Mashtroi për magji, policia e Matit në kërkim të "hoxhës"
MAT - Policia e Matit është vënë në kërkim të një personi që është prezantuar si hoxhë në disa fshatra të këtij rrethi, me akuzën e mashtrimit. Dy denoncime kon-krete janë regjistruar në polici për "hoxhën", ndërsa mësohet se rastet janë më të shumta në numër. Vizita e fundit e personit të denoncuar me emrin Ylmi, është bërë në fshatin Laç-Bruç, madje punonjës të komunës Rukaj e kanë shoqëruar atë në një familje. Banorët e Laç-Bruçit e kanë denoncuar "hoxhën" në policinë lokale, duke e akuzuar si mashtrues. Banorët kanë arritur në këtë konkluzion kur kanë dëgjuar nga goja e tij se "familjes suaj i kanë bërë magji dhe se janë njerëzit e afërm që ju kanë bërë keq". Si për çudinë e tyre, ai vazhdimisht përmendte emra të kushërinjve, fqinjëve apo njerëzve të tjerë të afërm si autorët e magjisë. Për t'u gjetur "magjinë" ai u kërkonte shuma të ndryshme parash, por vetëm pasi kanë dhënë lekët dhe nuk janë bindur për fjalët e tij, banorët vunë në dijeni policinë. Dy telefonata janë bërë ditët e fundit në komisariatin e policisë për "hoxhën" me emrin Ylmi dhe efektivat saj janë vënë në ndjekje të tij. Burime zyrtare pranë policisë së Burrelit thanë se janë informuar nga banorë të Matit për këtë person dhe janë vënë në ndjekje të tij. "Ne vihemi në dijeni pasi ky person largohet nga fshati. Jemi telefonuar nga Laç-Bruçi dhe nga Komësia për këtë njeri, që nxit konflikte mes banorëve dhe i mashtron ata. Ne po bëjmë të pamundurën që 'hoxha' në fjalë të ndalohet dhe të vihet para ligjit". Banorët nuk kanë fiksuar as targat e mjetit me të cilin lëvizte "hoxha", por deri tani policia ka gjetur vendbanimin e tij, Fushë-Krujë. Ndërkohë, akoma më flagrant është rasti i mashtrimit të një gruaje nga fshati Dukagjin i komunës Derjan. Dy arixhofka para se të hynin në banesë kanë siguruar të dhëna rreth problemeve që kishte kjo familje. Kanë hyrë në shtëpi ku ndodhej vetëm e zonja e shtëpisë dhe i kanë thënë asaj se do ta ndihmonin për djalin e sëmurë në Greqi. I kërkojnë gjithë shumën e lekëve që kishte në shtëpi dhe më pastaj i mbështjellin me një shami ato. Sugjerojnë vendosjen e rreth 100 mijë lekëve të reja në tavanin e shtëpisë dhe largohen. I thonë se duhet t'i lë lekët për disa orë aty. Largohen pa bërë zë nga fshati. Pas disa orësh e zonja e shtëpisë kontrollon shaminë dhe në të nuk gjen asnjë lekë. Menjëherë ajo njofton policinë dhe bën kallëzim në prokurori. Prej një jave efektivë të policisë dhe oficerë të policisë gjyqësore janë vënë në ndjekje të "hoxhës" dhe arixhofkave që mashtrojnë qytetarët. h.p