Tiranë; Gjobat e papaguara, policia pezullon 155 leje drejtimi
Policia e Tiranës pezulloi 155 leje drejtimi, pasi zotëruesit e tyre nuk kishin paguar gjobat e vendosura. Sipas burimeve zyrtare, nga këto 97 drejtues mjetesh shlyen detyrimet e tyre. Shërbimet e Policisë së Tiranës njoftojnë se do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe parkimet e gabuara.
Ndërkohë që ditën e djeshme në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë konstatuar dhe vendosur 2.056 masa administrative dhe janë pezulluar 6 leje drejtimi.