të dhënë shpjegime.

Ekspertët, gishti i Imeldës në xhamin e taksisë

Avokatët mbrojtës pyetën dje para gjykatës oficerin e policisë gjyqësore dhe ekspertët me cilësinë e dëshmitarëve, që kqyrën makinën me targa TR 931 A, me drejtues Arben Tomanin. Kqyrja, sipas ekspertëve, u bë mëngjesin e datës 30 shtator 2003. Avokati Bashkim Sulstarova, që mbron Imelda Tashon, kërkoi nga dëshmitarët të përcaktonin në ç'gjendje ishte makina dhe ku janë gjetur gjurmët e gishtave, jashtë apo brenda saj. Fillimisht ishte oficeri i policisë gjyqësore, Aldo Londo, ai që tha se makina ishte e thatë kur u vëzhgua dhe gjurmët e gishtave u gjetën në xhamin e derës së pasme të shoferit në pjesën e djathtë. Dëshmitari sqaroi se makina nga jashtë nuk kishte asnjë gjurmë. Ndërsa brenda saj, në xham janë gjetur katër gjurmë. Gjurmët, sipas Londos, janë marrë pasi u përpunua xhami me pluhur alumini. Gjurmët janë gjetur dy në trekëndëshin e derës së prapme dhe dy në xhamin e madh. Më pas gjurmët janë çuar në laborator. Nga katër gjurmët e gjetura, njëra prej tyre i korrespondon të pandehurës Imelda Tasho. Kqyrja e makinës, sipas dëshmitarëve, është bërë në prani të shoferit Arben Tomani, i cili nuk ka firmosur. Dëshmitarët nuk dinin të shpjegonin përse Tomani nuk firmosi procesverbalin, ndoshta, sipas tyre, ngaqë ishte i trembur.

Akuza, Imelda de Altini ndërprenë bisedat më 30 shtator

Prokuroria ka arritur që me ndihmën e shoqërisë "Vodafone", të verifikojë telefonatat e të pandehurve Imelda Tasho dhe Altin Arapi. Në datën 7 tetor 2003, nga kjo shoqëri është lëshuar një shkresë, e cila vërteton se të pandehurit nuk kanë komunikuar me njëri–tjetrin, nëpërmjet numrave të tyre të telefonit një ditë pas ngjarjes. Sipas prokurorëve, numrat 0692097747, që i korrespondon të pandehurit Altin Arapi dhe numri 0692136114, që i korrespondon Imelda Tashos, janë mbyllur më 30 qershor. Vetë e pandehura kundërshtoi Prokurorinë, duke thënë se e ka mbyllur disa herë këtë numër dhe kur ka qenë me pushime dhe nuk ka arsye pse të hetohet numri i saj, sa herë që ka vrasje në Tiranë. Më pas e pandehura shpjegoi se Prokuroria i ka sekuestruar dy telefona. Ishin prokurorët ata që pohuan dje se të pandehurës i janë sekuestruar dy aparate me numra telefonikë, por asnjë prej numrave nuk ishte ai që mbaron me 114.

Mbrojtja, Prokuroria na mashtroi për dëshminë e Zina Sollakut

Avokatët mbrojtës i kërkojnë gjykatës të njihen me dëshminë e dhënë nga bashkëshortja e Kryeprokurorit, Zina Sollaku, menjëherë pas ngjarjes në datën 29 shtator. Bashkim Sulstarova paraqiti një kërkesë, nëpërmjet së cilës e cilësonte veprimin e Prokurorisë, keqdashës. Ai i tha gjykatës se bashkë me kolegët e tjerë avokatë, janë ndjerë të fyer kur janë gënjyer nga Prokuroria. Avokati, tha se prokurorët ia kanë mbajtur të fshehtë dëshminë dhe i kanë thënë se, Zina Sollaku nuk është pyetur. Nga ana e saj, gjykata sqaroi se dëshmia e Sollakut nuk ndodhet në dosjen gjyqësore dhe se ajo nuk mund të detyrojë Prokurorinë të nxjerrë provat e saj. Përfaqësuesit e akuzës u shprehën se, në bazë të nenit 8 kanë të drejtë të mos nxjerrin asnjë dëshmi nga dosja, për të siguruar dëshmitarët. Sipas prokurorit Enrik Ligori, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka në praktikën e punës së saj të mbajë të fshehur emrat e dëshmitarëve dhe dëshmitë e tyre. Kjo taktikë është përdorur sipas akuzës edhe për çështjen në fjalë. Ligori u shpreh se, avokatëve nuk u është vënë në dispozicion asnjë dëshmi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›