Pranga kontrabandistëve të floririt
12/02/2005 Inspektorët e antikrimit ekonomiko-financiar nisën procedimin penal në gjendje të lirë për dy kontrabandistë floriri. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, shprehen se gjatë një kontrolli të ushtruar në bazë të informacioneve, në dyqanet e argjendarisë së Kavajës kanë sekuestruar dhe kryer arrestimin në flagrancë të shtetasve. Idriz Gaverdari nga ky qytet u kap në flagrancë në treg, duke shitur flori kontrabandë. Atij iu sekuestrua një sasi prej 1.550 kg flori, vepër e parashikuar nga neni 178 e 180 të Kodit Penal. Me të njëjtën akuzë është prangosur dhe Dylbere Hoxha. Ajo është kapur në flagrancë duke shitur 3.65 kg flori kontrabandë. Materialet i kaluan Prokurorisë. Simon Dulaj, lindur në fshatin Zym të Prizrenit dhe banues në Tiranë, ndiqet në gjendje të lirë. Të njëjtat burime saktësojnë se kosovari tregtonte flori pa dokumentacionin përkatës. Veç kësaj, ai kishte ngritur një punishte për prodhimin e floririt, ku iu sekuestruan 2229 gram flori. Kjo vepër penale parashikohet nga neni 178 e 180 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë.