E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muka: Do iki nga Tirana



Jetmir Halilaj

Luan prej 9 sezonesh tek Tirana dhe e njeh mirë këtë skuadër. Devi Mukës i kanë parë sytë nga të gjitha, por jo si katrahura e krijuar ditët e fundit në klubin 24 herë kampion të Shqipërisë.Kapiteni e cilëson situatën si një nga më të rëndat e krijuara ndonjëherë vitet e fundit dhe për këtë ai kritikon drejtuesit e klubit, por në veçanti sekretarin Rauf Dimraj. Numri 10 i Tiranës, i lodhur nga kjo situatë, deklaron hapur se, nëse nuk do të ketë një zgjidhje konkrete gjatë ditëve në vazhdim, ai mund të largohet nga bardheblutë.
çfarë po ndodh te Tirana?
Aty ndodhin nga të gjitha dhe nuk ndodh asgjë. Dua të them se është një katrahurë e vërtetë. Nuk e kam parë ndonjëherë skuadrën në këtë gjendje. Luaj prej vitesh me të, por kurrë ndonjëherë nuk kemi qenë kështu. është vërtetë për të ardhur keq.
Cilët janë fajtorët e kësaj situate?
Drejtuesit e klubit. Kemi një shef klubi, që në vend të ketë si objektiv përmirësimin e ekipit dhe projekte konkrete, sjell vetëm ngërçe dhe pengesa. Kjo s’ka kuptim, sepse kështu po shkatërrojmë skuadrën. Ka pasur fërkime mes Halilit dhe Raufit thuajse gjatë gjithë sezonit dhe pavarësisht se lojtarët e Tiranës janë me shumë eksperiencë dhe e kanë përballuar një situatë të tillë të pazakontë, kjo ndikoi edhe në ecurinë e skuadrës. Tani shefi i klubit kërkon që të sjellë donatorë të tjerë. Shumë mirë, le ta bëjë, nëse ai mendon se kjo është zgjidhje, por ama nuk duhet vetëm të hedhë shashka.
Pse, ç’të keqe ka nëse sjell donatorë të tjerë?
Nuk ka asgjë të keqe. Por ama nuk i ka sjell deri tani. Ne jemi në një situatë emergjente. Ekipi duhet të mblidhet, duhet folur me trajnerin për merkaton, duhet folur për të ardhmen e skuadrës, kurse ne akoma diskutojmë se do të marrim donatorë të tjerë dhe kë do të marrim. Unë shpresoj që Dimraj të reflektojë dhe t’u hapë rrugë gjërave.
Mos ndoshta po flisni kështu për Dimrajn, ngaqë nuk keni një raport të mirë me të?
Unë nuk kam asnjë lloj raporti me të dhe kjo është për të ardhur keq. Por ama nuk e paragjykoj. Unë thjesht si futbollist dhe kapiten mendoj se do të ishte e udhës që t’i jepet fund konfliktit mes tij dhe presidentit të klubit. Të ulen të bisedojnë. Nëse Dimraj mendon se do të ishte më mirë me donatorë të tjerë, atëherë le t’i sjellë. Por të mos e mbajë peng të ardhmen e skuadrës, aq më tepër që jemi në prag të Kupave të Evropës. Nuk ka shef klubi që sillet në këtë mënyrë.
Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja?
Unë nuk jam drejtues klubi, por thjesht futbollist dhe dua që klubi të ofrojë garanci e qetësi në ekip dhe jo që drejtuesit të krijojnë një kaos të tillë. Dimraj mendon se lojtarët e Tiranës mund të mbahen me paratë që jep bashkia, me 200 mijë lekë të vjetra rrogë, por kjo nuk ka shanse të ndodhë. Ai e di mirë se është shumë e vështirë që të gjesh njerëz si El Sajedi apo Refik Halili, që hidhnin nga 700 milionë lekë apo nga 1 miliard, pa pasur ndonjë përfitim. Nëse ai nuk gjen dot zëvendësues, atëherë mirë do të ishte që ta lërë Halilin të punojë dhe të mos i fusë shkopinj nën rrota, se kjo nuk i bën mirë as atij dhe as skuadrës.
Halili është treguar shumë pasiv gjatë gjithë kësaj kohe....
Unë do të thosha i duruar dhe jo pasiv. I është dashur të merret gjithnjë me probleme të stisura, me probleme që krijohen nga brenda, në vend që të merret me ekipin. Kam dëgjuar që Dimraj thotë se Halilit i skadon kontrata në fund të majit, apo se nuk do jetë më president e të tilla gjëra. Por njeriu matet para se të flasë, sepse nuk duhet harruar që nën drejtimin e Halilit, Tirana ka marrë tre tituj kampionë. E kjo nuk është pak. Ky njeri, apo edhe të tjerët që kanë investuar, nuk mund të trajtohen kështu.
Të hënën (sot) ka një mbledhje kryesie, a mund të arrihet një zgjidhje në këtë takim?
E uroj me shpirt një zgjidhje, por duke i njohur të dyja palët (Halilin dhe Dimrajn), jam pesimist. Shpresoj shumë që të gjendet një zgjidhje, sepse ndryshe...
Ndryshe çfarë?
Ndryshe do mendoj seriozisht largimin nga Tirana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›