E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Hakmarrja", mbrojtja kërkon pavlefshmërinë e provave

24/03/2005  TIRANË – Katër avokatët mbrojtës të të pandehurve që akuzohen si pjesëmarrës në të ashtuquajturin grup "Hakmarrja për Drejtësi", firmosën një relacion që lidhet me deklarimin e pavlefshëm të disa provave kryesore. Pa u hapur ende procesi gjyqësor, avokatët e Altin Arapit, Leart Shytit, Orik Shytit, Kreshnik Spahiut, Pasho Novruzajt, Nikolin Novruzajt, Gentian Çakës, Gëzim Gjonit, kërkuan nga gjykata të mos merren parasysh disa prova shkresore, që kanë të bëjnë kryesisht me kontrollet e banesave dhe aktet e ekspertimit të gëzhojave dhe armëve të gjetura. U kërkua të mos merrej si provë procesverbali i kontrollit të banesës së Zeliha Sinës, marrë me qira nga të pandehurit. Sipas mbrojtjes, ky procesverbal nuk është i rregullt, pasi edhe firmat e oficerëve të policisë gjyqësore nuk kanë qenë të sakta. U kundërshtua procesverbali i mbajtur më datë 11 tetor 1996 në fshatin Radhimë të Vlorës, ku u gjetën 8 armë, të cilat më pas u deklarua se ishin përdorur nga të pandehurit. Mangësi, sipas avokatëve, ka patur edhe në procesverbalin e mbajtur pas vrasjes se shtetasit Sami Jata, më 15 dhjetor 1995. Avokatët thanë në relacionin e tyre se, Prokuroria nuk ka bërë punë të pastër në grumbullimin e provave. Edhe pse prej akteve balistike është vërtetuar se nuk janë kryer në rregull, përsëri akuza, thanë avokatët, i ka futur në dosjen penale. Mbrojtja kërkoi nga gjykata që të deklarojë të pavlefshme të gjitha provat dhe procesverbalet e pyetjeve të të pandehurve marrë para datës 12 tetor 1996, kur edhe janë arrestuar në flagrancë shumica e personave të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale. Asnjë prej të pandehurve nuk është paraqitur në seancë gjyqësore. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e akuzës, që janë të barabartë në numër me mbrojtjen, katër, kërkuan kohë për të pregatitur materialin. Data 6 maj do të kthejë përgjigjen e Prokurorisë për të gjitha kundërshtitë e mbrojtjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›