E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e shoferit, të arrestuarit e mohojnë



ELBASAN - Pasi kanë kaluar 72 orë nga ekzekutimi i Gëzim Alikajt, autorët e dyshuar për ngjarjen e mohojnë të kenë gisht në të. Sipas dëshmive që tre të rinjtë kanë dhënë përpara oficerëve të policisë, në momentin e krimit, dy kanë qenë duke drekuar, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në shtëpinë e tij. Sipas policisë, tre të ndaluarit janë persona të dyshuar se mund të kenë lidhje me krimin e shënuar mbrëmjen e së premtes, por mbetet për t'u provuar gjithçka, pasi policia duket se nuk ka prova të mjaftueshme për t'i akuzuar tre të rinjtë, të cilët u ndaluan si të dyshuar për ekzekutimin e 52-vjeçarit Alikaj. Dyshohet se Caka ka kryer vrasjen në bashkëpunim, në shenjë hakmarrjeje, pasi vëllai i viktimës i ka ekzekutuar vëllain e tij në Spanjë disa vite më parë. Pritet që ditën e sotme, Ibrahim Caka, Elton Hyka dhe Ardit Spahiu, të dërgohen në Gjykatën e Elbasanit, e cila pritet të caktojë masën e sigurisë për ta. Sipas informacioneve, Prokuroria e Elbasanit pritet të kërkojë masën e sigurisë burg pa afat për tre të rinjtë, por do të jetë gjykata që do të vendosë, pasi të ketë administruar provat mbi bazën e të cilave akuzohen. Deri tani bëhet e ditur se nga grupi hetimor po punohet intensivisht për të siguruar prova, por deri tani si e tillë është cilësuar vetëm dëshmia e pronarit të lokalit ku Ibrahim Caka ka qenë në momentin e ngjarjes. Sipas deklarimeve të tij, Caka ka qenë gjatë mbrëmjes në një lokal në fshatin Bradashesh, por pa pohuar orën e saktë se kur ai ka darkuar aty, çka ka hedhur dhe dyshimet mbi autorët. Gjithsesi, pritet përfundimi i hetimeve për të zbardhur plotësisht këtë ekzekutim, i cili ndodhi ditën e premte në mbrëmje, në afërsi të doganës së qytetit. Gëzim Alikaj ishte i punësuar si shofer në një agjenci udhëtimesh. Ndonëse fillimisht u dyshuan edhe pista të tjera, për policinë e prokurorinë, ajo e hakmarrjes është më e besuara. Alikaj u qëllua me 2 plumba, njëri prej të cilëve ishte vdekjeprurës për të. Trupi i tij u gjet i pajetë në makinë mbrëmjen e së premtes, nga kalimtarë të rastit. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›