E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrezikon përjashtimin ish-drejtori i Policisë

12/02/2005  Pëllumb Molla rifuti në polici Vatnikën, që ishte i përjashtuar

Një nga ish-drejtorët e policisë së Shkodrës rrezikon përjashtimin nga radhët e bluve. Pëllumb Molla, aktualisht efektiv i komisariatit të Krujës, akuzohet se ka rifutur në polici Shan Vatnikën, i cili qe përjashtuar për mosefikasitet dhe neglizhencë në detyrë. Gjithashtu, një ish-drejtor tjetër, tashmë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, akuzohet se ka pajisur me armë vëllanë e Bujar Dakajt.

Hetimet

Ish-drejtori i policisë së Shkodrës, në vitin 2001 rezultoi i implikuar në odisenë e arratisjes krejt rastësisht. Burime nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, bëjnë të ditur se, Pëllumb Molla u shfaq në dosjen e njërit prej policëve të arrestuar, të enjten. Shan Vatnika kishte punuar gjithnjë si polic në komisariatin e Shkodrës. Pak vite më parë, ai kishte qenë efektiv i seksionit të qarkullimit rrugor. Por më pas ishte përjashtuar nga radhët e uniformave, nën motivacionin e neglizhencave në detyrë dhe të mosefikasitetit. Nuk ishte e vetmja herë që atij i tërhiqej vëmendja për shkelje. Pikërisht në këtë moment del në skenë Pëllumb Molla. Ish-drejtori i policisë së Qarkut të Shkodrës, e kishte ripranuar në polici Shan Vatnikën. Pëllumb Molla, aktualisht është efektiv i komisariatit të Krujës.

Arma

Emri tjetër që lakohet në historinë e arratisjes së të dënuarve të komisariatit të Shkodrës, është dhe Albert Pilo. Të njëjtat burime nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, bëjnë të ditur se, kryekomisari, i përjashtuar prej më tepër se 1 viti nga radhët e uniformave blu, ka pajisur me armë të vëllanë e njërit nga të arratisurit. Në periudhën kur drejtonte efektivat policorë të qytetit verior, Pilo ka firmosur lejen e armës së vëllait të Bujar Dakës. Duke qenë se ky i fundit ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të vrasjes, policia nuk duhet të pranonte dhënien e armëve të zjarrit familjarëve të tij. Ka gjasa që kryekomisari i përjashtuar, të mos jetë informuar nga vartësit e tij për lidhjen e gjakut mes personit që u pajis me armë dhe të dënuarit të rrezikshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›