Policia rrugore:Paguani gjobat
12/02/2005 Policia rrugore do të bllokojë të gjitha automjetet, pronarët e të cilave nuk kanë paguar gjobat e vendosura nga shërbimet e rrugorëve. Mjetet do të zhbllokohen kur drejtuesit e autoveturave të paguajnë detyrimet, duke u bazuar në nenin 203 të Kodit Rrugor. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, njofton të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk kanë likuiduar gjobat e vendosura nga shërbimet e Policisë Rrugore, për shkelje të legjislacionit rrugor, të kryejnë menjëherë likuidimin e tyre. Shlyerja e tyre bëhet pranë arkës së Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, në adresën rruga “Aleksandër Moisiu”, përballë Kinostudios. Ky komisariat ka marrë masa organizative për ndjekjen e arkëtimeve të gjobave, duke bërë bllokimin e mjeteve debitore deri në likuidimin e tyre, sipas nenit 203 të Kodit Rrugor. Është vërejtur një neglizhencë e theksuar nga një pjesë e madhe drejtuesish automjetesh në drejtim të shlyerjes së masave ndëshkimore. Çdo vit, Komisariati i Qarkullimit bën njoftime të njëpasnjëshme, duke lajmëruar qytetarët debitorë për të paguar gjobat në sportelet e tij. Muajt e parë të vitit, shumë drejtues automjetesh hasin probleme me patrullat e policisë rrugore në postblloqe, të cilët kanë në duar listën e debitorëve. Në rrugë vullnetare shënohen vetëm pak raste të pagimit të gjobave në kohë nga shoferët.