Hakmarrja, masakron fqinjën me levë
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Masakron me levë fqinjën për të marrë hakun e babait të vrarë në vitin 1997. Esma Xibraku, 43 vjeçe, nënë e dy fëmijëve mbeti e vdekur dje pasdite në fshatin Liçaj të komunës së Shalsit në Elbasan. Autorja e këtij krimi të rëndë është një tjetër grua, 37-vjeçarja Antoneta Hysa. Sipas policisë, Hysa ka qëlluar me levë pas koke fqinjën e saje duke e lënë të vdekur në vend. Pas krimit të rëndë, autorja është larguar me shpejtësi duke tentuar të fshihet në ullishtën që ndodhet në periferi të fshatit Liçaj ku ndodhi edhe ngjarja. Por policia, në më pak se një orë nga koha kur kishte ndodhur krimi, arriti ta identifikojë dhe më pas arrestojë autoren e dyshuar të vrasjes. Pas hetimeve paraprake, policia arriti në konkluzionin se vrasja e 43-vjeçares ishte kryer për hakmarrje. Sipas burimeve, në vitin 1997, bashkëshorti i viktimës, Nevil Xibraku, ka vrarë me armë zjarri babanë e Antoneta Hysës. Kjo e fundit, ka vendosur të hakmerret ditën e djeshme duke masakruar me levë bashkëshorten e autorit.
Mësohet se vrasësi i babit të Antoneta Hysës është dënuar me 20 vite heqje lirie për këtë krim. Ndërkaq policia bëri të ditur se disa herë është tentuar të kryhej një krim i tillë, por gjakrat ishin qetësuar me ndërhyrjen e tyre. Madje tri ditë më parë policia e Elbasanit arriti që të shuante një konflikt të tillë dhe ndaloi bashkëshortin e Antoneta Hysës për armëmbajtje pa leje. Në banesën e tij u zbuluan armë zjarri e municione të tjera. "Antoneta Hysa u arrestua dy kilometra larg shtëpisë së saj teksa po përpiqej të fshihej në zonat malore", bëri të ditur policia e Elbasanit. Autorja e vrasjes ka pranuar në ambientet e drejtorisë së policisë krimin e kryer prej saj. "Mora hakun e babait. Bashkëshorti i saj më vrau babanë në vitin 1997" është shprehur para grupit të hetimit 37-vjeçarja nga fshati Liçaj, e cila në mungesë të mundësisë për t'u hakmarrë ndaj Nevil Xibrakut i cili ndodhet në burg, ka vendosur t'i masakrojë atij të shoqen. Sipas policisë, banesat e tyre ndodheshin afër me njëra-tjetrën dhe konfliktet gjatë këtyre viteve kishin qenë të vazhdueshme.
Në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje edhe persona të tjerë, të afërm të familjeve dhe bashkëfshatarë të tyre, të cilët kishin dijeni për konfliktin. Ndërkohë zona ku ndodhi ngjarja sipas policisë do të mbahet nën vëzhgim të rreptë nga agjentët e saj pasi familja Hysa, e cila jeton ngjitur me familjen e viktimës tashmë dhe kryefamiljarin edhe të zonjën e shtëpisë i ka të arrestuar. Tashmë policia do të marrë në mbrojtje familjarët e mbetur në familjen Hysa. Vrasja e kësaj fundjave ishte e dyta për hakmarrje në rrethin e Elbasanit. Të premten e kaluar, një 52- vjeçar u ekzekutua me pistoletë në lagjen "28 Nëntori" po për të njëjtin motiv. Ndërsa vetëm në pesë javët e fundit në qarkun e Elbasanit shkon në pesë numri i viktimave të vrara me armë zjarri.